Çfarë mund të thoni për një gjyshe kineze, që filloi të shkruante në moshën 60-vjeçare dhe botoi librin e saj të parë kur ishte 80-vjeçare? Që pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke shkruar në kuzhinë dhe u bë një autore bestseller? Yang Benfen, tani 82 vjeçe, botoi librin e saj të tretë në shkurt, një një roman autobiografik mbi martesën. “Dikur kam qenë fermere dhe kam provuar punë të shumta, si kontabiliste dhe dispeçere. Por asnjëra nga këto nuk kishte lidhje me të shkruarin”, -tha ajo.

Yang zakonisht shkruan për çfarë ka dëshmuar ose përjetuar në jetën reale, veçanërisht për gratë e zakonshme kineze që luftojnë me fatet e tyre. Libri i saj i parë, “Qiuyuan”, ose “Kopshti i vjeshtës”, përkujton jetën e vështirë të nënës së saj të ndjerë. Ajo shkoi të jetonte në apartamentin e vogël të vajzës së saj të dytë Zhang Hong, në Nanjing , kryeqendra e provincës Jiangsu të Kinës lindore, nga qyteti Nanchang, në provincën Jiangxi, për t’u kujdesur për mbesën e saj.

Yang ishte gjithmonë e pushtuar nga trishtimi dhe e zhytur në kujtimet e nënës së saj të ndjerë. Vajza e saj e inkurajoi që t'i shkruante ato. “E kuptova se nëse ato histori nuk do të shkruheshin, të gjitha gjurmët e nënës sime herët a vonë do të fshiheshin plotësisht nga bota, si një shtresë pluhuri në një tavolinë që e merr era”, tha ajo.

Kështu nisi rrugëtimi i saj i të shkruarit, ndërsa kujdesej për punët e shtëpisë dhe për anëtarët e familjes. Shumë lexues e quajtën “gjyshja shkrimtare e kuzhinës”, pasi shumica e tregimeve të saj ishin shkruar në një kuzhinë prej katër metrash katrorë, e rrethuar nga një lavaman, një sobë dhe një frigorifer. Nuk kishte vend për tavolinë. Ndërsa priste që dreka të bëhej gati, Yang ulej në një stol, duke hedhur shpejt e shpejt në letër mendimet që i vinin në kokë, me në sfond zhurmën e aspiratorit të sobës.

Ajo e përfundoi dorëshkrimin e saj të parë me mbi 100.000 fjalë në vitin 2007. Ndër vite, ajo koleksionoi rreth katër kg faqe të shkruara. “Duket si një ribashkim me shumë njerëz të zhytur në kujtesën time”, -e përshkroi Yang procesin e saj të shkrimit.

Dy vjet më vonë, vajza e Yang, Zhang Hong, e postoi dorëshkrimin e të ëmës në internet, në disa pjesë si seri, ku vërshuan si kritikat ashtu edhe lavdërimet. Për kritikët, ishte historia e askujt që nuk ia vlente të humbje kohë, por komenti i një lexuesi e inkurajoi gjyshen shkrimtare të vijonte me ëndrrën e saj. “Lexuesi shkroi se dikur donte të shkruante një histori të diktuar nga babai i tij, por nuk arriti ta realizonte. Tregimet nga njerëz të zakonshëm e të thjeshtë janë më të rralla dhe më të çmuara”, -kujton Zhang.

Romani me seri në internet nuk tërhoqi vëmendjen e botuesve deri më shumë se një dekadë më vonë. “Ajo ka një fjalor shumë të thjeshtë, por përshkruan luftën e personazheve me fatin e tyre. U trondita kur mësova se kush qëndronte pas asaj pene”, -tha botuesi Tu Zhigang. Vepra e saj e parë “Qiuyuan” u botua në qershor 2020 dhe rezultoi një sukses i madh. Libri mori vlerësimin 8.9 nga 10 në “Douban”, një platformë kineze e rrjeteve sociale që vlerëson dhe rishikon libra dhe filma. Deri tani janë shitur më shumë se 90.000 kopje.

Ashtu si nëna e saj, Yang është një lexuese e zjarrtë. Librat e saj të preferuar përfshijnë “Familja”, “Pranvera” dhe “Vjeshta”, trilogjia e shkrimtarit të njohur kinez Ba Jin.

Për të, raftet e librave janë më të rëndësishëm se një gardërobë, ndaj kudo që ajo jeton duhet të ketë një raft të madh librash. “Nuk kam për ta harruar kurrë skenën e nënës sime të ndjerë 89-vjeçare, e sëmurë në shtrat duke lexuar një roman”, -tha Yang, e cila e shkroi kujtimin në librin e saj të dytë “Driftwood” në vitin 2021.

Yang nuk ka ndër mend të ndalet. Ndërkohë ajo po përgatit librin e saj të katërt. Gjyshja shkrimtare mësoi të përdorte një kompjuter tablet në të 80-at e saj. “Mund të shkruaj në çdo kohë, kudo, dhe është më e përshtatshme të modifikoj shkrimet e mia. Tani në pleqëri, jam si një tren në një udhëtim të ri. Një forcë e paparë më shtyn përpara. Historia nën stilolapsin tim është vetëm një pikë uji, por që në fund do të derdhet në lumin e gjatë të historisë njerëzore”, -tha Yang.