Mukades Çanga, “Mjeshtër i Madh” është një zë i rëndësishëm i traditës së pasur të këngës qytetare shkodrane. Vokali dhe forca interpretuese e saj kanë kaluar publikun shkodran për të rrëmbyer interesim dhe ovacione, duartrokitje dhe vleresime përtej. Emri dhe kontributi i saj renditen në kolanën e gjatë të atyre vlerave që e përfaqësuan dhe e ngritën në një nivel sfidues këngën dhe muzikën shkodrane, duke e renditur atë në kryeradhën e admirimit dhe vlerësimit. Në një intervistë për CMG, Znj.Çanga na tregon për karrierën e saj artistike si dhe projektet muzikore në të ardhmen.

Mukades Canga duke interpretuar (Facebook)

Mukades Canga duke interpretuar (Facebook)

CMG: Znj.Çanga përshëndetje dhe kënaqësi për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.

Mukades Çanga: Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur në Shkodrën time të bukur plot dashni dhe mrekullitë që ka ky qytet.

CMG: Sa e lidhur jeni me Shkodrën?

Mukades Çanga: Unë jam shumë e lidhur me Shkodrën sepse më ka dhënë shumë. Edhe unë i kam dhënë Shkodrës, por Shkodra mi ka dhënë të gjitha vlerat e mia. Një qytet me tradita të mëdha siç është Shkodra, me artista të mrekullueshëm që ka lënë Shkodra edhe unë jam një gur ndërtues i Shkodrës. Ndjehem shumë krenare dhe jam shumë e vlerësuar nga Shkodra.

Mukades Canga (Facebook)

Mukades Canga (Facebook)

CMG: Nuk keni dashur të largoheni nga Shkodra, apo dhe publiku shkodran nuk ju ka lënë të largoheni?

Mukades Çanga: Në radhë të parë nuk e kam lënë unë sepse kam shumë të mira nga Shkodra, por edhe Shkodra ndoshta ka qejf të më mbaj afër mua.

Mukades Canga gjate nje aktiviteti muzikor (Facebook)

Mukades Canga gjate nje aktiviteti muzikor (Facebook)

CMG: Ju keni katër dekada që interpretoni këngën qytetare shkodrane dhe jo vetëm. Ndjeheni e plotësuar me karrierën tuaj artistike?

Mukades Çanga: Faleminderit Zotit që më ka dhënë shëndet si dhe vokalin dhe jam shumë e plotësuar. Mua nuk më ka mbetur asgjë, vetëm dëshira për të pasur zërin mirë dhe për të kënduar sepse vetë muzika të mban gjallë, të mban të re dhe të bukur, ashtu siç është muzika shkodrane. Unë aktivitetet i kam filluar 8 vjeçe, pra që në shkollën fillore dhe jam rritur dhe aktivizuar në shtëpinë e pionerit, pastaj në klubin e rinisë dhe prej aty kemi shëtitur të gjitha institucionet që ka pasur Shkodra. Në moshën 14 vjeçare kam marrë pjesë në estradën profesioniste ku kam pasur fatin të punoj me profesionistë të artit. Unë kam 30 vite që kam punuar me mjeshtra të muzikës dhe dëshiroj t’i falenderoj të gjithë.

Mukades Canga gjate nje koncerti (Facebook)

Mukades Canga gjate nje koncerti (Facebook)

CMG: Në fakt ju këngën shkodrane nuk e keni mbajtur vetëm në Shkodër, por e keni përcjellë edhe në qytete të tjera të vendit. Çfarë kujtoni nga aktivitetet tuaja jashtë Shkodrës?

Mukades Çanga: Aktivitetet e mia jashtë Shkodrës kanë filluar para se të vinte demokracia, ku kishim një ftesë në Zvicër me ansamblin “Rozafa”, që ishte një mrekulli. Unë në atë aktivitet u paraqita me një këngë kosovare dhe një shkodrane, dhe për 25 ditë kemi dhënë mbi 20 shfaqje. Pas viteve 90-të kam marrë pjesë në shumë koncerte në diasporë. Dua të përmend edhe festivalet e Gjirokastrës ku kam marrë pjesë në 10 prej tyre. Jam aktivizuar me koncertet e estradës, që zhvilloheshin në Vlorë ku dhe jam vlerësuar me çmime. Gjithmonë jam paraqitur në këto festivale me kostumin popullor.

Mukades Canga me kengetaret Bujar Qamili dhe Klinsman Llazani (Facebook)

Mukades Canga me kengetaret Bujar Qamili dhe Klinsman Llazani (Facebook)

CMG: E keni ruajtur kostumin popullor dhe sa vjeçar është?

Mukades Çanga: Unë e kam ruajtur kostumin popullor dhe e mbaj si relike sepse atë e ka veshur edhe nëna ime. Kostumi popullor është 200 vjeçar ku ka kallçik, por dhe diminj. Unë jam munduar ta ruaj edhe pse disa gjëra të vogla mund të jenë dëmtuar. Atë kostum unë e kam veshur nëpër festival folklorike.

Mukades Canga me poetin Ramazan Ceka (Facebook)

Mukades Canga me poetin Ramazan Ceka (Facebook)

CMG: Cilat janë vlerësimet që ju keni marrë gjatë karrierës muzikore?

Mukades Çanga: Unë jam vlerësuar me shumë çmime, por vlerësimi i publikut është i pari për mua. Ndërkohë që jam e kënaqur me çmimet që kam marrë sepse është një juri që të vlerëson, por publiku për mua është më i rëndësishmi. Kur unë marr mikrofonin për të kënduar e shoh spektatorin që ka një buzëqeshje karshi meje. Publikun dua ta falenderoj shumë sepse ai është që më ka çuar mua deri këtu ku jam sot.

Mukades Canga me Presidentin e Republikes Z.Ilir Meta (Facebook)

Mukades Canga me Presidentin e Republikes Z.Ilir Meta (Facebook)

CMG: Në repertorin tuaj muzikor përveç këngëve të njohura shkodrane ju keni sjellë dhe krijimtari të re muzikore. Cilat kanë qenë krijimet e fundit popullore?

Mukades Çanga: Këngët e reja janë të kompozuara nga Ilir Zogaj, Shpëtim Saraçi dhe Roland Guli. Unë jam këngëtare dhe jo kompozitore, por duke qenë kaq vite me muzikën më erdhi një tekst nga poeti Ramazan Çeka në kohën e pandemisë, dhe unë krijova muzikën dhe ja dërgoj Ilir Zogajt. Ai e pëlqeu. Pra ishte teksti i bukur dhe mua më erdhi vetë melodia nga shpirti për t’i kënduar Shkodrës.

CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në qytetin e Shkodrës?

Mukades Çanga: Unë tani jam bërë dhe tre herë gjyshe sepse vajzës së madhe na i solli Zoti binjakë, djalë dhe vajzë. Vajza e vogël ka një djalë dhe i kam përkushtuar kohën atyre. Tani jam e lirë dhe kur ka aktivitete marr pjesë sepse dhe zërin e kam në formë të mirë. Dëshirën e kam të këndoj deri sa të kem fuqi.

CMG: Keni dhënë për publikun disa koncerte recitale, do të keni ndonjë tjetër së shpejti?

Mukades Çanga: Koncertet recitale kanë pasur bukurinë dhe stresin e vet dhe unë kam pasur gjithmonë kërkesa te vetja sepse nuk jam vetëkënaqur. Unë kam organizuar tre koncerte recitale gjatë 30 viteve këtu në Shkodër ku publiku është kënaqur. Disa më thonin që të organizoja recital dhe në Tiranë, por ka qenë pamundësi financiare.

CMG: Çfarë kujtimesh ruani me artistët e mëdhenj të këngës shkodrane si Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Luçie Miloti e Xhevdet Hafizi ?

Mukades Çanga: Në vitin 1989 në Tiranë u organizua një kurs për këngëtarët e rinj të muzikës popullore. Unë kam pasur fatin e madh të isha në këtë kurs me Luçie Milotin, të cilën e kam shumë përzemër. Unë shumë këngëtarë i kam përzemër si Shyqyri Alushin dhe Bik Ndojën, por motivet dhe zërin e saj unë nuk i harroj kurrë. Gjithmonë kisha qejf të këndoja diçka prej saj. Luçia kishte një vokal brilant dhe unë e kam idhull sepse dhe më ka ndihmuar shumë për të ardhur deri këtu.

CMG: Keni ndonjë projekt të ri artistik së afërmi?

Mukades Çanga: Unë dëshiroj të falenderoj një kompozitor nga Ulqini me banin në Durrës, Zehni Beqiri i cili më ka kompozuar dy këngë të reja dhe orkestrimin e ka bërë Roland Guli. Këto këngë janë me motive shkodrane dhe do të publikohen së shpejti.

CMG: Së fundi një mesazh urimi për adhuruesit tuaj si dhe dëgjuesit e radios.

Mukades Çanga: Unë kam shumë adhurues dhe dua t’i falenderoj të gjithë sepse kur unë publikoj diçka të re, ata më përgëzojnë. Dua të falenderoj të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, meqë unë kam shkelur në disa vende të botës. Një falenderim për Shkodrën time të dashur që unë këtu rrita shtatin, këtu u shkollova dhe këtu është ai spektator që më mbajti mua deri tani. Dëshiroj të falenderoj dhe Gjakovën sepse kam marrë pjesë në shumë aktivitete atje. Gjakova është si Shkodra që më vlerëson shumë, Peja, Prizreni dhe gjithë Kosovën.

CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë të këndshme dhe ju uroj shëndet dhe suksese në vazhdim të karrierës suaj.

Mukades Çanga: Faleminderit, dhe unë ju uroj suksese në punën tuaj të bukur që merreni me artistat e mrekullueshëm të Shqipërisë.

Intervistoi: Gazmend Agaj