Këtë muaj u zhvillua një ngjarje e rëndësishme e muzikës europiane, edicioni i 66-të i Festivalit Evropian të Këngës, mbajtur në datat 10, 12, 14 Maj 2022.
Fituesit e Eurovion 2022 grupi nga Ukraina Kalush Orchestra (Foto nga Al Jazeera) (1)
Mikpritëse e Eurosong-ut ishte Italia, pas fitores së këtij shteti në Festivalin e një viti më parë me këngën "Zitti e buoni" interpretuar nga grupi Måneskin. I organizuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe transmetuesi pritës Radiotelevizioni italian (RAI), festivali u transmetua në tre netë, më datë 10 maj nata e parë gjysmëfinale, më 12 maj nata e dytë gjysmëfinale, si dhe finalja e madhe më datë 14 maj 2022. Kjo është hera e tretë që Italia e organizon këtë festival të këngës, pas organizimit të parë në edicionin e vitit 1965 në Napoli dhe atë të vitit 1991 në Romë, si dhe ngjarja e parë e EBU-së që mbahet në vend që nga edicioni i fundit i Jeux Sans Frontières në vitin 1999.
Ndërkohë Shqipëria këtë vit hapi edicionin e 66-të të Festivalit Europian, ku në natën e parë gjysmëfinale interpretoi Ronela Hajati me këngën “Sekret”, pas fitores në Festivalin e 60-të Jubile të Këngës në RTSH.
Renditja e shteteve sipas pikëve në natën finale të Eurovizionit (Foto nga Instagrami)
Eurosong këtë vit pati 40 shtete konkurrente nga të cilët 17 në natën e parë, 18 natën e dytë, si dhe 5 shtetet të cilat kaluan automatikisht në finale, Franca, Italia, Anglia, Gjermani dhe Spanja.
Në natën e tretë dhe të fundit, më 14 Maj 2022 konkuruan 25 finalistët e Eurovision 2022 .
Shqipëria sivjet nuk mundi të kualifikohej në finalen e madhe edhe pse këngëtarja shqiptare arriti të fitonte zemrat e publikut.
Ronela Hajati pas përfundimit të eksperiencës së saj në këtë festival u shpreh se, “edhe sikur të isha në finale do të isha e fundit, e di! Por sasia e dashurisë që kam marrë është e madhe! Unë fitova Eurovisionin sepse fitova publikun! Ju dua” përfundon ajo. Gjatë performancës së saj Hajati u shoqërua nga një trupë balerinësh, si dhe nga balerina e njohur, koreografja Klaudia Pepa.
Për telelevizionin Top Channel, në programin ”A Live Night” Ronela Hajati është shprehur:
Prezantuesit e Eurovizionit -Laura Pausini, Alessandro Cattelan e Mika (Foto nga Ruetir)
“Të gjithë artistët e duan Eurovizionin sepse në Europë ajo është skena më e madhe muzikore ku shqiptarët kanë mundësi të shkojnë. Çdo artist dëshiron të ketë sukses në të gjithë botën dhe një skenë që mund të jetë e prekshme dhe që e ëndërron se mund ta arrish një ditë është, Eurovizioni. Kisha një material që mendoja se pasi të bëhej anglisht, nëse fitoja, gjithmonë kam pasur qejf që të dilja me një këngë pak më ritmike, mendoja se mund të dukeshe bukur. Kam punuar shumë me Marko Polon, Briz Musarajin, ku të tre së bashku kemi punuar ditë e natë për këtë këngë, në mënyrë që të dilte një këngë e një niveli që e meritonte të shkonte në Festival dhe të fitonte. Kur kam konkuruar më parë nëpër festivale të ndryshme si, Kënga Magjike, Mikrofoni i Artë, Top- Fest etj, gjithmonë jam vlerësuar me çmime, por asnjëherë nuk kam fituar një çmim të parë. Dhe përherë pas këtyre kompeticioneve të gjithë më thonin; “Ti e meritoje për të fituar”. Për mua arritja më e madhe është të futem në finale, gjë që ka pasur më parë artistë mjaft të mirë që edhe nuk kanë mundur ta arrijnë këtë, pra ta prekin finalen. Për mua finalja do të ishte një kënaqësi mjaft e madhe, pasi Shqipëria është një vend shumë i vogël” ka përfunduar Ronela Hajati.
Ronela Hajati Fituese e Fest '60-të (Foto nga Instagrami)
Festivali Evropian i Këngës u prezantua nga Laura Pausini, Alessandro Cattelan dhe Mika. Në këtë edicion morën pjesë artistë nga 40 vende evropiane.
Në natën e parë në Eurovision iu kushtua një homazh artistit Lucianno Pavaroti, pra muzikës italiane, me një kolazh të këngëve më të famshme të viteve ’90, nga Gigi D’Agostino tek Eiffel 65. Nuk mund të mungonte një homazh dhe për Raffaella Carrà.
Finalja e madhe u mbajt 14 maj në stadiumin “Pala Olimpico” në Torino të Italisë.
Publiku Evropian këtë vit i dha fitoren Ukrainës, pra vota e publikut e përmbysi votën e jurisë, duke pozicionuar në vendin e parë grupin e Kalush Orchestra me këngën “Stefania”, një dedikim për të gjitha nënat ukrainase.
Kënga “Stefania”, rroku zemrat e gjithë publikut, duke u kthyer jo vetëm në një prej këngëve më të dëgjuara të Eurovisionit të këtij viti, pra gjithashtu kjo këngë është kthyer edhe në një himn në Ukrainë.
Kënga më e votuar prej jurive profesionale, ishte ajo e Britanisë së Madhe me 283, por që e rrëzoi rezultatin, votimi i publikut.
Grupi nga Ukraina arriti të siguronte 631 pikë në natën finale, ndërsa Britania e Madhe u rendit e dyta me 466 pikë. Vendin e tretë e mori Spanja e të katërtin Suedia, ndërsa Franca e Gjermania u rreshtuan në fund të listës.
Shfaqja e Festivalit Europian të Këngës ishte një natë magjike e muzikës dhe e kulturës evropiane. Me një larmishmëri të vërtetë muzikore, që prej ritmeve folk të Evropës lindore, miksuar me muzikën rap, tek tingujt elektronikë e dance, rock and roll-i, ekzotizmi latin apo baladat nuk munmguan në këtë në këtë edicion të suksesshëm të festivalit më të madh Europian të Këngës.
Sava Lena