Bujar Bardhi është menaxher i Restorant Agroturizëm Bardhi në Krujë. Që në vitin 1994 familja e tij ka hapur këtë biznes në qytetin historik të Krujës, duke pritur dhe përcjellë vizitorë të shumtë nga të gjitha vendet e botës. Të gjitha prodhimet që shërbehen në restorant agroturizëm Bardhi vijnë nga ferma e tij dhe janë bio. Në një intervistë për CMG Bardhi tregon për hapjen e këtij biznesi si dhe ruajtjen e cilësisë së ushqimeve që shërbehen në restorant.

CMG: Ju drejtoni një biznes të suksesshëm të agroturizmit në qytetin e Krujës. Kur e keni hapur dhe sa e vështirë ka qenë për të arritur deri këtu?

Bujar Bardhi: Faktikisht këtë rrugëtim e kanë nisur prindërit e mi në vitin 1994, ku në fillim është hapur një bar i vogël dhe pas një viti është hapur dhe restoranti. Unë jam gjendur aty pasi isha shumë i vogël dhe pastaj vazhdova më atë lloj pune. Unë kam mbaruar shkollën e mesme në degën hoteleri-turizëm dhe shkollën e lartë për ekonomi-turizëm. Më pas i hyra me gjithë forcën time asaj pune dhe është shumë më lart sot sesa ka qenë vite më parë.

CMG: Ju keni studiuar në fushën e turizmit. Këtë degë e zgjodhët ngaqë donit të investonit në fushën e turizmit në Krujë, apo e kishit si fushë të preferuar?

Bujar Bardhi: Unë që në moshë të vogël isha i lidhur me punën që bëja në restorant, por dhe me turistët që vinin për të vizituar Krujën. E kisha qejf këtë punë, prandaj vazhdova dhe shkollën për hoteleri-turizëm.

CMG: Restoranti juaj në Krujë është i vetmi restorant agroturizëm. Sa vizitorë shqiptarë dhe të huaj vijnë aty?

Bujar Bardhi: Është e vërtetë që si agroturizëm është i vetmi në Krujë dhe turistë ka nga e gjithë bota. Deri në vitin 2019 ka pasur pafund turistë dhe vizitorë sepse siç dihet qyteti i Krujës është i pari në vend përsa i përket vizitorëve dhe vizitohet pa përjashtim nga turistë nga e gjithë bota.

CMG: Ushqimet në restorantin tuaj janë të gjitha bio?

Burjar Bardhi: Ushqimet janë 100 për qind bio dhe të gjitha nga ferma ime. Të gjitha prodhimet që shkojnë në restorant janë nga ferma. Çdo gjë është e freskët nga ferma, duke filluar nga perimet, bulmeti, pijet e kantinës, vera dhe rakia dhe çdo gjë tjetër shkojnë nga ferma në restorant.

CMG: Çfarë preferojnë më shumë vizitorët, si vendas dhe ata të huaj në restorantin tuaj të agroturizmit?

Bujar Bardhi: Te pjesa e ushqimeve preferojnë padiskutim pjatat e para që janë djathrat, perimet, byrekët që ne bëjmë. Pra turistët janë më shumë të fiksuar te pjatat e para që ne shërbejmë.

CMG: Ky biznes ka mbetur familjar apo e keni zgjeruar?

Bujar Bardhi: Biznesi ka mbetur familjar dhe faktikisht nuk kam dashur që ta zgjeroj vetë sepse gjithmonë nëse do ta zgjerosh shumë fillon dhe humbet cilësinë. Prandaj kam mbajtur atë nivel dhe staf pune që mos të humbas cilësinë.

CMG: Si ka ndikuar ky dy vjeçar i pandemisë në fushën e agroturizmit dhe biznesit tuaj?

Bujar Bardhi: Patjetër që ka pasur vështirësi ku fillimi ka qenë realisht i frikshëm sepse në ato 3-4 muj që u mbyllën nuk kishte ndodhur ndonjëherë në restorantin tonë. Restoranti ka 28 vite që është hapur dhe që nga ajo kohë nuk është mbyllur qoftë dhe një ditë të vetme. Në momentin që na thanë se duhet ta mbyllnim restorantin, më është dukur gjëja më e pabesueshme. Edhe pas 4 muajsh që e hapëm restorantin, përsëri ishte shumë e vështirë derisa u dëshën shumë muaj që u rikthyem deri diku aty ku ishim. Prapë nuk jemi aty ku ishim, por që jemi mirë.


CMG: Si mund ta gjejnë vizitorët që vijnë për herë të parë në Krujë restorantin tuaj të agroturizmit?

Bujar Bardhi: Restorant agroturizëm Bardhi është brenda në Kalanë e Krujës, 20 metra larg Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pra është shumë e lehtë për ta gjetur nga çdo visitor që viziton qytetin dhe muzetë e Krujës. Tani çdo gjë është kthyer digjitale dhe po të futesh në Google e gjen shumë lehtë sepse është restoranti i parë dhe nga më të vjetërit që është hapur në qytetin e Krujës.

CMG: Vizitorët e shumtë që vijnë në Krujë qëndrojnë një ditë, por ka nga ata që duan të qëndrojnë më shumë ditë. Ju përveç ushqimit ofroni edhe argëtim për turistët?

Bujar Bardhi: Patjetër që ofrojmë dhe argëtim. Për turistët ne organizojmë dhe mbrëmje të ndryshme me muzikë ku ftojmë dhe grupin e pleqve të Krujës, valltarë të ansamblit të Krujës që vijnë dhe performojnë për turistët. Ndërkohë që për vizitorët nga Shqipëria, gjatë mbrëmjeve në verë i argëtojmë me muzikë ku krijohet një atmosferë e këndshme. Kruja ka shumë tradita përsa i përket edhe muzikës së pleqve të Krujës që janë shumë të vjetër në vite si muzikantë, por dhe kostumet popullore që janë të shpalosura te pazari i vjetër i Krujës.

CMG: Nga cilat vende vijnë më shumë turistë në agroturizmin tuaj?

Bujar Bardhi: Turistët variojnë sipas viteve, por Kina ka pasur shumë turistë. Kemi pasur gjithashtu vizitorë nga Singapori, Italia dhe vende të tjera. Ka pasur vite që kanë ardhur shumë turistë nga vendet nordike, pra ndikon sipas viteve dhe ardhja e turistëve.

CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e turistëve kinezë për agroturizmin tuaj?

Bujar Bardhi: Kinezët kënaqen shumë sidomos me ushqimin dhe ikin që të gjithë me përshtypje shumë të mira. Kjo është kënaqësia më e madhe që kur vijnë në restorant, dëshiroj që kur të ikin të thonë faleminderit dhe të ikin të buzëqeshur dhe të lumtur. Kinezët janë kënaqur shumë me ushqimin dhe kam vënë re se kanë shumë qejf mishin e qengjit.

CMG: Ju falenderoj për intervistën dhe ju uroj suksese e punë të mbarë.

Bujar Bardhi: Kënaqësi për intervistën, faleminderit dhe gjithë të mirat.

Intervistoi: Gazmend Agaj