I ulur në një oborr të stilit të lashtë të dizajnuar vetë, Liu Kai, 30 vjeç, vizaton Tempullin Chongfu, një strukturë kulturore plot histori, që tashmë ëshë nën mbrojtjen e shtetit, në provincën Shanxi të Kinës veriore. Me origjinë nga një familje fermere në fshatin Zhuge, qyteti Linfen i Shanxi, Liu ka një pasion për arkitekturën e lashtë të Kinës, veçanërisht ndërtesat në provincën e pasur me kulturë. Gjatë tetë viteve të fundit, ai ka paraqitur në letër mbi 50 struktura historike, duke e paraqitur veten përpara çdo ndërtese të vjetër. “Jam unë, si të tjerë të panumërt që e kanë parë trashëgiminë ndër shekujt”, -tha Liu.
Më 21 prill, Kina publikoi librin e bardhë me në qendër rininë, “Rinia e Kinës në epokën e re”. Ky vit shënon edhe 100-vjetorin e themelimit të Lidhjes Rinore Komuniste të Kinës (CYLC). Në dokument thuhet se rinia e Kinës ushqehet nga më të mirat e kulturës tradicionale të Kinës, kulturës revolucionare dhe kulturës së përparuar socialiste dhe merr forcë nga qytetërimi kinez i nderuar nga koha. Të rinjtë kinezë identifikohen gjithnjë e më shumë me shkëlqimet e qytetërimit kinez. Sipas librit të bardhë, ata janë thellësisht krenarë për kombin e tyre dhe janë më aktivë në promovimin e kulturës tradicionale kineze dhe rritjen e besimit kulturor në të gjithë shoqërinë. Me kalimin e viteve, Kina ka synuar të theksojë përcjelljen dhe promovimin e kulturës së saj, me një sërë udhëzimesh dhe propozimesh të lançuara për të nxitur mbrojtjen mbarëkombëtare, inovacionin dhe përhapjen e kulturës së saj të paçmuar.
Liu nuk është i vetëm në pasionin e tij për të kaluarën e Kinës. Pas postimit të pikturave të tij në internet, veprat e tij të artit kanë mahnitur përdoruesit e rrjetit dhe kanë tërhequr koleksionistët në të gjithë vendin.
Kina është zotuar të bëjë gjithçka për të ruajtur dhe zhvilluar kulturën e saj të shkëlqyer tradicionale, duke synuar një rritje të dukshme në ndikimin ndërkombëtar të kulturës kineze deri në vitin 2025. Sipas udhëzimeve të nxjerra nga qeveria qendrore në vitin 2017, deri në vitin 2025 pritet të regjistrohen arritje të mëdha në kërkimin tradicional të kulturës, arsimin, mbrojtjen, trashëgiminë, inovacionin dhe shkëmbimet.
Qëllimet e Kinës për ridizajnuar kulturën e saj të shkëlqyer kanë pasur një jehonë entuziste nga publiku. Në një ekspozitë të Realitetit Virtual (VR) në qytetin Xigaze, në Rajonin Autonom të Tibetit të Kinës jugperëndimore, një video tetë minutëshe njohu të pranishmit me historinë dhe zhvillimin e vallëzimit Zhentang Sherpa, një formë e trashëgimisë kulturore jomateriale kombëtare. Ajo u përgatit nga 23-vjeçari Sidar, i cili është me prejardhje Sherpa. Në vendlindjen e tij Zhentang, thellë në Himalajet dhe në kufi me Nepalin, jetojnë rreth 2600 njerëz Sherpa. Nëna e të riut është praktikuese e kërcimit Zhentang Sherpa. Kur Sidari ishte fëmijë, ai shikonte nënën e tij duke u mësuar vendasve të të gjitha moshave hapat e lashtë të kërcimit.
Studiuesit kanë vizituar shpesh qytetin për të kryer studime të kulturës unike lokale. “Kultura Sherpa është e larmishme dhe e pasur. Studiuesit bëjnë arritje akademike, por përgjegjësia e trashëgimisë së vërtetë kulturore bie mbi supet e të rinjve vendas, si Sidari”, -tha Taring Namgel, një profesor i asociuar në Fakultetin e Artit të Universitetit të Tibetit. Ai udhëtoi në rajon për të hulumtuar Mani Drama, një tjetër formë e nderuar e trashëgimisë kulturore Sherpa. Rritja e udhëtimeve të tilla e frymëzoi Sidarin të regjistronte kulturën vendase përmes objektivit të tij. Në video ai ka paraqitur jetesën e përditshme të njerëzve Sherpa, pajisjet e vjetra, vallëzimin dhe festimet e gjalla të festivaleve.
“Kultura jonë është si një lumë i lashtë që rrjedh brenda nesh nga historia e deri më sot”, tha Sidar. Është ëndrra e tij të realizojë një dokumentar dhe të krijojë një muze të kulturës popullore Sherpa. Gjithnjë e më shumë të rinj kinezë kanë bashkuar përpjekjet për të ruajtur trashëgiminë kulturore falë dokumentarëve dhe shfaqjeve televizive të suksesshme në Kinë, si “Mjeshtrit në qytetin e ndaluar” dhe “Thesari kombëtar”.
Kur Zhu Xiaocong, tani një mjeshtër i kaligrafisë dhe pikturës antike, nisi punën në Muzeun Shanxi shtatë vjet më parë, ai kishte vetëm tre ose katër kolegë. Por tani, ekipi është zgjeruar në rreth 30 persona, me anëtarët e tij të lindur kryesisht pas vitit 1990. Studioja e Zhu mund të duket si një kuzhinë për syrin e patrajnuar, pasi një shumëllojshmëri furçash varen në mure, nëpër sirtare ka thika dhe dallohen qartë tenxhere me madhësi të ndryshme.
Në tavolinën e tij të punës shpaloset një vepër kaligrafie që daton nga dinastia Qing (1644-1911), e ndotur nga njolla të zbehta dhe me disa të çara. Zhu duket sikur kryen një operacion delikat në veprën e artit. Ai heq me ngadalë njollat dhe vendos shirita të hollë të bardhë në pjesën e pasme të letrës në zonat e dëmtuara.
“Të rinjtë janë energjikë, por atyre mund t'u mungojë përvoja kur bëhet fjalë për restaurimin e objekteve. Megjithatë, teknikat e tyre mund të përmirësohen shumë përmes trajnimit, udhëzimeve nga kolegët më me përvojë dhe udhëtimet në terren”, -tha Guo Zhiyong, zëvendësdrejtor i departamentit të ruajtjes dhe kërkimit të objekteve kulturore të muzeut.
Gjatë shtatë viteve të fundit, Zhu ka restauruar mbi 100 piktura dhe vepra kaligrafie të lashta. “Të gjitha përpjekjet e mia ia vlejnë kur shoh artefaktet të rikthyera në lavdinë e tyre të mëparshme dhe të vlerësuara nga vizitorët e muzeut”, -tha ai.