Librat e rinj janë një befasi e bukur që na bind se leximi është një vlerë e shtuar në jetën e secilit, ndaj nuk duhet humbur mundësia për të blerë dhe lexuar çdo libër të ri. Sot ne kemi zgjedhur tre libra të rinj si propozim për miqtë tanë, janë botime të reja që i përkasin vitit 2022, botuar nga botues të ndryshëm, me një qëllim të vetëm: publikun shqiptar. Edhe pse në gjuhë të huaj, ata vij në me një shqipe të pasur dhe elegante.

Biblioteka e Parisit - Foto Shtepia Botuese Morava

Biblioteka e Parisit - Foto Shtepia Botuese Morava

Biblioteka e Parisit

Biblioteka e Parisit, shkruar nga Janet Skesline Charles dhe përkthyer nga Taulant Hatia është libri i parë që prezantojmë dhe vjen nga Shtëpia Botuese Morava. Një libër që ekploron marrëdhëniet, që na bëjnë të jemi këta që jemi, si dhe mënyrën si e ndihmojmë apo e dëmtojmë njëri-tjetrin. Libri bazohet në historinë e vërtetë të punonjësve të Bibliotekës Amerikane në Paris, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Parisin e vitit 1939 një vajzë e re dhe ambicioze, Odila Susheti i ka të gjitha: një të dashur simpatik, që punon si polic dhe një punë ëndrrash në Bibliotekën Amerikane në Paris. Kur nazistët pushtojnë Parisin, Odila rrezikon të humbasë gjithçka që ka të shtrenjtë, përfshirë bibliotekën e saj të dashur. Së bashku me kolegët, Odila i bashkohet Rezistencës me armët më të mira që ka: librat. Por, kur luftës i vjen fundi, në vend të lirisë, Odila shijon thumbin e hidhur të tradhëtisë së patregueshme.

Ndërkohë një tjetër linjë zhvillohet në roman: Në Montana, viti 1983. Lili është një adoleshente e vetmuar në kërkim të aventurave në qytezën e saj të vogël. Asaj ia ka tërhequr vëmendjen fqinja e moshuar që jeton vetëm. Ndërsa Lili kërkon më shumë për të kaluarën misterioze të fqinjës së saj. Ajo zbulon se të dyja ndajnë të njëjtën dashuri për gjuhën, të njëjtat dëshira dhe të njëjtën xhelozi të fortë, pa dyshuar kurrë se një sekret i errët i së kaluarës i lidh me njëra-tjetrën.

Dikush mund të pyesë veten nëse ka mbetur ende ndonjë gjë e re e pashkruar për Parisin? Por autorja e librit arrin të na tërheqë vëmendjen, të na risjellë magjinë e këtij qyteti të rrallë dhe të shkëputë nga moria e pafund e ndodhive të tij, historinë e Bibliotekës Amerikane, shumë të njohur në Paris, dhe rolin e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ngjarjet e librit bazohen në njerëz dhe ndodhi të vërteta, por mjaft elemente janë ndryshuar. Po ashtu, është ndryshuar edhe rendi i disa ngjarjeve. Qëllimi i shkrimit të këtij libri ishte të bëjë të njohur këtë kapitull pak të errët të Luftës së Dytë Botërore si dhe të nxjerrë në pah zërat e bibliotekarëve të guximshëm, që sfiduan nazistët duke mbajtur afër anëtarët dhe duke shpërndarë dashurinë për letërsinë. Është një libër që eksploron marrëdhëniet që na bëjnë të jemi këta që jemi, si dhe mënyrën si e ndihmojmë apo e dëmtojmë njëri-tjetrin. Gjuha është një portë që mund ta hapim apo mbyllim ndaj njerëzve të tjerë. Fjalët që përdorim i japin formë perceptimit, njësoj si librat që lexojmë, historitë që i tregojmë njëri-tjetrit apo historitë që i themi vetes. Stafi dhe anëtarët e huaj të Bibliotekës u konsideruan “të huaj armiqësorë” ndërkohë që, disa prej tyre, u internuan. Anëtarët hebrenj nuk u lejuan të hynin në Bibliotekë, shumë prej tyre u vranë më pas në kampet e përqendrimit.

Libri ka 384 faqe, është botim i vitit 2022 dhe kushton 1200 lekë.

Trendafili i mesnates - foto Shtepia e librit

Trendafili i mesnates - foto Shtepia e librit

Trëndafili i mesnatës

Trëndafili i mesnatës,është një libër shumë interesant që mban firmën e shkrimtares Lucinda Riley. Në harkun e katër brezave, Trëndafili i mesnatës kalon nga pallatet vezulluese të maharaxhave të mëdhenj të Indisë në kështjellat madhështore të Anglisë, duke ndjekur jetën e jashtëzakonshme të një vajze të jashtëzakonshme, Anahita Çavanit, nga viti 1911 deri në ditët e sotme.

Ngjarjet zhvillohen mes INDIsë dhe Anglisë. Në Indi, Anahita Çavani mbush njëqind vjeçe dhe, megjithëse familja po mblidhet për të festuar, ajo është kredhur në një re trishtimi. S'ka ditë që të mos mendojë për të birin, që të gjithë e pandehin të vdekur qysh fëmijë. Vetëm se instinkti i saj i hollë i thotë të kundërtën. Ndaj dhe i dorëzon Arit, stërnipit, një dorëshkrim, ku ka rrëfyer historinë e jetës, me shpresën se djaloshi do të zbulojë atë që ka ndodhur në të vërtetë. Ndërkohë në Angli, aktorja e famshme bukuroshe amerikane Rebeka Bredli gjendet në Astbury Hall, një kështjellë e lashtë, e zgjedhur si shesh xhirimi për filmin e saj të ri. Lordi Estbëri, pronari i kështjellës dhe i pronës përreth, tip i mbyllur dhe i tërhequr, shfaq një mirësjellje të tepruar ndaj aktores dhe këmbëngul se ajo ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me gjyshen e tij Violetë...

Do të jenë udhëtimi i Arit drejt Anglisë dhe takimi me Rebekën, që do të hedhin një dritë të re rreth periudhës angleze të Anahitës gjatë Luftës së Parë Botërore dhe një dashurie të trazuar të përjetuar pikërisht në Astbury Hall.

Libri është përkthyer nga Agron Doksani dhe është botuar nga Shtëpia botuese Dituria. Libri ka 824 faqe dhe kushton 1400 lekë. Autorja e librit, Lucinda Riley lindi në Irlandë. Pas karrierës si aktore filmash, teatri dhe televizioni, shkroi librin e parë në moshën njëzetekatërvjeçare. Librat e saj janë përkthyer në më tepër se tridhjetë gjuhë dhe kanë shënuar mbi trembëdhjetë milione kopje të shitura në mbarë botën.

Ajo është autore bestseller e Sunday Times dhe New York Times. Tashme Lucinda i është përkushtuar shkrimit të serisë Shtatë motrat, e cila rrëfen historinë e motrave të birësuara dhe bazohet në mënyre alegorike në mitologjinë e yjësisë së famshme. Pesë librat e parë, Shtatë motra Historia e Majës, Motra në stuhi, Motra në hije, Motra e perlave dhe Motra e hënës, qëndrojnë në krye të klasifikimeve të librave më të shitur në të gjithë Europën,Të drejtat për një seri televizive, bazuar mbi këta libra, janë blerë nga një kompani hollhudiane produksioni.

Çifti i persosur- foto Botimet Living

Çifti i persosur- foto Botimet Living

Çifti i përsosur

Libri i tretë që propozojmë për sot është “Çifti i përsosur”, shkruar nga Elin Hilderbrand. Ata ishin çifti i përsosur, në prag të martesës së përsosur derisa një zbulim tronditës u tregoi se asgjë nuk është ashtu siç duket.

Në Nantaket është sezoni i dasmave dhe ajo e Çeleste Otisit dhe Benxhamin Uinbërit premton të jetë një ngjarje për t’u mbajtur mend. Prindërit e pasur të dhëndrit nuk janë kursyer fare në organizimin e një ceremonie luksoze, në pronën e tyre “Samërlend”, buzë oqeanit.

Mirëpo kjo ngjarje do të mbetet e paharrueshme për një arsye krejt tjetër: vetëm disa orë para ceremonisë, në bregun para shtëpisë gjendet duke pluskuar trupi i pajetë i shoqërueses së nderit dhe papritmas të gjithë të pranishmit janë të dyshuar për vrasjen e saj. Ndërsa shefi i policisë, Ed Kapenashi merr në pyetje dhëndrin, nënën e tij, një romanciere e famshme e librave thriller dhe anëtarë të tjerë të familjes, zbulon se çdo martesë është një fushë e minuar dhe çifti i përsosur jo vetëm që nuk ekziston, por gjithsecili mund të mbartë me vete një sekret. Romani është një produkt i vitit 2022, ka 434 faqe dhe kushton 1300 lekë. Eshtë botuar nga Shtëpia Botuese Living. Libri është përkthyer nga gjiuha angleze, nga përkthyesja Mailinda Milavi.

Neritana Kraja