Kina përuroi së fundmi në Pekin të parin Kopsht Kombëtar Botanik të saj. Logoja e këtij kopshti botanik është tërheqëse dhe ka ngjallur mjaft vëmendje.

Logoja, që është dizenjuar nga Han Meilin (i shpallur "Artist i Paqes" për vitin 2015 nga UNESCO-ja dhe i famshëm edhe për krijimin e kukullave “Fuwa”, maskotët zyrtarë të Lojërave Olimpike të Pekinit 2008), përmban gjethet e dy bimëve të rralla: ginkgos dhe metasekuosë. Përmes një rrethi të ndarë me vijë spirale, logoja thekson rëndësinë e ekuilibrit dhe harmonisë së natyrës dhe ndërtimit të qytetërimit ekologjik. Ndërsa vija e lakuar jashtë rrethit simbolizon "C"-në, shkronjën e parë të fjalës së anglishtes për Kinën, "China".

Ceremonia e përurimit të Kopshtit Botanik Kombëtar të Kinës në Pekin, 18 prill 2022/ CFP

Ceremonia e përurimit të Kopshtit Botanik Kombëtar të Kinës në Pekin, 18 prill 2022/ CFP

Ginkgoja dhe metasekuoja janë bimë të mbrojtura në nivelin më të lartë në "Listën e bimëve kryesore të mbrojtura në Kinë". Ato janë bimë relikte nga periudha e tretë dhe e katërt e epokës së akullnajave, të njohura gjithashtu si llojet më të vjetra të pemëve ekzistuese në botë dhe “fosile të gjalla” të botës bimore. Kopshti Botanik Kombëtar i Kinës ka rezervuar një vend të posaçëm për ruajtjen e ginkgosë në pjesën e vet veriore, ku shihen shumë dru të lashtë ginkgoje, disa prej të cilëve më shumë se 1000-vjeçarë.

Ginkgoja është një ndër llojet më të vjetra të drurëve ekzistues në botë./ CFP

Ginkgoja është një ndër llojet më të vjetra të drurëve ekzistues në botë./ CFP

Pemët e metasekuojës u zbuluan për herë të parë nga botanistët kinezë në provincën Hubei në vitin 1940, ndërsa në fillim të viteve '70 ato u transplatuan në Pekin. Kopshti Botanik Kombëtar i Pekinit ka pyllin më të madh të mbrojtjes së këtij druri në Kinën veriore

Pylli i metasekuojës në Kopshtin Botanik Kombëtar të Kinës./ CFP

Pylli i metasekuojës në Kopshtin Botanik Kombëtar të Kinës./ CFP

Me një sipërfaqe të përgjithshme prej 600 hektarësh, Kopshti Botanik Kombëtar i Kinës synon forcimin e mbrojtjes së specieve bimore në rrezik zhdukjeje.

Në përgjithësi, krahas rolit mbrojtës, kopshtet botanike ofrojnë edhe ndihmesën e tyre në kërkimet e rëndësishme shkencore mbi përdorimin e burimeve dhe zhvillimin e vazhdueshëm.

Për shembull, në Kopshtin Botanik të Wuhan-it të Akademisë Kineze të Shkencave, që nga viti 1980 ka nisur studimi dhe mbledhja e burimeve të kivit. Deri tani, nga gjithsej 58 lloje burimesh (variante dhe nënvariante) të kivit, mbi 80 lari dhe më shumë se 10 mijë pasardhës hibridë janë konservuar me sukses. Në bazë të përpjekjeve shumëvjeçare të mbrojtjes, u krijua banka më e madhe gjenetike në botë për kivin, e cila luan rol drejtues në studimin shkencor dhe industrializimin e kivit brenda e jashtë vendit.

Pema kinze e pëllumbit në Kopshtin Kombëtar Botanik të Kinës/ VCG

Pema kinze e pëllumbit në Kopshtin Kombëtar Botanik të Kinës/ VCG

Ndërkohë, fokusi i kërkimit shkencor brenda kopshteve botanike ka filluar të zhvendoset edhe në çështje më të mëdha, si për shembull ndryshimi klimatik. Kopshti Botanik i Kinës Jugore pranë Akademisë Kineze të Shkencave ka studiuar kohët e fundit depozitimin e karbonit në tokë në pyjet e Kinës, nëpërmjet gjurmimit në largësi. Yan Junhua, studiues në këtë kopsht botanik, tha se zbulimi i ligjeve të shpërndarjes në hapësirë dhe ndryshimit të ruajtjes së karbonit në pyll do të ndihmojë në menaxhimin e ruajtjes së karbonit dhe realizimin e objektivit të “arritjes së kulmit të shkarkimit të karbonit dhe asnjanësimit të tij”.

Deri tani në Kinë janë ndërtuar rreth 200 kopshte botanike, të cilat ruajnë më shumë se 23 mijë lloje bimësh. Ndërsa Kopshti Botanik Kombëtar i Kinës, i krijuar në bazë të burimeve ekzistuese dhe të talenteve nga Instituti i Botanikës pranë Akademisë Kineze të Shkencave dhe Kopshti Botanik i Pekinit, është në nivelin më të lartë të kërkimit shkencor. Sipas ekspertëve, ky kopsht pritet të mbledhë rreth 15 mijë lloje bimësh dhe afro 2.8 milionë ekzemplarë bimorë, për të garantuar një mbrojtje më të mirë të bimëve jashtë habitateve të tyre origjinale. Në këtë drejtim, Kopshti Botanik Kombëtar i Kinës do të krijojë edhe marrëdhënie bashkëpunimi me homologë dhe institucione botanike të huaja. (Wang Lei/ Edmond Laçi)