Adnan Bala është këngëtar i njohur i muzikës popullore qytetare shkodrane. Ai është shembulli më pozitiv, për cilësinë vokale ashtu edhe për përpjekjet që bën për ruajtjen të pastër te trashëgimisë popullore, si në karakter edhe në interpretim. Adnan Bala dëgjon dhe këshillohet vazhdimisht me miqtë e tij muzikantë, vjel mendimet e specialistëve për probleme të ndryshme të këngës, tekstit dhe vërtetësisë melodike, duke kërkuar gjithmonë atë çfarë është më e bukura dhe më e mira, për të dhënë kontributin e tij në ruajtjen të pastër të trashëgimise tonë popullore. Gjithashtu për kontributin e tij në ruajtjen dhe interpretimin pastër të muzikës popullore është vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshter i Madh” nga Presidenti i Republikës. Në një intervistë për CMG, ai tregon për rrugëtimin artistik si dhe bashkëpunimet në realizimin e këngëve që ka interpretuar ndër vite.
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore shqiptare dhe karriera juaj artistike gjatë këtyre viteve?
Adnan Bala: Fillimet e mia në muzikë janë rreth viteve 80-të, ku për herë të parë mora pjesë në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut” që është quajtur në atë kohë, i cili ishte një institucion ku të gjithë muzikantët dhe këngëtarët performonin për herë të parë aty. Pastaj, pasi kreva shërbimin ushtarak fillova zyrtarisht t’i kushtohem misionit të muzikës, duke filluar me dasmat dhe gëzimet familjare, për të vazhduar pastaj me aktivizimin tim në të gjitha premierat e estradës së ndërmarrjes duhan-cigare, ku kam punuar me regjisor Gëzim Krujën.
Në vitin 1991 kam bërë regjistrime në Radio Shkodra për herë të parë me drejtues muzike Luan Borovën dhe rreth vitit 1993 kam marrë pjesë në koncerte në shtete të ndryshme të Europës, ku kam kënduar për bashkëatdhetarët atje. Pas këtij viti kam marrë pjesë në sofrat shkodrane me TVSH-në, për të ardhur tek vitin 1998 ku prezantova 8 videoklipe me regji të Fatbardh Smajës, duke vijuar pastaj me pjesëmarrjen të organizuar nga komuniteti musliman me dirigjent Kujtim Aliaj.
Në vitin 2003 kam realizuar koncertin recital në Shkodër me drejtues Nazmi Lishin dhe në vazhdim ja kam kushtuar çdo gjë artit dhe këngës. Përmenda këta kolosë të muzikës shkodrane dhe shqiptare, duke ju shprehur shumë mirënjohje, pasi më kanë mbështetur që nga fillimet e mia dhe deri tashti.
CMG: Ju muzikën popullore nuk e keni trashëguar nga familja, por ka qenë talenti juaj, puna e madhe dhe përkushtimi për ta përcjellë kaq bukur këngën tradicionale shqiptare.
Adnan Bala: Në fakt një lloj trashëgimie e kam nga profesor Ferid Bala, i cili është njeri shumë i afërt i familjes tonë, pavarësisht se ai nuk ka qenë aktiv në fushën e këngës, por ka qenë një pedagog i shkëlqyer. Ndërsa në familjen time nuk ka pasur njeri që të trashëgojë muzikën tek vetvetja.
CMG: Jeni ndër ato këngëtarë që e keni ruajtur me fanatizëm, duke e interpretuar pastër këngën qytetare shkodrane. Si keni mundur ta ruani këtë traditë të muzikës?
Adnan Bala: Në fakt ruajtja pastër e këngës popullore shkodrane është detyrim për mua dhe për çdo koleg timin. Po flas për veten sepse krijuesit e këtyre këngëve të mrekullueshme dhe të pavdekshme i kanë krijuar këto këngë që të shprehin emocion, që të ruhen pastër dhe të trashëgohen ndër breza. Këto këngë janë një pasuri e madhe që na kanë lënë krijuesit tanë popullorë shkodranë dhe na del për detyrë ta kultivojmë dhe ta ruajmë pastër, ashtu siç e kanë ruajtur pastër paraardhësit tanë Bik Ndoja, Shyqyri Alushi e të tjerë artiste, që kanë qenë interpretues të shkëlqyer. E them me sinqeritet që brezi im ka qenë me fat që ka pasur këngëtarë të tillë, por ka pasur mundësi të marrë shumë eksperienca të karrierës së tyre artistike.
CMG: Çfarë kujtimesh ruani dhe a keni bashkëpunuar ju me këta kolosë të muzikës popullore shkodrane si Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi?
Adnan Bala: Patjetër që po. Kam qenë pjesëmarrës me Bik Ndojën dhe Shyqyri Alushin në koncerte të ndryshme, qoftë në Shkodër po dhe në treva të tjera, ku dhe e përmenda dhe më lart që jam me fat që kam arritur të punoj me brezin e tyre, me përsosmërinë e tyre nga ana e të kënduarit. Nga eksperienca e tyre them se kam pëfituar shumë dhe vazhdoj të këndoj këngët e tyre sepse janë disa perla ku ata kanë lënë gjurmë, jo vetëm me zërin e tyre, por me këngët që ata kanë kënduar.
CMG: Ju keni dhe djalin tuaj, i cili e trashëgon nga ju muzikën dhe dëshiron të ndjekë rrugën tuaj. Sa e keni mbështetur atë dhe sa ka marrë ai nga ju në fushën e muzikës?
Adnan Bala: Djali im Geraldi ka studiuar në shkollën e mesme “Preng Jakova” për 13 vite dhe tani studion në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë për pedagogji muzikore. Është në vitin e dytë master, por formimin e ka marrë si pianist dhe ka dalë me rezultate të shkëlqyera. Investimi im tek djali ka qenë i pakursyer, por edhe Geraldi është pjesë e këtij investimi. Ai është aktiv jo vetëm në mësimet dhe detyrimet që ka për shkollën, por dhe në gëzimet familjare dhe në aktivitete muzikore në qytete të ndryshme. Shpresoj që investimi jonë si familje, por dhe i Geraldit nga ana e studimeve të jetë frytdhënës për një të ardhme sa më të suksesshme, siç e dëhiron çdo prind për fëmijët e tij.
CMG: Ndalemi tek bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e materialeve muzikore, sepse ju keni bashkëpunuar me profesionistë në fushën e muzikës. Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët në rrugëtimin tuaj artistik?
Adnan Bala: Unë e thashë dhe pak më lart që çdo artist ka nevojë për mbështetjen e muzikantëve që kanë eksperiencë në këtë fushë dhe unë kam qenë me fat që kam punuar me muzikantët më të mirë. Fillimisht kam punuar me orkestrimet e Luan Borovës në studion e Radio Shkodrës, por edhe në vitet në vijim kam bashkëpunuar shumë në dy apo tre CD që kam hedhur në tregun muzikor me orkestrime të Luan Borovës, Nazmi Lishit, Roland Gulit, Gazmend Krajës, Luan Dagistanit, Andi Unazës dhe Ervin Unazës. Pra bashkëpunëtorët i kam pasur shumë të ngushtë, ku kam marrë më të mirën e eksperiencës së tyre dhe gjej rastin t’i falenderoj nga zemra për gjithçka që ata kanë dhënë në karrierën time artistike. Të gjithë falenderimet dhe mirënjohejt që unë shpreh, e them me sinqeritet, që janë pjesë e karrierës time artistike.
CMG: Përveç këngëve ppullore qytetare shkodrane të njohura, në krijimtairnë tuaj keni sjellë këngë të reja popullore?
Adnan Bala: Pjesë e albumeve të mia kanë qenë dhe këngë të Shqipërsisë së mesme. Në koncertin tim recital që kam zhvilluar në Tiranë në vitin 2004, në repertor të këtij recitali kanë qenë këngë dhe nga jugu, Shqipëria e mesme sepse mua më pëlqejnë shumë të gjitha trevat e Shqipërisë, madje dhe më tutje. Krijimtari të re në këngët popullore nuk kam për momentin këngë, por jam bazuar tek krijimtaria e këngëve shkodrane. Faktikisht publiku do diçka të re, por nëse jam i prirur të kem një këngë timen jashtë këngëve popullore shkodrane, do të pres derisa materialet të më pëlqejnë dhe të më përshtaten si këngë, dhe do të bëj një këngë për treg.
Kam bërë këngë për tregun muzikor edhe pse tregu është shumë i çuditshëm. Të jemi të sinqertë, nëse në treg hedhim këngë shkodrane, të Shqipërisë së mesme apo të jugut, e them me bindje të plotë dhe nuk gaboj, që janë shumë në minorancë nga përshtatja e tregut, pra nga ato që i preferojnë këto këngë. Të them të drejtën është për të ardhur keq sepse nëse vazhdohet kështu edhe për disa dekada, kam frikë se do humbasë tabani i vjetër i këngëve të të gjitha trevave të Shqipërisë. Ky është tregu dhe unë nuk paragjykoj askënd, mendimi nuk paragjykohet, por e mira do të ishte sidomos brezi i ri që të dëgjonte këngët e tabanit të vjetër shqiptar. Të vazhdojnë t’i kërkojnë këngët e reja, t’i dëgjojnë dhe dashurojnë sa të duan ato, por mos të harrojnë tabanin e vjetër sepse duke i harruar këto këngë, do harrojnë trashëgiminë, do harrojnë edhe të parët e tyre.
CMG: Keni në plan ndonjë projekt të ri muzkor së afërmi, koncert recital apo këngë të re?
Adnan Bala: Për momentin jo sepse të bësh një recital tjetër ose të investosh në këngë, është shumë mirë sepse unë jam prej atyre artistëve që kam investuar që nga fillimet e mia, por sot kushtet janë të tjera. Kostoja e videoklipeve apo koncerteve recitale është shumë e lartë dhe nuk është e përballueshme për ne si familjarë, mbasi dhe sponsorët kryesorë të pushteteve vendore nuk investojnë shumë tek arti. Nga vetë natyra ime unë e kam të vështirë që të shkoj dhe t’u shtrij dorën sepse edhe ato fitojnë me djersë dhe mund, pa harruar se dy koncerte recitale që unë kam realizuar kam pasur vetëm mbështetjen e biznesit privat në Shkodër dhe Tiranë. Unë ata prapë i kam dashamirës dhe jam i sigurtë që do investojnë me një koncert recital timin apo në realizimin e një CD-je, por unë e kam të vështirë që të futem në financat e bizneseve të tyre për vetë kohën e vështirë, që po kalojnë dhe ata.
CMG: Unë të falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj vetëm suksese.
Adnan Bala: Të falenderoj dhe unë jashtëzakonisht dhe ju uroj emisione sa më të bukura.
Intervistoi: Gazmend Agaj