Nazif Agalliu ka lindur në Berat në vitin 1952 ndërsa banon në Tiranë prej vitesh. Ka mbaruar studimet për Gjuhë dhe Letërsi dhe që nga viti 1975 ka punuar në fushën e mësimdhënies në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Deri më tani krijimtaria e tij shënon shtatë librapoetikë dhe dy në prozë, të botuara ndër vite. Njeriu, koha dhe natyra janë trialiteti themelor për kultivimin e krijimtarisë së tij. Ai është poet i cili i ka shkruar mitologjisë, historisë dhe vendlindjes duke ndërthurur arkitekturën me natyrën dhe duke i shndërruar në art dhe letërsi. Në një intervistë për CMG Agalliu tregon për karrierën e tij të gjatë në mësimdhënie si dhe krijimtarinë e tij letrare ndër vite.

Libri me poezi i poetit Nazif Agalliu (Foto personale)

Libri me poezi i poetit Nazif Agalliu (Foto personale)

CMG: Z.Agalliu faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Nazif Agalliu: Faleminderit për ftesën në Radio Ejani e cila është nga radiot më të spikaturat me një autoritet dhe jehonë të admirueshme.

CMG: Ju keni një karrierë të gjatë në fushën e mësimdhënies, por tani pas mbylljes së kësaj karriere si ndjeheni?

Nazif Agalliu: Ndjehem si një enciklopedi që nuk është mbyllur, por ecën në mënyrën e vet sepse kur endem rrugëve të metropolit, qoftë dhe për punët e mia vetjake, ndalojnë djem dhe vajza që më takojnë. Kjo nuk është thjesht një kënaqësi, por është një vlerësim që i është bërë punës sime, së pari si mësues misionar në gjimnazet e Tiranës dhe së dyti edhe si poet në librat e mi që ata kanë lexuar dhe vlerësuar, ku disa dhe janë shprehur.

Nazif Agalliu dhe shkrimtari Ismail Kadare (Foto personale)

Nazif Agalliu dhe shkrimtari Ismail Kadare (Foto personale)

CMG: Çfarë kujtimesh ruani në vitet e karrierës suaj si mësues në gjimnazet e Tiranës, me nxënësit që sot janë bërë dikushi në jetë?

Nazif Agalliu: Kujtime që nuk kanë fund, kujtime të pashlyeshme, kujtime që kanë vlerat e kryeveprave botërore, gjer aty arrijnë përmasat e tyre. Konkretisht në Tiranë kur kam filluar te shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”, dhe në një vit të tretë jepja letërsi, ndërkohë drejtori i shkollës kalon dhe ndalet, ishte një qetësi absolute. Kur më takoi më tha se unë do të isha mësues definitiv në atë shkollë. Unë kisha shkuar për pak kohë dhe nuk e kisha marrë emërimin dhe i thashë se si mund të ndodhë kjo gjë. Ai më tha se kjo ndodh sepse klasa është nën pushtetin e fjalës dhe magjisë së mësimdhënësit. Ndodhi që ditën tjetër isha në një klasë mature dhe ndërkohë filloi duke rënë dëborë dhe nxënësit duke më parë në sy nëse unë do t’i lejoja të afroheshin te xhamat e dritares për të parë borën. Unë ju bëra shenjë që po, dhe u afrova vetë i pari. Ata u sulën dhe e shijuan atë moment pa dalë jashtë dhe pa e prishur mësimin, gjithnjë nën klimën e magjisë së rënies së dëborës dhe të vazhdimit të orës së mësimit. Kur u ulën, atëhere menjëherë gjeta kohë nga ora e mësimit që t’ju bëja një ese të shkurtër aty në klasë, rënia e dëborës.

CMG: Keni sjellë disa botime në poezi dhe prozë. Ishte letërsia që lindi shkëndijën tuaj të parë për të shkruar dhe për ta përdorur më bukur fjalën në poezinë tuaj?

Nazif Agalliu dhe shkrimtari Rexhep Qosja (Foto personale)

Nazif Agalliu dhe shkrimtari Rexhep Qosja (Foto personale)

Nazif Agalliu: Është magjia e fjalës, poezia rrjedh që nga këngët orale, nga lutjet, nga faljet në tempuj, nga tregimet e gjyshërve. Kam pasur fatin që im atë të kishte në shtëpinë e vjetër në fshat 50-60 libra, ku unë bëra klasën e parë dhe zbrita poshtë në Berat. Ndër to unë lexova dy-tre libra të Naimit, ëndërrimet e Naimit, dhe nga kjo u frymëzova. Fillova pastaj dhe u lidha me natyrën, ajo natyra aq e bukur dhe magjepsëse që nisej me një tempull lart në mal. Ne kemi një mal aty nga fshati i origjinës time dhe aty është një tempull. Unë kisha shkelur në tempull disa herë, pastaj zbrisja poshtë ku ishte një lumë me një urë që kishte legjendën e vet. Kjo mua më frymëzoi, ishin shtysat e para dhe zërat, tingujt fillova t’i kompozoj në mënyrën time. Ndonëse duke folur me vërtetësi dhe duke u shprehur shumë sinqerisht, fillova që në klasën e dytë, në gazetën “Pioneri”, dhe dërgova dy poezi ku kam dhe korespondencën me shtëpinë botuese të cilës ja dërgova poezitë dhe redaktori më ktheu përgjigje që u botuan.

Ndërkohë erdhi gazeta dhe unë pashë të botuara poezitë “Atdheu” dhe “Vendlindja”. Kjo ishte magjia e parë që më pushtoi për të kultivuar poezinë. Të bësh poezi do të thotë, jo vetëm të njohësh natyrën, por të njohësh thellë shpirtin e identitetit tënd, të njohësh shpirtin njerëzor, të kesh marrëdhënie të sinqerta me një korrelacion të vazhdueshëm me njerëzit, me zërat, me punën, lodhjen dhe përkushtimin. Nëse unë arrita që në letërsi dhashë 35 vjet, dhe kryesisht këtu në Tiranë mbi 28 vjet në gjimnaze, ku kam qenë dhe drejtues në gjimnazin “Besnik Sykja” dhe në një shkollë tjetër. Në atë që kam dhënë, nxënësit kanë dëgjuar dhe janë ndjerë shumë mirë kur kam parë që shumë prej tyre kanë nisur të bëjnë ese. Disa prej tyre kanë studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe, gjuhë të huaja apo diplomacy, duke u ngjitur nëpër institucione dhe ajo më e madhja është se disa prej tyre ndalojnë dhe më përshëndesin gjithë respekt.

Nazif Agalliu me nxenesit e shkolles (Foto persoanale)

Nazif Agalliu me nxenesit e shkolles (Foto persoanale)

CMG: Kur e keni botuar librin tuaj të parë me poezi dhe si janë pritur librat që ju keni botuar deri tani?

Nazif Agalliu: Botimet e para i kam bërë para vitit 1990, por që u përmblodhën në një libër. Libri i parë erdhi aty nga fundit i viteve 90-të. Ndonëse ishin disa arsye jo ekonomike, jo në mosdashjen por në padurimin tim për të botuar, disa rrethana edhe më pengonin. Kështu që në fund të vitit 1990 botova librin e parë në poezi, u mirëprit dhe më thirrën në RTSH dhe shtëpia botuese.

Librin e kam promovuar me miq dhe shokë, por në mënyrën më të thjeshtë dhe të hapur, dhe kam pritur që jo të flas unë dhe të prisja pozicionin që unë e solla librin për herë të parë, por unë jam në udhën e shkrimit dhe kam shpitin tim që shkruan. Pak më vonë botova librin tjetër “Zanoret”, pastaj librin “Parajsa përtej urës” dhe të gjithë librat e tjerë që kam botuar.

Të gjithë librat që kam botur janë mirëpritur dhe vlerësuar dhe gjithë poezia ime është e botuar. Botimet më të mira që mua më mbushin dhe ndjej vlerësimet që i bëhen poezisë, që herë herë nuk e quaj se jam unë autori, por sikur ajo ju përket të gjithëve dhe është fjala shqipe e kultivuar dhe e mëtuar gjer në rrënjët e vjetra të shqipes dhe kjo është një gjë që mua më ka plotësuar.

CMG: Duke qenë një poet me eksperiencë në fushën e poezisë dhe prozës, cili është mendimi juaj për poetët e rinj sot?

Nazif Agalliu me disa nga nxenesit e shkolles (Foto personale)

Nazif Agalliu me disa nga nxenesit e shkolles (Foto personale)

Nazif Agalliu: Unë mendoj se me poezinë sot abuzohet dhe poezia sot është një vargëzim, është dëshirë për t’u shprehur siç bëheshin urimet nëpër kartolina, ose fjalët që mbaheshin në ditar. Është një dukje dhe jo një seriozitet apo përkushtim, ku qoftë dhe një poezi e vetme të japë një mesazh. Poezia ka atë që edhe ti që e shkruan dhe e përcjell, e ke si një gjuhë të nëndheshme, dhe ai që e merr, merr aty lutjet që nuk shihen. Duke qenë poezi të tillë niveli dhe peshe artistike, ato mbahen mend gjatë, ato rrojnë dhe janë si malet.

Po ta krahasojmë poezinë me natyrën, poezia e bukur dhe e vërtetë, natyra që është bërë kaq e bukur me male, me lumenj dhe lugina, nuk është bërë as nga arkitektët apo inxinierët, por është vetëkrijuar. Pra edhe poezia e vërtetë vetkrijohet nga poeti i vërtetë.

CMG: Përveç poezive për natyrën ka dhe poezi që shkruhen për dashurinë. Është dhe kjo një ndjenjë e fortë që e mban poetin të lidhur me krijimtrarinë?

Nazif Agalliu ne interviste per CMG

Nazif Agalliu ne interviste per CMG

Nazif Agalliu: E gjithë letërsia dhe të gjitha veprat artistike nëse nuk do të kishin dashurinë, nuk do të lexoheshin, ose nuk do të rronin gjatë. Pra dashuria është e domosdoshme, por ç’lloj dashurie? Është dashuri si te “Ura e psherëtimave” në vepra artistike si te “Zonja Bavari” e Floberit, apo si te “Gjeniu” i Drajzerit apo dhe e shumë korifejve të letërsisë botërore. Kjo është dashuria, sepse dashuria si mision dhe proçes individual dhe kolektiv universal ka një ligjësi që nuk ngjan me një poezi erotike, të çastit apo rrethanës.

CMG: Çfarë krijimtarie do të sillni në vazhdim?

Nazif Agalliu: Unë pak muaj më parë kam botuar në numrat e “Poetekës” një cikël mbi Sarajevën me 16 poezi. Ai që drejton revistën më tha se kishte qenë 5-6 herë, por nuk e kishte përjetuar kështu Sarajevën. Njëkohësisht duke kaluar nga Prishtina në Mitrovicë botova poezinë “Ura mbi Ibër”, si dhe një poezi tjetër “U nisën, por më nuk u kthyen” për të gjithë ata mërgimtarë, kryesisht njerëz të Shqipërisë, atdheut tim, që në këtë moshë braktisën atdheun për të gjetur një jetë tjetër.

CMG: Faleminderit për këtë bisedë të këndshme dhe ju uroj shëndet dhe krijimtari të mbarë në vazhdim.

Nazif Agalliu: Ju falenderoj dhe unë për intervistën.

Intervistoi: Gazmend Agaj