Foto nga VCG
Jerida: Gëvei tingxhun nimen hao! Për emisionin e sotëm kemi zgjedhur disa idioma nga gjuha kineze, të cilat na ndihmojnë për të njohur më mirë pasurinë leksikore e frazeologjike të kinezishtes, por nëpërmjet tyre edhe kulturën kineze e mentalitetin e kinezëve. Me mua si gjithmonë është sinologu Iljaz Spahiu.
Iljaz Spahiu: Kujtojmë shprehjet idiomatike të radhës së kaluar. Heerbutong (和而不同) -Harmoni, por jo uniformitetit ose Harmoni dhe diversitet, Në harmoni por të ndryshëm.
Dhe “Vizaton gjarprin dhe i shton këmbë” – Huàshétiānzú (画蛇添足)
Që do të thotë që pasi ke bërë një gjë, e prish duke i shtuar diçka tjetër të panevojshme.
Shprehja e parë që kemi zgjedhur për sot është :
Yǔguò tiān qíng(雨过天晴) –që fjalë për fjalë përkthehet “Pas shiu del qielli kthjellët”, ose Pas stuhisë shkëlqen dielli.
-Kjo shprehje nënkupton që pasi ke kapërcyer vështirësi të shumta gjithmonë do të shohësh dritën e shpresës. Në kinezisht ka edhe një shprehje të lidhur me të - Si mund të shohësh ylberin, nëse nuk përjeton stuhinë e shiun?
Kjo shprehje sigurisht i referohet edhe situatave politike apo sociale, që nënkupton kalimin nga errësira në dritë.
Kjo shprehje në fakt mbart në vetvete frymën e optimizmit, qoftë për njeriun si individ, qoftë për shoqërinë apo edhe më gjerë. Pra njeriu, pavarësisht nga vështirësitë që has, asnjëherë nuk duhet ta humbasë shpresën për ditë më të mira.
-Sot kjo shprehje shumë aktuale, po të kemi parasysh pandeminë e covidit me të cilën bota vazhdon të përballet prej më shumë se dy vitesh apo edhe situatën e trazuar që mbizotëron në botë.
Jerida: Si gjithmonë idiomat e gjuhës kineze përveç kuptimit të drejtëpërdrejtë gjuhësor, përcjellin edhe një mesazh të rëndësishëm, ashtu si edhe kjo shprehje që sapo shpjeguam.
Iljaz Spahiu: E përsërisim kinezisht bashkërisht.
Jerida: Dhe cila është shprehja tjetër idiomatike që kemi përzgjedhur për sot?
Iljaz Spahiu: Duì niú tán qín (对牛弹琴) – Kuptimi fjalë për fjalë është “Luaj në harpë, për kaun”, ndërsa në shqip mund të përkthehet “Fol me murin” ose “Bie daullja në vesh të shurdhit”, në anglisht shprehja “Hedh perlat para derrit”.
-Kuptimi i kësaj shprehje: Të flasësh me logjikë për njerëz që nuk kanë logjikë, ose të flasësh e sillesh me elegancë me njerëz që nuk e kuptojnë të bukurën.
-Si shumica e shprehjeve idiomatike kineze edhe kjo ka një histori:
Në lashtësi jetonte një muzikant i quajtur Gong Mingyi, i cili edhe krijonte muzikë edhe interpretonte në disa vegla muzikore, por sidomos shquhej në veglën e Lirës (Vegël muzikore, si harpa, e përdorur që në kohë të lashta, me kasë të vogël e të përkulur në të dy anët, me dy brirë që zgjaten prej saj dhe me katër deri shtatë tela në mes tyre.)
Kur ishte kohë e bukur ai merrte Lirën dhe luante jashtë në natyrë. Në një prej këtyre ditëve ndërsa frynte një fllad i lehtë pranveror, ai pa një ka që po kulloste i qetë jo shumë larg tij. “Po sikur të luaj disa melodi për kaun”- mendoi Gong Mingyi i frymëzuar nga natyra. Dhe kështu rregulloi Lirën, akordoi telat dhe filloi të luajë një nga meloditë më të bukura e elegante, por kau vazhdonte të përtypej i qetë pa u ndikuar nga muzika. Muzikantit nuk i erdhi mirë, megjithatë mendoi se mos ndoshta melodia që kishte zgjedhur ishte shumë elegante dhe e përpunuar për veshët e kaut, kështu që luajti diçka më të thjeshtë, por kau vazhdonte të ushqehej kokë ulur pa e prishur terezinë, e të tundte bishtin për të larguar mizat. Pastaj provoi që me harpën e tij të nxirrte tinguj të ngjashëm me zhukatjen e mizave apo me pëllitjen e viçave. Këtë herë kau ndaloi së ngrëni, ngriti kokën , drejtoi veshët, tundi bishtin dhe filloi të vijë vërdallë, a thua se po diçka po dëgjonte me vëmendje.
-Pastaj kau u largua ngadalë dhe shkoi diku tjetër për të ngrënë barë. Njerëzit i thanë muzikantit Gong Mingyi: Nuk është se melodia që luan nuk është e bukur, por puna është se kjo melodi nuk bën për veshët e kaut.
Duke qenë se muzika, sidomos ajo e përpunuar dhe shkallës së lartë, jo gjithmonë kuptohej nga njerëzit, muzikantët e shquar në lashtësi ankoheshin shpesh se e kishin të vështirë të takonin njerëz që të kuptonin muzikën e tyre. Kështu edhe Gong Mingyi duke luajtur një melodi klasike të përpunuar për kaun, do të thotë se kishte zgjedhur gabim spektatorin, dhe kur luan muzikë me shije të rafinuar, do të kesh pak dëgjues.
-Shprehja “Luaj në harpë për kaun” përdoret gjerësisht edhe për rastet kur bën një arsyetim filozofik para njerëzve të pagdhendur ose njerëzve që nuk duan të dëgjojnë arsyetime logjike. Pra gjatë bisedave tema duhet zgjedhur sipas rasteve specifike dhe kushteve konkrete, pasi vetëm kështu mund të krijohet një atmosferë miqësore dhe e ngrohtë dhe biseda të vazhdojë e lirshme.
雨过天晴 - Yǔguò tiān qíng (y guo tien çin)- Pas shiut qielli klljellohet
雨 – yǔ (y) shi, 下雨(sja y)- bie shi
对牛弹琴 – duìniútánqín (tui nju tanqin) Luaj në harpë për kaun
和而不同 - hé ér bùtóng (hë er but’un) Harmoni dhe diversitet
画蛇添足 – huàshétiānzú (huashëtienxu) Vizaton gjarprin dhe i shton këmbë