Diva e padiskutuar e muzikës shqiptare, e cila për shqiptarët në mbarë botën është shndërruar në një mit, përkujtohet me nderim në 83 vjetorin e lindjes. Një zë i shkëlqyer dhe një personalitet muzikor i spikatur, me qindra shfaqje, koncerte, dhjetëra festivale, turne anekënd vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, një jetë kushtuar muzikës dhe pastaj një jetë e ndërprerë në mes për shkak të sëmundjes deri në lamtumirën e fundit. Vaçe Zela u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare.

Në ka një artist, emri i të cilit identifikohet me muzikën e lehtë shqiptare, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës. Nderimi është sublim për artisten që jetoi intensivisht e këndoi me pasion, për të ngelur përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve.

Për publikun shqiptar, kompozitorë, artiste dhe krijues, roli i Vaçe Zelës, në skenën dhe muzikën e lehtë shqiptare është i pazëvëndësueshëm. Konsiderata për të është tepër e lartë. Ardit Gjebrea, kantautor dhe producent i njohur, thotë se ajo do të ngelet një artiste e veçantë e skenës:

“Asaj i këndonte floku, asaj i këndonte dora, asaj i këndonte gishti, gjithçka, gjithçka. Artiste më të madhe për mua nuk ka pasur Shqipëria”, shprehet Ardit Gjebrea.

Edhe për Bujar Kapexhiun, me të cilin fati e bashkoi në skenën e festivalit të 11 të këngës, Vaçe Zela mbetet ikonë:

“Ne ndoshta do të përsërisim të njëtat fjalë për Vaçen dhe do të ndodhë kjo sepse janë të njëjtat fjalë, se i njëjtë është mendimi dhe vlerësimi ynë për madhështinë e saj. Sepse e njëjtë është dhimbja për largimin e saj nga kjo jetë”, vlerëson Bujar Kapexhiu.

Ndërsa për këngëtaret e një brezi më të vonshëm, ajo mbetet shëmbull për t’u ndjekur. Këtë e dëshmon këngëtarja Juliana Pasha me prononcimin e saj:

“Fëmijët sot ndoshta inspirohen nga shumë artistë dhe ndoshta një pjesë e madhe insirohen nga artistët e botës. Unë kam patur fatin që në fëmijërinë time të kisha një shembull të jashtëzakonshëm, të kisha shembull një artiste të madhe si Vaçe Zela”, thotë Juliana Pasha.

E lindur në Lushnjë më 9 prill 1939, Vaçe Zela, fëmija i viteve 40-të, u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për mëse dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.

Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të pare të Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Atëherë Vaçja ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. Në rrëfimet e saj për festivalin e parë, këngëtarja tregonte se kishte ndrojtje ta këndonte atë këngë. Kishte frikë ta këndonte se vetë ishte e pamartuar dhe si mund t’i këndonte lindjes së fëmijës së parë? Megjithatë kënga u këndua, u vlerësua dhe festivale të tjerë rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezente me zërin e saj.

Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.

Artistja e madhe Vaçe Zela u lind në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë, por kishte talent edhe në pikturë e teatër.

Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga pjesëtarët e tjerë të fisit. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës, ajo do mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur.

Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar.

Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë të tillë. Ata asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i saj.

Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën që e mbante mbërthyer fort. Por nuk ia dhanë të drejtën për ta filluar atë shkollë. Më pas do t'i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin në dyert e ndonjë gjimnazi. Ndërsa nisi studimet në shkollën "Qemal Stafa" nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës së saj.

Ishte kjo kitarë me të cilën kohë më pas ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, të cilën nuk e çoi dot deri në fund, pasi u mor më shumë me pasionin e fëmijërisë së saj, këngën

Talenti dhe pasioni për këngën nuk e lanë asnjëherë në baltë. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë i gjithë Shqipërisë, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.

Në çdo sukses të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela bëri për vete një publik mjaft të gjerë. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar lart.

Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm.

Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.

Një karrierë që u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.

Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si diva që i ra për pjesë Shqipërisë. Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë.

Çmimet

Vaçe Zela është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në SHBA. Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina. Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjes”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.

Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. “Diskun e Artë” në SHBA, “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, etj. I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH.

Amaneti i fundit i artistes ishte të prehej në atdhe. Ajo prehet në tokën që e deshi dhe i këndoi aq shumë dhe njerëzve të saj, të cilëve u dhuroi zërin përmes emocionesh të forta e të paharruara.

Neritana Kraja