Ador Hoxha është Drejtor ekzekutiv i Qendrës Dua në Tiranë, qendër në të cilën zhvillohen aktivitete të ndryshme për turizmin, kulturën dhe historinë e Shqipërisë. Edhe pse ka pak kohë që është hapur si qendër, aty zhvillohen aktivitete të ndryshme dy herë në javë. Në një intervistë për CMG Hoxha tregon për aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër si dhe projektet në të ardhmen.

Ador Hoxha në intervistë për CMG

Ador Hoxha në intervistë për CMG

CMG: Si nisi ideja për të krijuar këtë qendër me emrin “Dua” dhe çfarë përmban në vetvete kjo qendër?

Ador Hoxha: Në fakt kjo nisi shumë natyrshëm. Ne jemi një komunitet që udhëtojmë shumë nëpër Shqipëri dhe duke udhëtuar e njohur historinë dhe kulturën që ka Shqipëria dhe populli shqiptar, lindi natyrshëm dëshira për ta promovuar në metodat moderne, të cilat janë kryesisht nëpër rrjetet sociale.

Ne jemi një strukturë që quhet “Love Albania”, dhe në bazë të kësaj strukture ne arritëm që të kishim shumë përshtypje të mira, duke promovuar aspekte të ndryshme të turizmit dhe kulturës. Kështu që lindi nevoja që të kishim dhe një pozicionim, një vend dhe një bazë ku ne të mblidhemi dhe të diskutonim problemet, nevojat dhe pse jo zhvillimin. Pra të diskutonim idetë sesi mund të zhvilloheshin, sidomos jemi të fokusuar në turizëm-kulturë. Kështu që menduam të hapnim një vend në Tiranë të quajtur “Qendra Dua”, ku në fakt donim një emër pozitiv dhe ja vendosëm dua që do të thotë me dasht.

Logo e Dua center (Facebook)

Logo e Dua center (Facebook)

Nuk është bashkim shkronjash sepse disa persona mendojnë se është bashkim shkronjash, por ideja e këtij emri është me dasht, me kriju, me gëzu dhe me dasht shumë gjëra. Kjo gjë krijoi konceptin e të diskutuarit të gjërave që do dhe gjërave që duhen dhe rrodhi pastaj deri në aktivitete. Kjo nisi nga dëshira për të diskutuar me njëri- tjetrin, që më pas u zhvillua dhe tani ne kemi dy aktivitete në javë.

CMG: Për çfarë diskutohet më tepër në Qendrën Dua?

Ador Hoxha: Kryesisht flasim për turizëm dhe kulturë, mbështetjen e të rinjve, edukim dhe vullnetarizëm-aktivizëm. Të gjita këto dimensione ne i shohim si nevojë për të qenë pjesë e proçesit të rritjes së të gjithë individëve. Kështu që i japim vëmendje këtyre aspekteve që janë të lëna mënjanë ose që nuk kanë vëmendjen e duhur, sidomos kultura, rinia dhe edukimi. Ne duam të fusim metodat tona të edukimit, pra ato që nuk janë metodat klasike, por moderne. Metodologjia për ne në edukim, është një koncept shumë i rëndësishëm.

Aktivitetet në Qendrën Dua (Facebook)

Aktivitetet në Qendrën Dua (Facebook)

CMG: Çdo iniciativë e marrë ka dhe vështirësitë e veta për të arritur aty ku dëshiron. Ju keni hasur në vështirësi deri në ngritjen e kësaj qendre, dhe kur keni nisur me aktivitetet aty?

Ador Hoxha: Patjetër që vështirësitë janë të mëdha. Janë tek stafi e para, sepse si çdo strukturë edhe kësaj I duhet një staf dhe një grupim njerëzish të cilët janë në një mendje. Ne këtë gjë nuk e kemi parë si punë, por si pjesë pasioni. Në momentin kur ka një afat të gjërave dhe duhet të mbarosh në kohë disa punë apo projekte, apo të diskutohen disa çështje, fillojnë vështirësitë të cilat kur flasim në një grup vullnetarësh është pak e vështirë që të menaxhohen. Gjithsesi shumë individë e kanë bërë këtë punë me pasion dhe çdo javë kanë ndihmuar dhe kontribuar për të arritur që t’i nxjerrim në dritë këto aktivitete. Pra kanë dhënë maksimumin e tyre dhe sot jemi këtu.

Gazetari i njohur Adi Krasta gjatë një aktiviteti në Qendrën Dua (Facebook)

Gazetari i njohur Adi Krasta gjatë një aktiviteti në Qendrën Dua (Facebook)

Qendra është shumë e re dhe shumë e vogël. Ka nisur në shtator me aktivitetet e ndryshme dhe në të njëjtën kohë është bërë në mënyrë shumë vullnetare. Aktualisht ne kemi aplikuar për disa projekte për mbështetje. Akoma nuk kemi arritur të marrim një projekt dhe për momentin vetëm menaxhohemi me fondet tona. Presim tani të evoluojmë sepse kemi nevojë dhe të mbështesësh kulturën nuk është komerciale, por është identitet dhe nuk është e orientuar drejt fitimit monetar. Ne duam që të gjejmë një formë për ta modernizuar atë çfarë kemi identitet dhe kulturë.

CMG: Këtë qendër ju e keni arreduar me relike dhe të jep përshtypjen e një muzeu të vogël sapo futesh brenda. Ka qenë ideja juaj për ta arreduar në këtë mënyrë?

Ador Hoxha: Të gjithë elementët në qendër janë pak shtëpitë shqiptare, odat shqiptare, që janë të ngrohta dhe mikpritëse. Ka qenë koncepti për të treguar që jo çdo gjë e vjetër duhet të hidhet apo ndyshohet. Pra nëse ajo është funksionale dhe të jep një mesazh të identitetit tënd, është pjesë e kulturës dhe mund të përshtatet shumë mirë. Ne kemi krijuar këtë lloj formati që siç e patë pjesa tjetër e sallës ku ne mbajmë aktivitete është komplet moderne, është me teknologji dhe me projektor.

Gjatë një aktiviteti në Qendrën Dua (Facebook)

Gjatë një aktiviteti në Qendrën Dua (Facebook)

Ngjitur me të është pjesa me gjëra të vjetra dhe shumë bukur këto mund të bashkëjetojnë, sepse pjesa e vjetër është komplet funksionale, por në të njëjtën kohë ka nostalgjinë, ngohtësinë dhe të gjitha këto elemente që një ambjent i ri nuk t’i jep.

Pjesa e ambjentit të ri është teknik, funsional dhe produktiv, por në të njëjtën kohë kushdo që futet në këtë qendër e merr esencën, duke parë në dy dimensione. Është një muze i vogël. Pamjet aty japin pak historinë ndër vite për Shqipërinë dhe kur futesh aty prek pak historinë dhe identitetin dhe kalon te pjesa e re e qendrës, për të diskutuar dhe krijuar.

CMG: Pasioni juaj për të realizuar këto gjëra të bukura e ka mundur vështirësinë që mund të hasësh në këtë rrugëtim?

Ador Hoxha: Patjetër që pasioni është mbi çdo gjë, por një nga gjërat kryesore mendoj që krahas pasionit është edhe bashkëpunimi dhe të bërit gjërat në grup. Të gjeturit e një formë bashkëpunimi është gjëja më e mirë se vetëm është e vështirë për mua dhe për këdo që të vazhdojë apo t’i mbajë pasionet.

Intervistoi: Gazmend Agaj

Qendra Dua (Facebook)

Qendra Dua (Facebook)