“The Geography of Albania” (Gjeografia e Shqipërisë), ky libër është i pari që jep në anglisht një pasqyrë gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të gjeografisë së plotë të Shqipërisë. Ai nxjerr në pah potencialet më të rëndësishme dhe të shumëfishta të natyrës, shoqërisë dhe ekonomisë së Shqipërisë si dhe problemet e zhvillimit gjatë periudhave të ndryshme kohore. Një fokus qëndron në perspektivat dhe sfidat e Shqipërisë për të ardhmen.
Prof. Perikli Qirjazi (Foto Flasship)
Krahas aspekteve natyrore diskutohen edhe tema si migrimi, varfëria, situata sociale, ekonomia, zhvillimi urban, pabarazitë rajonale ndër të tjera.
Ky libër u bën thirrje akademikëve dhe studiuesve të gjeografisë, zhvillimit rajonal dhe disiplinave të ngjashme, si dhe mësuesve dhe studentëve të gjeografisë, gjeologjisë, shkencave natyrore, shkencave sociale, ekonomisë. Libri është gjithashtu tërheqës për përfaqësuesit e mediave, turistët dhe individë të tjerë të interesuar që udhëtojnë drejt Shqipërisë. Libri është realizuar nga Prof Dhimitër Doka dhe Prof. Perikli Qiriazi.
Dhimiter Doka është pedagog në lëndën e Gjeografisë pranë Universitetit të Tiranës. Prej më shumë se 10 vitesh ai e ushtron këtë profesion, duke dëshmuar Shqipërinë tek pasardhësit.
Libri The Geography of Albania (Foto nga studjuesi)
CMG : Ju sapo keni publikuar Librin "Gjeografia e Shqipërisë". Një punim enkas për t’u përkthyer në gjuhë të huaj çfarë përmban?
Dhimiter Doka: Libri është botuar prej një prej shtëpive më të famshme në botë siç është Springer. Ky është një libër pasqyrë e Shqipërisë në aspektin e zhvillimit të saj social ekonomik, por patjetër fokusi është Gjeografia e ndërthurur me elementë historikë.
CMG :Nga kush lindi si kërkesë?
Dhimiter Doka: Si kërkesë erdhi nga vetë shtëpia botuese dhe qëllimi është të bëjmë të njohur Shqipërinë jashtë territorit dhe të vihen në pah vlerat artistike të këtij kombi por mbi te gjitha ky libër të jetë një udhëtim nëpër Shqipëri përpara se turistët të mbërrijnë këtu.
CMG : Sa e njohim ne Shqipërinë?
Dhimiter Doka: Ndoshta jo plotësisht, por nuk mund të flasim dot për gjëra të sigurta. Ky libër është aktual dhe për ata që nuk i njohin ndryshimet apo që nuk kanë qenë pjesë e këtyre ndryshimeve, ky libër ua sjell më të freskëta.
CMG :Pse në gjuhë të huaj?
Dhimiter Doka : Kemi dashur që nëpërmjet gjuhës angleze ky libër të jetë objekt studimi apo nga turistët që e përdorin si busull. Në fakt kemi dashur të shpërndahet kudo në botë dhe ndaj erdhi në këtë gjuhë
Libri The Geography of Albania (Burimi personal)
CMG : Si u prit ky libër?
Dhimiter Doka: Libri është pritur shumë mirë. Fakti që jepet në gjuhë te huaj fizike dhe atë elektronike ju ka krijuar lexuesve mundësinë për ta pasur atë dhe për ta lexuar. Nga të dhënat vetem në 3 javët e para janë shitur 1mijë kopje dhe sot e gjejmë në libraritë më të famshme nëpër botë.
CMG :A ka qenë i vështirë realizmi?
Dhimiter Doka : Shume i vështirë, sepse libri është kërkuar në gjuhën angleze dhe është dashur që të përkthehet ndaj kjo na mori shumë kohë. Një gjë tjetër që na mori kohë ishte edhe gjetja e pamjeve ilustruese. Në libër ka mbi 200 pamje të cilat ilustrojnë.
CMG :Çfarë e bën të veçantë këtë libër?
Dhimiter Doka: Unifikimi! Nëse në librat e tjerë s’e kemi gjetur këtu e kemi. Tiparet e popullsisë, relievit dhe çdo elementi tjetër që na unifikon si shoqëri sepse nuk mund të jetë vetëm relievi dhe vetëm kaq.
CMG : A ka elemente historike në libër?
Dhimiter Doka: Po patjetër që ka. Është një kapitull më vete që tregon se si tiparet historike kanë ndryshuar, pse kanë ndryshuar dhe si kanë ndikuar këto në reliev.
CMG :Kush ka qenë burim informacioni për ju?
Dhimiter Doka: Burim informacioni për ne ka qenë terreni i hapur, por i jemi referuar edhe studiuesve të mirëfilltë të cilët kanë dhënë informacione të sakta që jemi përpjekur t’i rifreskojme me kohën.
Prof. Dhimitër Doka (Gazeta Panorama)
CMG : Ku qëndron e veçanta e këtij libri?
Dhimiter Doka: E veçanta e këtij libri është që tregojmë edhe anët jo të mira të vendit që kanë të bëjnë me mënyrën se si po trajtohet territori për të ardhmen. Problemi demografik për largimin e popullsisë është një ndër faktorët që e trajtojmë dhe analizojmë.
CMG : A ka arritur të gjendet edhe në Kinë?
Dhimiter Doka: Ne jemi miq të mire të Kinës. Ata e duan Shqipërinë sepse në universitete ne Kinë shqipja është e mundur të mësohet. Ndaj ky libër ka arritur në çdo vend të botës edhe në Kinë. Para se ata të vijnë të vizitojnë Shqipërinë kanë mundësinë ta njohin nga libri "The geography of Albania"(Gjeografia e Shqipërisë)
Intervistoi : Megi Latifi