Këngëtarja Teuta Kurti u bë e njohur për publikun shqiptar në spektaklin e talenteve të reja “Ethet e së premtes” në vitin 2004 dhe po në të njëjtin vit ajo mori pjesë në Festival ku pati mjaft sukses. Ajo ka kryer studimet për kanto në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Teuta ka marrë pjesë në shumë festivale si, “Top Fest”, “Kënga Magjike”, “Festivali i Rtsh-së”, etj. Pas krijimit të familjes, Teuta i kushtoi kohë cilësore fëmijëve të saj, duke u shfaqur disi më rrallë në publik, ndërsa punonte si mësuse e muzikës. Për CMG Teuta Kurti na ka rrëfyer për nostalgjinë e fillimeve të karrierës së saj artistike, profesionin si mësuese e muzikës, punën me nxënësen Argjenda Aliu, e cila po ecën suksesshëm në “The Voice Of Finland”, përkushtimin në familje, si dhe planet për të ardhmen.

Argjenda Aliu & Teuta Kurti (Foto google)

Argjenda Aliu & Teuta Kurti (Foto google)

CMG: U bënë plot 18 vite që nga prezantimi yt i parë në spektaklin "Ethet e së premtes". Si e sheh me syrin e kritikës prezantimin tënd të parë përpara një publiku të madh?

Teuta Kurti: Është e pamundur ta mendoj që kanë kaluar plot 18 vite nga prezantimi im i parë në “Ethet e së premtes”. Ajo do mbetet dashuria ime e parë, kur unë u dashurova në skenë dhe që më bëri të vazhdoj me këngën. Sa i përket syrit kritik sot, mendoj se paraqitja ime e parë ka qenë shumë origjinale dhe nuk do ta kisha ndërruar me asgjë. Kam qenë dhe mbetem po ajo Teuta si kam dalë në fillim dhe po njëlloj do kisha dalë edhe sot.

Teuta Kurti (Foto nga facebook)

Teuta Kurti (Foto nga facebook)

CMG: E ndërsa kthehemi në retrospektivë, si e kujton ti prezantimin tënd të parë në Festivalin e Rtsh-së me këngën "Flakareshë" dhe a do doje ta riktheje në një version solo sot?

Teuta Kurti: I kujtoj shumë mirë “Ethet”, por edhe prezantimin e parë në Festivalin e Rtsh-së me këngën “Flakareshë”, e cila ka qenë një këngë e realizuar shumë mirë muzikalish, vokalisht, me tekt shumë modern që edhe sot e kësaj ditë pritet ai stil në Festivalin Europian të këngës. Nuk do ta kisha kënduar asnjëherë vetë sepse ajo këngë është bërë për ne të treja, vokalet tona, Vesa Luma, Rona Nishliu dhe unë, por dëshira, dashuria për të qenë të treja bashkë në atë trio, më ndalon për ta risjellë atë këngë vetëm sepse ne të treja e bëmë atë këngë “hit”.

Teuta Kurti (Foto nga facebook)

Teuta Kurti (Foto nga facebook)

CMG: Po në krahasim me kompeticionet që bëhen sot në vend apo jashtë, si e sheh nivelin e talenteve aty?

Teuta Kurti: Paraqitja ime skenike ka kohë që është në pritje e sipër për t’u rikthyer, por kjo gjë më ka bërë që unë nga distanca të shoh, të dëgjoj muzikantë, të cilët fatmirësisht i kemi shumë të mirë. Ajo që më shqetëson më tepër është muzika komerciale, e theksoj këtë sepse kjo muzikë nuk i lejon një artisti të ri të shprehë vokalin e tij, për të treguar zërin, artin e mirëfilltë, të shprehi një tekst të bukur, një mesazh. Kjo është arsyeja përse ajo të penalizon si artist dhe nuk të jep shumë hapësirë për t’u shprehur. Kjo është një nga arsyet përse kjo gjë mua më pengon, prandaj u them artistëve të rinj që të mos merren shumë me komercialitetin, të paktën jo në fillim të karrierës sepse duhet të shihet paraqitja sa më dinjitoze në skena të ndryshme të festivaleve, etj.

Teuta Kurti (Foto nga facebook )

Teuta Kurti (Foto nga facebook )

CMG:Si mësuese muzike prej shumë vitesh, momentalisht je angazhuar edhe me mësimdhënien e një vajze shqiptare të talentuar, e cila po ecën suksesshëm në spektaklin "The Voice Of Finland". Si nisi njohja dhe puna me Argjenda Aliun? Të kërkoi ajo apo e spikate ti si talent?

Teuta Kurti: Takimi me Argjendën nuk mund të them se ka qenë rastësor, por ishin prindërit e saj të cilët më morën në telefon rreth një viti më parë. Fatmirësisht ata e kanë parë punën që bëj prej vitesh me talente të reja si mësuese e Kantos dhe lëndës Solfezh. Kur më morën në telefon më kërkuan që të dëgjoja vajzën e tyre dhe nuk hezitova. Që në momentin e parë që ë dëgjova Argjendën, u thashë prindërve të saj, por edhe vetë Argjendës se, çdo lloj kënge që do të zgjedhë Argjenda do t’i bëjë të kthehen të katërt anëtarët e jurisë. Dhe kjo gjë ndodhi vërtetë kur Argjenda pati një paraqitje skenike shumë të bukur e pa asnjë gabim. Edhe pse ishte fillestare dhe kishte emocione ajo e përballoi shumë mirë konkurimin në “The Voice Of Finland”. Duke menduar se përpara transmetimit ka kaluar shumë prova të tjera përzgjedhëse, nuk hezitova të punoja me të, si dhe të përzgjidhja këngët.

Teuta Kurti (Foto nga facebook)

Teuta Kurti (Foto nga facebook)

CMG: Si arrite të bashkëpunoje në distancë?

Teuta Kurti: Nuk ka qenë e lehtë, por puna dhe vullneti i anashkalon të gjitha pengesat. Kjo gjë ka ndodhur me mua dhe Argjendën. Ajo ka ardhur gjatë gjithë kohës, ka qëndruar gjatë pushimeve në Kosovë për t’u përgatitur, gjatë kohës që nuk ka qenë afër meje. Ne i kemi realizuar mësimet “online” në mënyrë intensive, gjë e cila nuk ishte e lehtë, por e morëm punën shumë seriozisht. Argjenda Aliu është një vajzë me të cilën mund të punosh shumë lehtë dhe kur nxënësi është komunikues, të dëgjon, të jep hapësirë për të depërtuar patjetër që suksesi është përherë aty.

Teuta Kurti me bashkëshortin Dardan dhe fëmijët (Foto nga facebook)

Teuta Kurti me bashkëshortin Dardan dhe fëmijët (Foto nga facebook)

CMG: E kujt është merita e arritjes së saj deri në këtë pikë?

Teuta Kurti: Si mësuese e muzikës mendoj se është nxënësi, studenti është puna e përbashkët. Nëse nxënësi e do mësuesin, e dëgjon, ka besim tek mësuesi, atëherë dhe unë patjetër që jap maksimumin tim aty. Duke më dhënë hapësirë që të shpreh talentin tim tek nxënësi dhe nxënësi duke marrë pak nga vetja, pak nga mësuesi apo nga dikush tjetër, atëherë nuk diskutohet që suksesi do jetë patjetër aty. Në rastin e Argjendës mendoj se pikët maksimale dhe mundi është i gjithi i saji, por dua ta falenderoj që ma ka besuar mua punën. Ndoshta nuk shpreh, por brenda vetes e mendoj se suksesi i saj është edhe suksesi im.

Teuta Kurti me fëmijët (Foto nga facebook)

Teuta Kurti me fëmijët (Foto nga facebook)

CMG: Çfarë vlerëson ti tek ajo vajzë dhe çfarë e veçon atë nga konkurentët e tjerë?

Teuta Kurti: Ajo çfarë vlerësoj tek Argjenda është mosha. Ajo është e re, vetëm 16 vjeç dhe pretendon, aq më tepër që arti dhe industria e muzikën kërkon zëra të rinj, zëra të veçantë, si Argjenda. Ajo ka një karakteristikë, një ngjyrim zëri si të ngjirur, e cila mungon tek artistët e rinj. Më pëlqen që vazhdon të jetë vetvetja, madje ka pasur edhe raste kur Argjenda nuk më ka dëgjuar, por unë e kam uruar për atë dëshirë që ka pasur sepse ka raste edhe kur mësuesi gabon. Kjo e ka bërë atë edhe më karakteristike në natyrën e saj sepse ajo nuk imiton, do të jetë vetvetja. Kjo është një nga arsyet përse unë e dua shumë atë dhe mendoj se ajo vazhdon dhe do të ketë edhe më tej suksese të tjera në fushën e muzikës.

Teuta Kurti në Koncertin e Inagurimit të Operas së Kosovës (Foto nga facebook)

Teuta Kurti në Koncertin e Inagurimit të Operas së Kosovës (Foto nga facebook)

CMG: I zgjidhni bashkë materialet e këngëve?

Teuta Kurti: Sigurisht që po. Jo vetëm me Argjendën, por me çdo student unë bashkëpunoj, nuk i jap thjesht një këngë të cilën duhet ta interpretoj atë patjetër pa preferencën e vet. Si fillim unë duhet ta njoh mirë vokalin e nxënësit dhe më pas mund t’i jap minimum 3 këngë që i përshtaten dhe patjetër që njërën prej tyre do ta zgjedhë patjetër. Këngët duhet të jenë të të njëjtit zhanër muzikor dhe t’i përshtaten vokalit. Unë e di se brenda këtyre tre këngëve, njëra do t’i pëlqejë studentit. Kjo është mënyra më e mirë e bashkëpunimit sa i përket përzgjedhjes së këngës.

Teuta Kurti, Vesa Luma, Rona Nishliu viti 2004 (Foto personale)

Teuta Kurti, Vesa Luma, Rona Nishliu viti 2004 (Foto personale)

CMG: E sheh Argjendën në finale?

Teuta Kurti: Sigurist që po, e shoh. Nuk jam natyrë që paramendoj, por ja lë gjithçka kohës. Arti, muzika është e paparashikueshme në ditët e sotme. Marr parasysh se Argjenda është shqiptare dhe merr pjesë në një kompeticion finlandez, kujtoj se deri tani ajo ka arritjen më të madhe të një artisti shqiptar në Finlandë, duke arritur suksesshëm në çerekfinalen e “The Voice Of Finland”. Gjithësesi dua të them se nuk është arritja më e madhe e një artisti për të shkuar në finale e një kompeticioni, por e rëndësishme është që artisti në çdo paraqitje skenike ta realizojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Argjenda do të ketë rrugë shumë të ndritshme përpara. Këtë nuk ja kam thënë vetëm Argjendës, por çdo studenti, që në çdo performancë të mund të japë maksimumin e tij, sikur të ishte i fundit dhe kjo është arsyeja pse ata dalin gjithmonë mire. Për mua kjo është fitorja më e madhe.

CMG: Teuta ti je nënë e tre fëmijëve. Cili është profesioni më i vështirë për ty, muzika apo prindërimi?

Teuta Kurti: Mendoj se të dyja profesionet kanë sfidat brenda tyre. Përveç punës me nxënësit në shkollë, si dhe në mënyrë private, unë kam dhe tre fëmijët e mi në shtëpi. Shpeshherë them se më merr malli që të bisedoj me të rritur sepse mosha me të cilët punoj çdo ditë janë nga 1-8 vjeç, privatisht punoj me fëmijë disi më të rritur. Mendoj se profesioni apo sfida më e madhe, më e dashur, më e vështirë është prindërimi. Është diçka që duhet patjetër për ta bërë, por nuk është e lehtë sepse çdo ditë ka sfida, ka të qara, të mira apo gëzim, pikërisht këto e bëjnë përkujdesin ndaj fëmijëve në shtëpi më të mirë, më me përgjegjësi. Arsyeja pse unë jam ndarë prej skenës janë fëmijët dhe në asnjë mënyrë nuk bëhem pishman për këtë gjë sepse njeriu e krijon një herë në jetë. Skena, muzika dhe të qënurit nënë i ka sfidat e veta, por unë si një familjare që jam, do veçoja se puna më e mirë, më e dashur, më e vështirë në jetë është prindërimi.

CMG: A të kanë munguar duartrokitja e publikut në skenë dhe kur do të shohim në ndonjë festival?

Teuta Kurti: Sinqerisht më kanë munguar shumë duartrokitjet e publikut sepse unë që prej fillimit jam mësuar me interpretimin në mënyrë dinjitoze, jo për të lavdëruar veten, por kam punuar me plot përkushtim, kam pasur shumë vullnet, kjo është edhe arsyeja se publiku ende i dëgjon këngët e mia sepse çdo këngë ka pasur një mesazh brenda vetes. Kjo është arsyeja se përse ndjehem borxhlie ndaj publikut sepse më kanë pritur çdoherë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo është arsyeja pse unë duhet patjetër që të rikthehem në skenë. Mendoj se ky do të jetë viti im, për të gjithë ata që kanë pritur aq gjatë rikthimin tim.

CMG: Po në të ardhmen a ke menduar për të realizuar ndonjë bashkëpunim me Argjendën?

Teuta Kurti: Sigurisht që po! Ne kemi folur gjatë rreth këtyre bashkëpunimeve, por së pari Argjenda duhet të stacionohet me krijimin e disa këngëve të veta, pasi një artist duhet së pari të krijojë stilin e vet, më pas të ketë bashkëpunime. Sapo Argjenda të ketë realizuar këngët e saj, patjetër do provoj me kënaqësinë më të madhe të realizoj një duet me të.

CMG: Cilat janë planet e tjera për të ardhmen?

Teuta Kurti: Një ndër planet e mia të së ardhmes është dëshira për të realizuar sa më shpejt një këngë të re. Nuk e di nëse do jem apo jo pjesë e ndonjë festivali, pasi ende nuk e kam vendosur sepse më parë duhet të di natyrën e këngës. Mendoj se do jetë një baladë pasi në këtë zhanër muzikor është mënyra më e mirë e të shprehurit të vokalit tim. Gjithashtu unë jam mësuese e muzikës ku punoj prej vitesh në një shkollë dhe kjo është një nga arsyet përse nuk kam qenë pjesë e skenave. Nuk jam natyrë që të bëj plane afatgjatë sepse çdo gjë ja lë kohës, gjithçka tjetër që vjen, është e mirëseardhur.

CMG: Të falenderoj shumë e dashur për intervistën dhe të uroj suksese!

Teuta Kurti: Faleminderit shumë Sava! U ndjeva shumë mirë në këtë intervistë, shpresoj se do të dëgjohemi sërish për projektet e reja që do të kem.

Intervistoi: Sava Lena