Wladyslaw, një pianist i ri, i talentuar, po luan Shopen për një regjistrim radioje, pikërisht kur mbërrijnë lajmet për pushtimin nazist të Polonisë. I riu është dëshmitar i spirales së tmerrshme: e gjithë familja e dëbuar dhe më pas kushtet e getos: fëmijë që vdesin nga uria, njerëz të vrarë për asgjë dhe një pjesë e vogël hebrenjsh që tradhtojnë për të mbijetuar. Në fund, Wladyslaw është sërish një pianist, ashtu si në fillim. Por sigurisht që përvoja e shkatërroi atë. Asgjë, madje as Shopeni nuk do të jetë si më parë. Filmi, subjektin e të cilit treguam, titullohet “Pianisti”, është një realizim i viti 2002 me regji nga Roman Polanski, dhe është filmi që i dha aktorit Adrien Brody një çmim të merituar Oscar për aktorin më të mirë.

Filmi fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë, gjithashtu në vitin 2003 u vlerësua për regjinë më të mirë dhe skenarin joorigjinal. Filmi tregon një histori të vërtetë, një nga më prekëset, nga të shumtat e treguar në historinë e kinemasë ku ngjarjet vendosen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historia është ajo e kompozitorit dhe pianistit hebre polak Wladyslaw Szpilman, histori e rrëfyer në një roman autobiografik, tek i cili bazohet filmi. Le të shohim më poshtë historinë e vërtetë që fshihet pas "Pianistit" të Roman Polanskit.

Wladyslaw Szpilman lindi në Sosnowiecz, Poloni, më 5 dhjetor 1911 nga një familje hebreje muzikantësh: babai violinist dhe nëna pianiste. Pasionin dhe talentin për pianon e trashëgon nga e ëma, e cila ishte e para që i dha mësime muzike. Që në moshë të re, Szpilman vendosi t'i kushtonte jetën e tij muzikës dhe studioi fillimisht në Akademinë Chopin në Varshavë dhe më vonë në Akademinë e Arteve në Berlin. Pas kthimit në Varshavë nga Gjermania në vitin 1935, ai luan në piano për radion polake, kompozon vepra simfonike, koncerte për violinë dhe orkestër dhe madje kolona zanore për filma. Aktiviteti premtues i Wladyslaw Szpilman u ndërpre papritmas më 23 shtator 1939 dhe këto janë pikërisht ngjarjet e historisë së vërtetë pas "Pianistit" të Roman Polanskit.

Pas pushtimit nazist të Polonisë, forcat ajrore gjermane bombardojnë Varshavën dhe Szpilman mbyllet në geton e qytetit së bashku me familjen e tij dhe më shumë se 400 000 hebrenj. Szpilman dhe familja e tij jetuan në kushte varfërie ekstreme, të detyruar ndaj abuzimeve të vazhdueshme dhe dhunës të të gjitha llojeve. Fati i familjes Szpilman vuloset në mënyrë të pariparueshme kur vendoset deportimi në kampin e vdekjes në Treblinka. Ashtu siç tregohet në The Pianist të Roman Polanskit, ishte muzika që shpëtoi Szpilman, i cili nuk pushoi kurrë së luajturi edhe në momentet më të errëta dhe më tragjike.

Një polic i getos e njohu pasi e pa të performonte në një koncert dhe vendosi të mos e linte të hipte në trenin e destinuar për kampin e shfarosjes. Prindërit, vëllai dhe dy motrat e Wladyslaw nuk i mbijetuan dëbimit.

Szpilman nuk e pa më kurrë familjen e tij dhe gjeti punë si marangoz pasi u kthye në geto, ku qëndroi deri në vitin 1943. Pasi kishte arritur një gjendje të padurueshme jete, vendosi të arratisej nga geto. Për muaj të tërë ai fshihej nga miq dhe të njohur, disa prej të cilëve ju dihen emrat, ndërsa të tjerë kanë dashur të mbeteshin anonimë. Në momentin më kritik të luftës, kur jeta e tij ishte në rrezik, ai gjeti strehë në rrënojat e një shtëpie të ngrënë nga flakët e zjarrit, ku u gjend duke luftuar me urinë dhe sëmundjet. Këtu kujdesej për të një polic i Wehrmacht-it, Wilm Hosenfeld, i cili i sillte rregullisht ushqim, madje I dha edhe një pallto për të përballuar të ftohtin. Një pallto që mbante stemën naziste dhe që i shpëtoi jetën.

Kështu WladysłaW Szpilman mbeti i fshehur deri në fund të luftës.

Poshtërimet dhe privimet që i solli statusi i tij si hebre, e shtynë atë që menjëherë pas luftës të shkruajë librin autobiografik “Vdekja e një qyteti” ("Śmierć miasta"). Libri fitoi menjëherë një popullaritet të jashtëzakonshëm. Në këtë kohë kthehet të punonte për radion polake. Kuroi një program të muzikës pop deri në vitin 1963, kur vendosi të tërhiqej nga skena dhe të jetonte në paqe deri në fund, kur u nda nga jeta në korrik të vitit 2000. Megjithatë, familjes së tij iu desh të mbronte emrin e tij kur, në vitin 2010, u sollën disa deklarata të këngëtares hebreje dhe polake Ëiera Gran, e cila e akuzoi atë për bashkëpunim me nazistët. Kështu filloi një proces gjyqësor për shpifje, të cilin trashëgimtarët e Szpilman arritën ta fitonin, duke pastruar emrin e tij nga çdo akuzë. Pianisti mbetet ende një nga filmat më të famshëm mbi pushtimin gjerman në Poloni, një histori mbijetese dhe lidhjeje me jetën kundër tmerreve të shfarosjes naziste.

Është pikërisht kjo autobiografi në letër që e frymëzoi regjisorin Roman Polański për filmin e tij të vitit 2002 me titull “Pianisti”, me një qasje të qartë, duke lënë jashtë shumë pak detaje se çfarë ishte pushtimi nazist me barbarizmin e tij të jashtëzakonshëm dhe duke treguar përdisthëmrinë e Wladysław Szpilman, e cila gradualisht përkeqësohet, në një vorbull theksimi empatik të protagonistit, që interpretohet nga Adrien Brody.

Ajo që perceptohet kryesisht dhe del si nga filmi ashtu edhe nga faqet letrare, është pikërisht kokëfortësia e pafundme e pianistit, i cili mbijeton edhe falë pasionit të pamasë për muzikën. Pa asnjë iluzion dhe me vërtetësi ekstreme, Polański arrin në gjithë këtë tmerr të rrëfejë poezinë e imagjinatës njerëzore në kërkimin e një fije shprese.

Neritana Kraja