Foto nga VCG
Vajza në fotografinë e mësipërme quhet Li Ju. Ajo vjen nga konteja Wenchuan e Kinës jugperëndimore. Në tërmetin me fuqi 8 ballë, sipas shkallës Rihter, që ra më 12 maj 2008 me epiqendër në Wenchuan, ajo humbi 16 anëtarë të familjes, duke përfshirë edhe nënën e saj.
Asokohe ajo studionte në Universitetin Pedagogjik të Pekinit. Kur u kthye në vendlindje, 1.800 kilometra larg Pekinit, ajo e gjeti kontenë mes gërmadhash. “Atëherë, e vetmja shpresë imja për të ardhmen ishin vullnetarët e llojllojshëm nga krahina të ndryshme të vendit”, - kujton Li. Pas tërmetit të Wenchuan-it, në zonat e prekura shërbyen mbi 1 milionë vullnetarë, të cilët e bënë edhe më të ndjeshme dhe të përgjegjshme Li Ju-në në rrugëtimin e saj në ndihmë të të tjerëve. Një i afërm e këshilloi vajzën e re: “Duhet të kthehesh në Pekin, sepse do të hapen së shpejti Lojërat Olimpike të Pekinit. Ke bërë aq shumë përpjekje për këtë, prandaj duhet të vazhdosh.”
Punët shpëtimtare të vullnetarëve pas tërmetit në Wenchuan/foto nga dokumentari "Nga Pekini në Pekin"
Në vitin 2005, me të hyrë në universitet, Li Ju zemërmirë u regjistrua në Shoqatën e Vullnetarëve të Rinj të shkollës, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të shërbimeve vullnetare. Ajo dha mësime në shkollat fillore të fëmijëve nga fshati, ndihmoi të moshuarit në shtëpitë e Kujdesit për të Moshuarit, ruajti rregullin në stacionet e autobusit etj. Si “Ylli i Shërbimeve Vullnetare” në shkollë, Li u regjistrua si vullnetare për Lojërat Olimpike të Pekin 2008, që do të hapeshin më 8 gusht.
Li Ju gjatë shërbimeve vullnetare për Lojërat Olimpike të Pekinit 2008/ foto nga dokumentari "Nga Pekini në Pekin"
Më 12 maj 2008, pikërisht kur Li Ju ishte duke u marrë me punët përgatitore për Olimpiadën e Pekinit si vullnetare në Komitetin Organizativ të Lojërave Olimpike, fatkeqësia pllakosi në vendlindjen e saj. E prekur shumë nga punët shpëtimtare të vullnetarëve nga të katër anët e vendit, Li Ju do të thonte: “Nga dashuria e vullnetarëve në Wenchuan, qava e qesha dhe nuk do ta harroj kurrë. Pikërisht nga ai çast, me mirënjohje në zemër vendosa të vazhdoja ndihmesën time për Olimpiadën, duke ia shpërblyer atdheut dhe vullnetarëve.”
Me inkurajimin e të afërmve, Li Ju, duke lënë mënjanë hidhërimin e madh, u kthye në Pekin për vazhdimin e shërbimeve vullnetare për Lojërat Olimpike të Pekinit 2008. Me të gjithë pasionin dhe buzëqeshjen e sinqertë, Li Ju e kurorëzoi me sukses misionin e saj si një vullnetare olimpike. Askush nuk mund ta kuptonte hidhërimin në fytyrën e kësaj vajze, e cila kishte kaluar një fatkeqësi të madhe vetëm para 3 muajsh. Në ceremoninë e mbylljes të Olimpiadës së Pekinit,
Li Ju, si një nga përfaqësuesit e vullnetarëve mori një buqetë lulesh nga anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar/ foto nga dokumentari "Nga Pekini në Pekin"
Më vonë Li Ju shërbeu si vullnetare edhe për Lojërat Olimpike të Londrës 2012. Në dhjetor 2019 kur filloi rekrutimi i vullnetarëve për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, Li Ju u regjistrua sërish pa ngurrim.
Sot Li punon si pedagoge për punët e studentëve në Universitetin Qendror të Financave të Kinës. Drejtimi i zhvillimit të shërbimeve vullnetare të studentëve përbën impenjimin kryesor të punës së saj. Edhe këtë herë, Li Ju, së bashku me studentët e saj përfunduan në mënyrë të mrekullueshme punët vullnetare për Olimpiadën Dimërore. Nga 2008 deri më 2022 shërbimet vullnetare janë integruar krejtësisht me jetën e Li Ju-së, duke e çliruar nga hidhërimi dhe shtuar forcën për ecjen përpara. (Wang Lei)
Li Ju, si vullnetare e Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022/foto nga CMG