Të kthesh një shfaqje teatrale në film, nuk është lehtë. Është dashur shumë punë për t’ja arritur qëllimit. Bëhet fjalë për veprën “Dashuri dhe turbulenca” e cila është vënë shumë herë në skenë. Kjo komedi e shfaqur në teatër nën titullin “Boig boing” pas atij suksesi, të realizuar me të njëjtin kast artistësh vjen këtë herë në film me metrazh të gjatë, nën titullin “Dashuri dhe turbulenca”, e cila mund të shihet në ekranin e kinemasë shqiptare. Si komedi teatrale “Boeing Boeing” ka shënuar për herë të parë në këto 30 vjet një rekord spektakolar, pasi janë dhënë mbi 170 shfaqje kudo nëpër Shqipëri.

Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime, “Tony Award në vitin 2008 dhe “Broadway Revival Edicion”, në të njëjtin vit. Ndërsa në prill të viti kjo shfaqje u realizua në film me metrazh të gjatë, me regji nga Dionis Papadhimitri. Regjisori ka theksuar për televizionin Klan se, pati një telefonatë nga aktori Gent Zenelaj i cili i propozoi për të realizuar shfaqjen, “Boing Boing” në një film me metrazh të gjatë. Ai u shpreh se:

“Të kthesh një shfaqje në film është shumë e vështirë sepse ajo vepër është ndërtuar për në teatër, ta përshtatësh në film do një dimension tjetër përshtatjeje. Nëse për një film duhet një kohë përgatitore një vjeçare, këtë herë ky film është realizuar në kohë rekord, për një muaj e gjysmë. Fillimisht u bë një përshtatje ku ndryshuam linjën teatrale dhe e kthyem në një skenar, ku së bashku me Gentin e përshtatëm në dramaturgji filmi. Por frika ime ishte se ekzistonte rreth 70-80 përqind e filmit interier. Kjo është sfida e çdo regjisori se si mund të përshtasë një film të tërë në interier. Kjo është frika më e madhe, vështirësia në përshtatje. Me Gentin kam bashkëpunuar në një film tjetër i cili ka pasur sukses. Aktorët ishin shumë komod në punën që bënë me njëri tjetrin, ishin perfekt. Ky ishte zhanër i vështirë filmi, jashtë stilit tim”

Kjo ishte një nismë e menduar nga katërshja e aktorëve Gentian Zenelaj, Amos Muji Zaharia, Alesia Xhemalaj dhe Rudina Dembacaj kjo e fundit vendosi që të ishte bashkë producente me regjisorin Papadhimitri. Në një intervistë për televizionin Klan Rudina është shprehur se:

“Mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur. Nuk mund ta përshkruaj emocionin që ndjeja në sale, ndërsa publiku qeshte me këtë komedi. Roli i Fridës, ishte një rol që unë e dashurova që në momentin e parë, por sigurisht që roli i personazhit është shumë larg meje. Vendosa që të isha producente bashkë me regjisorin Papadhimitri. Doja patjetër ta realizoja këtë film dhe tani jam e qetë pasi kam bërë zgjedhjen e duhur”.

Ndër të tjera ajo vuri në dukje se me stafin kishte një kimi të mrekullueshme, duke kaluar orë të tëra së bashku në xhirime. Sipas aktores Dembacaj, filmi “Dashuri dhe turbulencë” i ka kaluar pritshmëritë.

Ndërsa aktori dhe skenaristi Gentjan Zenelaj i cili me batutat e tij e ka përshtatur mjaft mirë, duke e sjellë më në kohë këtë material dhe përshtatur në mentalitetin shqiptar, që mesa duket funksionoi. Për mediat Zenelaj ka zbuluar se:

“Janë hedhur poshtë disa variante dhe janë bërë shumë përpunime, pra ka pasur shumë punë për ta sjellë në kohë këtë film. Personazhi im Danieli, është shqiptari që ka ardhur nga emigrimi dhe do të shijojë jetën. Ka pasur skena në shi dhe aty ka qenë vështirësia sepse janë xhiruar në muajt janar-shkurt, atëherë kur ka qenë shumë ftohtë. Kemi qeshur shumë përgjatë xhirimeve, sidomos kur Alesia lagej pafund mes zjarrfikësve. Ishte një grup i mirë xhirimi dhe mendoj se ka dalë diçka e bukur, është një film i mirë”

Fabula e filmit artistik “Dashuri dhe Turbulenca”, ka në qendër Edin, një biznesmen mjaft i suksesshëm dhe aventurat e tij në dashuri. Filmi komedi me metrazh të gjatë, i cili ka batuta pa fund në 90 minuta, po shfaqet në kinematë e vendit.

Nën interpretimin e aktorëve, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Amos Muji Zaharia, Alesia Xhemalaj, Sara Kolami, Olimpia Smajlaj, Behar Mera, me regji nga Dionis Papadhimitri, një prodhim i vitit 2022 nga “Distributori Papadhimitri Film Production”, komedia “Dashuri dhe turbulence” pas këtij suksesi, pritet që të ketë vazhdimësi.

Sava Lena