Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit, nën titullin “Nga e para”. Në pavionin shqiptar të ekspozitës do të prezantohet arkiva digjitale e artistes Lumturi Blloshmi, që pak njerëz e njohën. Bienalja e 59-të e Venecias do të zhvillohet nga data 23 prill - 27 nëntor 2022.Nëpërmjet punës së Lumturi Blloshmit dhe mënyrës se si do të kurohet prezantimi, pavijoni shqiptar është i mirëvendosur brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor.

Lumturi Blloshmi - foto Faxweb

Lumturi Blloshmi - foto Faxweb

Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës do të krijohet në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge. Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku do të ketë qasje në botës personale dhe mjedisit krijues të Blloshmit. Kjo pjesë që synon krijimin e një lloj arkivi virtual do të krijohet në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley. Gjithashtu do të krijohet një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën e saj dhe qenien e saj. Dokumentari do të jetë në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal në bashkëpunim me kuratoren.

Ministrja Elva Margariti dhe kuratorja Adela Demeti - foto Stra Tirana.com

Ministrja Elva Margariti dhe kuratorja Adela Demeti - foto Stra Tirana.com

Përpara se puna të prezantohet në Venecia, në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë Bienale. Ajo tregoi se si po bëhet realitet dëshira e piktores Lumturi Blloshi për t’u ekspozuar në Bienalen e Venecias, pas vdekjes së piktores. Kjo është hera e parë që vendi ynë prezantohet me një artiste femër dhe thelbi i prezantimit në Bienalen e Venezias do të jenë autoportretet e Lumes, një artiste konceptuale. Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se përzgjedhja e Blloshmit nuk është vetëm një homazh, por sepse ajo do të mbahet mend gjithmonë si gruaja ‘brenda 4 mureve’ për mesazhet unike që përcillte përmes pikturave të saj. Puna e saj pershtatet me se miri me temen e Bienales se ketij viti “Qumeshti i endrrave”. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Ministria e Kulturës e pa të udhës t’i bëjë një homazh figurës së kësaj artisteje me një temperament të rrallë, gjithnjë kërkuese, gjithnjë provokuese, duke e përzgjedhur pikërisht atë si artisten e vitit 2022.

Sa i takon kuratores Demeti, ajo është një njohëse mjaft e mirë e veprës së Blloshmit, por edhe një kuratore, me një eksperiencë të konsoliduar brenda e jashtë vendit. Ajo iu përgjigj kërkesës për tu bërë kuratorja e ekspozitës, me një qasje që bën bashkë disa mediume e që do të paraqesin të plotë veprën dhe botën e Lumes, e cila i tejkalonte kufijtë e lokales.

Bienalja e Venezias dhe Lumturi Blloshmi - foto shqiptarja.com

Bienalja e Venezias dhe Lumturi Blloshmi - foto shqiptarja.com

Piktorja Lumturi Blloshi lindi në Tiranë në vitin 1944 dhe ndërroi jetë në nëntor 2020 në moshën 76-vjeçare, pasi u infektua nga COVID-19. Jeta e saj u trondit që në fëmijëri, kur ajo ishte vetëm 2 muajshe dhe babai i saj u rrëmbye pa lënë gjurmë nga regjimi komunist dhe për fatin e tij nuk u mësua më asgjë. Kjo ndikoi në qasjen e sistemit ndaj familjes dhe vetë Lumturisë si “armiq të popullit”, apo edhe në karrieren e saj në vitet e mëvonshme. Gjatë vitit ’74, Lumturisë nuk iu rinovua leja për krijimtari artistike nga “Lidhja e Shkrimtarëve”, gjë që çoi në një ndërprerje pothuajse 10-vjeçare të karrierës së saj si piktore. Me rënien e regjimit komunist, Lumturi Blloshmi vijoi edhe më fort krijimtarinë e saj, duke mos u ndalur vetëm tek piktura, por duke eksperimentuar me fotografinë, performancat apo instalacionin.

Lumturi Blloshmi hyri në rrugën e artit modern me një guxim të madh, me koncepte të qarta për jetën dhe artin. Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi, si një përfaqësuese të denjë të pikturës bashkëkohore shqiptare. Artistja arriti t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek tematikat që kishin në qendër peisazhin dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi bëhet pjesë e atyre artistëve shqiptarë që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern. Blloshmi do të mbahet mend si artistja që eksperimentoi ndër të parët performancën dhe instalacionin në Shqipëri. Lumturi Blloshmi shpesh nga kritika është vlerësuar si "Frida Kahlo" shqiptare.

Autoportret e piktores - Foto shtypi.net

Autoportret e piktores - Foto shtypi.net

Handikapi që e shoqëroi gjatë jetës, humba e dëgjimit, nuk e pengoi asnjëherë, përkundrazi i kishte mprehur asaj aftësinë për të tejparë ngjyra, linja, ritme të lëvizjes. Por inteligjenca në kapjen e detajeve, qasjet ironike e sarkastike, nuk mund të arriheshin pa ndërmjetësinë e kulturës verbale, kulturë që Blloshmi e arriti me punë e vullnet jo të zakonshëm. Me një aftësi prej titani Lumturi Blloshmi e vuri poshtë handikapin e lindur dhe përmes artit të saj arriti të komunikonte mjeshtërisht me një publik të gjerë, jo për të përcjellë informacione rutinë të përditshmërisë, por për të na dalë krahë, që të zbulojmë lirizmin e ngjyrave në peizazhe e natyra të qeta dhe pastaj për të shijuar edhe gjykimin e mprehtë, humorin e hollë dhe ironinë e zgjuar në tablotë dhe instalacionet e pasviteve ‘90.

Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Turqi). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992-2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, Nju-Jork etj. Gjithashtu, Blloshmi ka fituar konkursin ndërkombëtar “Onufri ’94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës dhe Korçë.

Neritana Kraja