Çdo fytyrë e re në ekran ka një histori për të rrëfyer. Romina Braho është 26 vjeç dhe ka udhëtuar në vitet e saj, duke shpresuar për një karrierë më të mirë.

Pasi përfundoi studimet në Gazetari, Romina vazhdoi me ëndrra, të cilat sot nuk i beson që i ka plotësuar.

Pasioni i saj nuk është vetëm moderimi, por në të shumtën e kohës e gjejmë duke u kujdesur për bimët. Lulet janë qetësia e saj, siç ajo rrëfen për Radio Ejani.

Romina numëron mbi 50 lule në ballkonin e saj, por premton që do të bëhen edhe më shumë se kaq. Ajo zgjohet herët në mëngjes në orën 05:30 dhe na tregon se për të emisioni i mëngjesit në Televizionin kombëtar ABC është rutina e saj e preferuar.

Romina Braho burimi instagram

Romina Braho burimi instagram

CMG: Romina të gjithë njerëzit kur rriten pak dhe kuptojnë për jetën fillojnë dhe pyesin: Cili është kuptimi i emrit tim?

Romina Braho: Po, këtë pyetje ja kam bërë edhe unë vetes dhe e kam marrë përgjigjen. Për ata që e kanë dëgjuar " Romina dhe Albano" kanë të drejtë. Kështu është huazuar nga tezja ime.

Ndihem me fat në fakt sepse në atë kohë prindërit gjithnjë kanë pasur dëshirë të vendosnin emrat e gjyshërve të vjetër, por falë mamit tim unë mbaj një emër modern sot.

CMG: A po ecën me hapin e moshës?

Romina Braho: Me hapin e moshës po, sepse nëse do kthehem disa vite pas unë as e kisha menduar ndonjëherë që do jem këtu ku jam sot. Këto janë ëndrra të futura në sirtar dhe të realizuara nga pak. Unë jam 26 vjec dhe për moshën në të cilën jam, mendoj që jam shumë hapa para.

CMG: Je njeri që të shqetëson alarmi i mëngjesit?

Romina Braho: Jo, aspak. Rutina ime në fakt është pak monotone. Bëj gati të njëjtat gjëra dhe vazhdoj prej shumë kohësh të zgjohem dhe të fle në të njëjtën orë. Bëj të njëjtën punë dhe kjo gjë nuk më mërzit, përkundrazi më jep një lloj motivi që nuk e gjej në një vend tjetër. Nuk e di si mund të ishte dita ime pa këtë angazhim. Pastaj darka dhe fundjava i përket shoqërisë dhe argëtimit.

Romina Braho burimi instagram

Romina Braho burimi instagram

CMG: Cili ka qenë momenti që ke kuptuar pasionin për median?

Romina Braho: Pasioni për median ka qenë i vonë, pra të vlerësoja faktin për median se sa e rëndësishme është ajo. Ndërsa më shumë e shihja televizionin si medium, si diçka që doja ta arrija dhe vetëm kaq, të isha në televizor.

Kur isha e vogël unë drejtoja çdo gjë të mundshme mes miqve në lagje dhe le të themi që gjithçka filloi aty. Kam pasur dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes.

CMG : A i ke pare ndonjëherë arritjet si të largëta në realizimin e tyre?

Romina Braho: Po. Çdo gjë ashtu e kam parë në fakt, por me kalimin e kohës çdo gjë mori rrjedhën e vet kaloi në normalitet.

U pa edhe nga të tjerët talenti im, ndaj unë e mora këtë rrugë.

Jam indoktrinuar madje nëna ime ende pa zgjedhur unë shkollën, kishte përhapur lajmin që unë do bëhesha gazetare dhe kështu ndodhi.

Shkolla sigurisht më ka zhgënjyer pak, por vijoj të jem e mendimit që njerëzit rriten nga eksperiencat në jetë.

Romina Braho burimi instagram

Romina Braho burimi instagram

CMG: Mësimet e një 26-vjeçareje?

Romina Braho: Sot që flasim mund të them që realisht kam nxjerrë mësime.

Jam në moshë të vogël për të dalë në konkluzione, por ditët e fundit unë kam pasur probleme me shëndetin fizik dhe në ato çaste i kam thënë vërtet vetes që asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Gjërat duhet t’i marrim më lehtë dhe të fokusohemi tek ato që janë më të rëndësishme. Do dal dhe do ta shijoj më shumë jetën, sepse vjen vetëm një herë!

CMG: Ku qëndron e bukura e jetës?

Romina Braho: Tek dashuria, patjetër. Dashuria për familjen që ke, për atë familje që do krijosh, tek puna, tek lulet, tek çdo gjë që të bën të ndihesh mirë

CMG: Ndalemi tek lulet. A jeni ju "e dashuruar" pas tyre?

Romina Braho: Lulet janë gjithçka. Unë mendoj që tani jam në fazën që jam e fiksuar pas tyre. Kujdesem shumë, jam vërtet e dashuruar pas tyre.

E kam marrë këtë pasion nga nëna ime dhe deri tani kam blerë 50 lule. Më vjen keq që jane kaq pak, por me kalimin e kohës do të shtohen patjetër.

I kam vënë vetes kusht që mos të kalojë asnjë muaj pa blerë lule, mos të them brenda një jave do blej lule.

Idealja do të ishte një kopësht i madh me lule, por me kalimin e kohës do ja arrij.

Unë edhe një bar apo bimë e egër që lind në një lule ,përpiqem që të kujdesem dhe të mos e zhduk atë. Lule të preferuar nuk kam, sepse kam frikë se i ngel hatri ndonjerës prej luleve të mia.

Romia Braho (burimi facebook)

Romia Braho (burimi facebook)

CMG: A është shoqëria si lulet?

Romina Braho: Po është kështu. Unë jam njeri që kam shumë miq që ju gjendem pranë dhe më gjendjen pranë. Nuk do ta perceptoj dot jetën pa miqtë e mi.

CMG: Cilat janë gjërat që të përmbushin?

Romina Braho: Kurrë se kam pyetur veten kaq drejtpërdrejtë, por eshte patjetër profesioni, familja, miqtë dhe lulet.

CMG: Fjala jote e preferuar, cila është?

Romina Braho: Të kam xhan! Këtë e them shpesh dhe kjo flet edhe për natyrën time.

Megi Latifi