Një orë para premierës së shfaqjes së tij të re, “Romanca e re e dhomës perëndimore”, Ding Yiteng u ul në teatrin bosh “Drum Tower West” në Pekin. Shfaqja është momenti kulmues i orëve të panumërta të punës së regjisorit, duke sjellë në skenë vizionin e tij unik, të formuar nga përvojat e jetës. “E kuptoj perspektivën perëndimore të artit dhe estetikës, por e dua dhe Pekinin dhe kulturën kineze. Ndaj, pse mos të jem unë ai që integron kultura të ndryshme?”, -tha Ding.

Ding Yiteng/ CGNT

Ding Yiteng/ CGNT

Mësimet e para Ding i mori në SHBA, ku e ëma po bënte kërkimet e saj mjekësore në Filadelfia. “Mezi e njihja alfabetin”, -kujton ai. “Mamaja ime mund të më kishte futur në një shkollë të gjuhës kineze, por ajo zgjodhi të më çonte në një shkollë të rregullt me fëmijë amerikanë, gjë që fillimisht më shkaktoi traumë nga pamundësia për të kuptuar njerëzit. Por, në fund, unë luajta futboll, dëgjoja hip-hop dhe luaja videolojëra me shokët e mi të klasës”.

Kur ai dhe nëna e tij u kthyen në Kinë, pas klasës së gjashtë, Ding tha se mospranimi nga fëmijët me kulturën e tij i shkaktoi një traumë të dytë. Vështirësitë formësuan aftësinë e Ding-ut për të komunikuar me të tjerët dhe vetmia nxiti dëshirën e tij për t'u shprehur. Në shkollën e mesme, ai performoi në pjesën “E bukura dhe bisha” dhe skena iu bë si shtëpi. “Papritmas gjeta vendin tim duke u shprehur në skenë, i përfshirë nga ngrohtësia e qendrës së vëmendjes”, -tha ai.

Para shfaqjes, Ding i solli mish qengj në hell ekipit të tij/ CGTN

Para shfaqjes, Ding i solli mish qengj në hell ekipit të tij/ CGTN

Në kolegj, Ding ishte i lidhur me teatrin dhe iu përkushtua performancës. Puna e tij e palodhur dha rezultat, pasi ai luajti role kryesore me studion teatrore “Meng Jinghui” dhe u bë i vetmi aktor aziatik në grupin teatror ndërkombëtar “The Bridge of Winds” në Danimarkë. Ai u nominua për “Artist i ri më i shquar i teatrit kinez” në vitet 2015 dhe 2016 dhe fitoi çmimin “Regjisori i ri i shquar kinez” në vitin 2018 me “ Injustice to Tou'O”.

I frymëzuar nga prindërit e tij, të cilët ai i quan frymëzimi i tij, ai nuk u ndal kurrë në fushën akademike, duke marrë një master të arteve në performancë nga Goldsmiths, Universiteti i Londrës, dhe një doktoraturë në regji nga Akademia Qendrore e Dramës në Pekin, në vitin 2021.

Dashuria e madhe për Operën Kineze u shtua edhe më shumë gjatë interpretimit si aktor i ftuar me trupën e teatrit “Odin Teatret” në Danimarkë, në vitin 2015. Një foto e interpretueses së Operës së Pekinit, Mei Lanfang, në murin e kompanisë teatrore daneze e mbushi atë me një ndjenjë krenarie. “E ndjeva këtë nevojë urgjente për kulturën kineze dhe madhështinë e saj”, -tha Ding. Më pas, Ding iu përkushtua studimit të dramave kineze dhe riinterpretimit të pjesëve tradicionale, si “ Injustice to Tou'O” dhe “Hall of Eternal Life”.

“Teatri është dashuria e jetës sime. E ndjej shumë të afërt, intim”, -tha Ding në një intervistë të vitit 2018 me studiuesen amerikane të teatrit Lissa Tyler Renaud, drejtoreshë e Festivalit të Teatrit Wuzhen. “Vetmia e të qenit fëmijë i vetëm, ndjenja e pasigurisë në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi, këto janë fenomene të zakonshme për të gjithë brezin tim”, -theksoi ai. Lindur në vitin 1991, brezi i Ding lidhet me teatrin bazuar në shijet dhe preferencat e tyre individuale, jo domosdoshmërish përmes temave të rënda si lufta apo politika. Megjithatë, sipas tij, teatri mund të ketë ndikim shoqëror dhe domethënës.

Një pozë nga shfaqja e teatrit të Ding-ut “The New Romance Of The West Chamber”/CGTN

Një pozë nga shfaqja teatrale e Ding-ut “The New Romance Of The West Chamber”/ CGTN

Në “The New Romance Of The West Chamber”, Ding dëshiron të reflektojë mbi temën e dashurisë duke rishkruar historinë për t'i dhënë secilit personazh një identitet modern. Personazhi kryesor femër, Ruoying, është një grua e pasur dhe e bukur nga një familje e madhe, dhe i dashuri i saj, Zhang Tong, është një djalë i ri nga një qytet i vogël që po përpiqet të çajë në qytetin e madh. Shfaqja e Ding shtron një pyetje për shikuesit: A mundet çifti të çlirohet nga kufizimet e shoqërisë? “Skenari është rishikuar më shumë se dhjetë herë”, -tha Ding. Emri i shërbëtores në versionin origjinal “Hong Niang” është bërë sinonim i mbresave të jetës reale, që mbushin boshllëkun midis “martesës me dashuri” dhe “martesës së fatit”, ku dallimi kryesor është zgjedhja individuale.

Një aktore kryesore në “The New Romance Of The West Chamber”/ CGTN

Një aktore kryesore në “The New Romance Of The West Chamber”/ CGTN

Kur një spektatore e re qau pasi ndoqi pjesën, Ding e dinte se lotët e saj nuk ishin vetëm për personazhet, por që betejat e tyre pasqyroheshin në vështirësitë në jetën e saj. “Pa marrë parasysh epokën, ka barriera për dashurinë. Nuk është e lehtë të dashurosh. Por, duhet të shpresojmë dhe ta përqafojmë atë me guxim”, -tha Ding. Në një shënim personal, ai përdor teatrin si një medium për të shprehur emocionet dhe përvojat e tij, të tilla si të kuptuarit e vdekjes së të atit, gjë që ndikoi në punën e tij në “The Injustice of Tuo'O”. “Ra dëborë e madhe kur ai vdiq. Në atë kohë, nuk e kuptoja shumë vdekjen. Por kur pashë qiellin, krejt papritur, kuptova lidhjen midis qiellit dhe njeriut, e cila ishte endur në historinë e Tuo'O”, -shkruan regjisori.

E konsideruar si komedia më e njohur e dashurisë në Kinë, “Romance of the West Chamber” portretizon një lidhje dashurie të fshehtë midis dy të rinjve nga klasa të ndryshme shoqërore. Përshtatja e Ding sjell lojën e dinastisë Yuan në epokën moderne me metoda të reja aktrimi dhe histori, si dhe duke integruar teknologjinë moderne. Drama moderne përdor dialogun, lëvizjet e trupit dhe dizajnin skenik për të krijuar një ndjenjë të vërtetë historie, ndërsa Opera tradicionale Kineze përdor këndim, kërcim dhe performanca instrumentale.

Një tjetër pozë nga shfaqja teatale e Ding-ut “The New Romance Of The West Chamber”/CGTN

Një tjetër pozë nga shfaqja teatale e Ding-ut “The New Romance Of The West Chamber”/CGTN

“Formati modern”, një metodë e re e aktrimit dhe shprehjes së teatrit e krijuar nga Ding, ndërthur elemente kulturore tradicionale kineze, si tregimet e famshme të lashta dhe Opera Kineze, dhe vënien në skenë me teknikat bashkëkohore të performancës për audiencën kineze dhe ndërkombëtare. Për shembull, në “The New Romance of West Chamber”, Ding përdor këndimin, një teknikë e adoptuar nga drama origjinale. “Si regjisor, më duhet të gjej frymëzim nga skenari tradicional, por të mbaj një perspektivë bashkëkohore, si dhe një stil estetik”, -tha Ding.

Në pjesën teatrale përdoren elemente moderne, si videot multimediale, muzika elektronike dhe arti modern i skenës. Protagonisti mashkull në historinë origjinale, Zhang Sheng, u interpretua nga një aktore. Ky transferim nga Kun Opera, një nga format më të vjetra të Operës Kineze, shfaqet gjithashtu në përshtatjen e Ding, ku të dy personazhet kryesore luhen nga gratë.