Aktorja Enerieta Jani, që thërritet Eni dhe aktori e regjizori Genc Fuga, një nga çiftet e dashur për publikun së fundmi vijnë si partnerë dhe në skenë, me dramën "Dhimbje e lehtë”, premiera e së cilës u shfaq këto ditë në teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në Tiranë.

Eni Jani dhe Genci Fuga u shfaqën çift, ashtu siç janë edhe në realitet, për të sjellë gjithë dramën psikologjike të një çifti të mbyllur në egoizmin, ëndrrat, dëshirat dhe kujtimet mes tyre.

Protagonistët Eni Jani dhe Genci Fuga erdhën në skenë nën petkun e Eduardit e Florës, siç autori anglez Harold Pinter i ka shkruar e siç regjisori Valdrin Hasani i ka konceptuar për ta sjellë këtë vepër të përkthyer nga Rudi Erebara. Sipas regjisorit Hasani kjo tragjikomedi të zhyt dhe në mendime: si të mos e humbasim atë që kemi fituar ndër vite.

CMG : Eni kanë kaluar kaq shumë vite dhe ju mbeteni ende ikona e shumë realizimeve teatrore. Çfarë shihni të ndryshuar e të pandryshuar ndër vite tek vetja ?

Eni Jani : Dua apo nuk dua unë vitet do ta bëjmë ndryshimin. Sado të vogla janë ndryshimet, sërish janë. Kjo sa i përket pjesës së jashtme dhe pjesës së brendshme. Sigurisht që jeta ka vrapuar e ka sjellë pjekurinë e duhur për gjërat që unë ndërmarr.

Mënyra se si mendoj apo si dal në përfundime ka qenë njësoj për mua, sepse gjithmonë e kam vënë veten në vendin e tjetrit. Fatmirësisht kështu jam. Gotën e kam parë gjithmonë plot edhe kur kam qenë 20 vjeç edhe sot e kësaj dite. Dashuria për teatrin edhe nëse jam 90-vjeç do jetë po aq e madhe.

CMG : Nëse e kthejmë shumë pak kohën pas, tek ajo vajza e re me ëndrra edhe sfida përballë, a ndiheni e realizuar?

Eni Jani : Po, ndihem e realizuar, sepse gjërat që kam bërë në jetë nuk kanë qenë kurrë të pamenduara, përkundrazi unë kam bërë përherë atë gjë që më është dukur mua e përshtatshme.

Nuk ja le kurrë rastësisë dhe gjithnjë kam refuzuar shumë gjëra, sepse kanë qenë kundër asaj që dua të përcjell. Nuk kam bërë asgjë që të ishte kompromis.

CMG :A keni përjetuar ju vetë dhimbje të lehta dhe cilat janë fjalët e veprat apo sakrificat, që mund të keni bërë për të kaluar "Dhimbjen e lehtë" ?

Genc Fuga : Çdo çift në periudha të caktuara ka sfida. Meqë flasim në kontekstin e veprës mund të them që sfida më e madhe është mosha sepse mosha nuk është monopol i vetëm një gjinie. Sfidat kalohen vetem në çift dhe sukseset gjithashtu.

CMG :Shume njerëz ju shëmbëllejne me dashurinë, sepse në jetën tuaj por pa nguruar t’ja tregoni dhe publikut, ju e shfaqni dashurinë për Gencin. Në gjithë këto vite bashkë, çfarë e ka mbajtur kaq të fortë dashurinë tuaj?

Eni Jani : Është vetë natyra ime, apo qenia ime që e komunikon këtë ndjesi. Nuk mbahem për fjalë shumë të mëdha, por natyra ime e tregon nëpërmjet gjesteve apo momenteve të caktuara.

Unë këtë gjë kam në raport edhe me njerëzit e tjerë, por patjetër me Gencin është ndryshe. Të dhuroj dashuri është pjesë e natyrës sime.

Dua të jem e vërtetë, Eni deri në fund.

CMG :Në sytë e tu kemi parë edhe më bukur Enin, sikundër në sytë e Enit ju kemi parë më bukur juve. Cila është fitorja juaj më e madhe që kur jeni bashkë?

Genc Fuga: Nuk ështe ajo që thuhet shpesh, pra vetëm vajzat tona. Sfidat tona janë përpara dhe përgatitja që po bëjmë bashkë për këto sfida është gjëja më e bukur që po bëjmë në çift, mendoj unë.

CMG :Kujdesi që ke ndaj kujtimeve duhet të jetë i madh. Bëjmë një retrospektivë në fillimet në teatër e më pas ndalemi tek "Dhimbje e lehtë". Si ishe ky rikthim?

Eni Jani : Kujtimeve unë i kushtoj shumë rëndësi sepse janë gjithçka.

Kujtimet na bëjnë njeri më të mirë për veten, por dhe për të tjerët sepse jemi rritur me ndjesi të mira. Është shumë e rëndësishme të rritemi me kujtime të bukura. Unë edhe vajzat e mia ashtu po i edukoj, po i rris, sepse patjetër që do jenë më të vlefshme për shoqërinë në të ardhmen.

Sa i perket kujtimeve të mia, në aspektin profesional kanë qenë të shumta dhe mendoj që kam pasur edhe fat. Duke nisur me serialin "Njerëz dhe fate" aty mu bë një publicitet i menjëhershëm dhe në këtë aspekt jam me fat.

Më pas “Dhimbja e lehtë” erdhi me një rikthim të madh dhe shumë i lodhshëm, por ndodhi një mrekulli më pas. Jam e lumtur që mbas Jo-së, kam thënë Po.

CMG :Si është ndjesia, përkushtimi, dedikimi apo vemendja kur e di që përballë ke njeriun më të shtrenjtë ? A ka më shumë motiv, apo ka edhe sfida?

Eni Jani : Sfidat janë diçka më e lehtë kur punon me partnerin tënd, sepse e njeh në detaje dhe je shume më i lirshëm dhe i hapur, ndërkohë me një tjetër partner je më në kontroll.

Kjo më dha një dorë që të zbërtheja karakterin dhe të komportohesha. Ai është motiv për mua dhe është gjë e bukur t’i kemi kujtimet në skenë për t'ia lënë vajzave. Por kemi dhe sikletin sepse nuk mendoj vetëm pjesën time, por dhe pjesën e tij, gjë që nuk e vuan kaq shumë nëse nuk është partneri edhe në jetë.

CMG :Nëse jeta do ishte teatër, në cilën skenë do luaje përjetësisht?

Eni Jani : Nuk kam një preferencë të tillë, sepse çdo gjë që kam bërë unë e kam bërë me të njëjtin përkushtim. Nëse do më pyesnin për autorët, do qëndroja tek klasikët dhe mesazhet universale të tyre.

Pjesë të cilat i flasin kohës në përjetësi.

CMG :Pse sollët "Dhimbje e lehtë"? Çfarë i dikton shoqërisë kjo?

Eni Jani : “Dhimbje e lehtë” në një orë e tridhjetë minuta ju thotë çifteve se sa duhet ta mbrojnë marëdhënien. Aktorja gjen forma nga më të ndryshmet për të marrë vëmendjen dhe mashkulli mos ta shohë vetëm si pronë. Nuk është turp të dëshirosh të duash dhe ky është mesazhi nga “Dhimbje e lehtë”.

Kemi të drejtë të jetojmë siç duhet, por mos harrojmë që kjo vepër tregon edhe sfidën e moshës, e cila duket që për mashkullin është kompleks.


CMG :Genc, a e ndan dot emocionin që përjeton kur në skenë je bashkë me partneren? Domethënë shkoqur, a e sheh dot vetëm si aktore?

Genc Fuga : Sidomos në projektin e fundit, duke qenë se jemi bashkë gjatë, më shumë dominon Eni si personazh, si aktore. Ka raste kur më vijnë nenshtresat e mendimit fizikisht si partnere në jetë dhe hutohem.

CMG :Si u prit nga publiku?

Eni Jani : Unë jam shumë e lumtur, që është pritur kaq mirë nga ne të dy si partnerë. Jam e lumtur që njerëzit qëndruan aty dhe ky është nje tregim që shfaqja është në rrugën e duhur dhe në momentin e duhur.

CMG :A janë vajzat tuaja sot udhëtare të së njëjtës gjë? Pra, a duan ato të jenë po aq të bukura në skenë, sa nëna e tyre?

Eni Jani : Nuk do doja në fakt, sepse e di se çfarë do të thotë të bësh teatër. Vetëm nëse pasioni është më i madh se logjika, por nuk do të doja. Ato janë ende të vogla dhe nuk e kuptojnë, megjithatë tregues do të jetë koha.