Shfaqja “A.Y.L.A.N.” e Teatrit të Gjilanit ka fituar çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar “Kontrapunkt” në Poloni.

Foto nga shfaqja A.Y.L.A.N (Foto nga trupa teatrore)

Foto nga shfaqja A.Y.L.A.N (Foto nga trupa teatrore)

Juria e edicionit të 56-të të këtij festivali e ka vlerësuar shfaqjen shqiptare me tekst të Jeton Neziraj, regji nga Blerta Rrustemi-Neziraj për mjeshtërinë e zbërthimit të një teme komplekse.

“A.Y.L.A.N.” është një performancë teatrore që në mënyrë ironike shpalos dramën aktuale të refugjatëve në Evropë dhe përpjekjen e shumë njerëzve për të përfituar nga tragjedia e tyre. E ndërsa në shumë vende evropiane, ndjenjat anti-refugjatë janë në rritje, empatia për dramën dhe vuajtjen e tyre ka filluar të zbehet. Shfaqja “A.Y.L.A.N.” na përball me domosdoshmërinë për të parë dramën e tjetrit brënda vetes. Tragjedia e sotme e tjetrit, ishte tragjedia jonë e djeshme dhe mund të jetë tragjedia jonë e së nesërmes.

Alban Shahiqi (foto personale)

Alban Shahiqi (foto personale)

Festivali “Kontrapunkt ‘56” në Poloni bëri të ditur se çmimin e madh të jurisë e ka marrë vepra “A.Y.L.A.N.” e teatrit të qytetit të Gjilanit, për interpretimin mjeshtëror të dramaturgjisë në lidhje me një temë shumë të vështirë, siç është edhe lufta e së mirës kundër së keqes. Vepra “A.Y.L.A.N.” e shkruar nga Jeton Neziraj, me regji nga Blerta Neziraj, është vënë në skenë nga aktorët, Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi, Tringa Hasani, Alban Shahiqi dhe Gani Rrahmani.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës aktori i shfaqjes “A.Y.L.A.N.”, Alban Shahiqi, ka treguar disa detaje rreth këtij projekti.

CMG: Na tregoni disa detaje rreth shfaqjes “A.Y.L.A.N.” dhe kur u vendos për herë të parë në skenë?

Alban Shahiqi: Shfaqja “A.Y.L.A.N.” premierën e ka pasur në muajin dhjetor të vitit 2019, me tekst të dramaturgut tonë, Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Rustemi Nezizaj. Shfaqja “A.Y.L.A.N.” është me një koncept teatral, i cili nuk është parë më herët në teatrot tona, ku ne si aktorë performojmë në sallën e teatrit, pra në karriget e teatrit, ndërsa publiku është i vendosur në skenë. Shfaqja prek gjithë tragjedinë e refugjatëve në mbarë botën, kur ka dhe një koncept sa satirik, por edhe shumë prekës me realitetin ku ndodhet sot e gjithë bota, qoftë edhe me luftën në Ukrainë. Shfaqja është pritur shumë mirë nga kritika, nga publiku në mbarë vendet ku kemi interpretuar, gjithashtu edhe në Poloni ku u vlerësuam me vendin e parë, çmimin kryesor të Festivalit “Kontrapunkt ‘56”.

Foto nga shfaqja A.Y.L.A.N (Foto nga trupa teatrore)

Foto nga shfaqja A.Y.L.A.N (Foto nga trupa teatrore)

CMG: Si erdhi idea e konkurimit për në Poloni dhe sa kantidatë ishit në garë?

Alban Shahiqi: Qëndra multimedia çdo vit organizon “Show” ku juria përzgjedhëse ndërkombëtare, shumica e vendeve perëndimore, vijnë në teatrot tona dhe ne japim shfaqje posaçërisht për këta persona të cilët bëjnë përzgjedhjen, më pas bëjnë vlerësimin e tyre dhe në fund selektimin. Rreth 4-5 muaj më parë ne kemi dhënë shfaqjen “A.Y.L.A.N.” përpara kësaj jurie, ku morëm edhe ftesën për të qenë pjesë e festivalit “Kontrapunkt ‘56”.

Në konkurencë kanë qenë rreth 10 shfaqje, ku patëm rastin t’i shihnim edhe ne disa, dhe të them të drejtën ishin shfaqje mjaft të denja për konkurim, ku merrnin pjesë artistë nga të gjitha teatrot polake, duke marrë parasysh që në Poloni teatri është në një nivel shumë të zhvilluar.

CMG: Si e pritët këtë fitore dhe a do vazhdojë të jepet shfaqja?

Alban Shahiqi: Pasi publiku dhe kritika e priti jashtëzakonisht mirë shfaqjen, madje na duartrokitëm për gati 10 minuta pa pushim, që në atë moment e ndjemë se diçka e mirë po na priste. Por kur mësuam lajmin që ne ishim fituesit e çmimit kryesor të festivalit, ishte vërtetë një ndjenjë shumë e madhe kënaqësie për të gjithë trupën e teatrit, por edhe qytetarët e Gjilanit të cilët e kishin marrë lajmin me një mburrje të madhe, sepse teatri i qytetit tonë është i lidhur shumë me publikun, me qytetarët që na ndjekin rregullisht. Shfaqja “A.Y.L.A.N.” do të jepet sërish në repertorin e teatrit, ndërsa ne kemi marrë edhe ftesa të tjera nga festivalet ndërkombëtare. Në muajin qershor do të jemi përsëri në Poloni në qytetin e Katovicës, një qytet kulturor me një nivel të lartë artistik sa i përket teatrit. Në fund të vitit kemi një ftesë për të shkuar në Jeruzalem të Izraelit, gjithashtu vazhdojmë të kemi ftesa nga festivale të ndryshme ndërkombëtare.

Foto nga shfaqja A.Y.L.A.N. (Foto nga trupa teatrore)

Foto nga shfaqja A.Y.L.A.N. (Foto nga trupa teatrore)

Shfaqja “A.Y.L.A.N.” është një prodhim i Teatrit të Gjilanit, i cili do të vazhdojë të sjellë këtë shfaqje edhe përtej kufijve. Është kënaqësi dhe krenari të shohim vlerësime të tilla ndërkombëtare edhe për shfaqje teatrale shqiptare.

Intervistoi: Sava Lena