E transformuar nga themelet, Puka është shndërruar në një destinacion të ri turistik. Dhe jo vetëm për qytetin, për shpellat e famshme, majat e maleve dhe shtigjet, ujin dhe ajrin e pastër, por edhe për bujtinat, apo hanet e Pukës.

Bujtinat apo hanet e Pukës ofrojnë impaktin e jetës në mal, larg zhurmës dhe kaosit, përcjellin përjetimin e jetës mes alpeve, frymëzojnë me arkitekturën e tyre unike, ku kombinohen elementët tradicionalë me bashkëkohoren, aroma e drurit të mobilieve me hekurin e farkëtuar nga kudhra e kovaçëve. Janë mbi dhjetë bujtina, hane, apo shtëpi agriturizmi në zonat rurale të Pukës që presin e përcjellin vizitorët, turistët apo udhëtarët e rastit. Hani i Përparim Laçit ndodhet në qytet; Bujtina “Makry” e Marko Prengës ndodhet në Kryezi; Shtëpia në Mal ndodhet përgjatë rrugës së Fushë Arrëzit, në fshatin Hadroj; apo Hani i Zek Currit, janë mikpritëse në çdo kohë e në çdo stinë për këdo që preferon qytetin ose kërkon të eksplorojë rrethinat e tij.

Zhvillimi i turizmit malor në rrethin e Pukës, po shoqërohet nga hapja e bujtinave, që janë njëherësh edhe një mundësi reale për të tërhequr pushuesit drejt rrethit të Pukës. Me ardhjen e praverës, Puka është një destinacion fantastik për t’u vizituar, ndërkohë që ne po rendisim për ju një listë me disa prej bujtinave, haneve apo shtëpive të agriturizmit, ndër më të vlerësuarat e zonës, në rast se dëshironi të flini një natë në Pukë duke dhënë edhe disa specifika të tyre.

Bujtina Oda Kabashit përfaqëson traditën, kulturën dhe historikun e një prej fiseve më të vjetra të rrethit të Pukës. Ajo ngjason si dy pika loti me “Odat” e dikurshme, ku malësorët prisnin e përcillnin me respekt burrat e fiseve të tjera, duke ju shtruar tavolinat me gatime tradicionale.

Hani i Përparim Laçit është një shtëpi e re trekatëshe. Bujtina ka një oborr të vogël të zbukuruar me lule shumëngjyrëshe. Ky mozaik i mjedisit natyror e njerëzor dhe në veçanti mikpritja e të zotërve të shtëpisë, të bën të ndihesh si mik i kësaj shtëpie. Arredim i thjeshtë, i këndshëm dhe relaksues. Qetësia në mjediset e bujtinës, kushtet që të ofrohen në një mjedis që shumë shpejt kthehet në familjar krijojnë kushte të favorshme për të startuar pushimet.

Agroturizëm “Devin” është i vendosur në një vilë dykatëshe në fshatin Qerret. Kati i dytë i bujtinës është një hapësirë e ngrohtë që përdoret për vendosjen e mysafirëve. Tre dhoma të pajisura me dy shtretër dhe banjo individuale ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për një qëndrim relaksues dhe të rehatshëm.Vila është e rrethuar nga një gjelbërim i harlisur i cili të largon përvoja e përditshme e ngutjes dhe nxitimin në qytet. Por, këtu, si në asnjë vend tjetër do të ndiheni vetvetja, pasi të zotërit do t’ju udhëheqin përmes një sërë aktivitetesh, duke filluar nga qëndisja, në mbledhjen e frutave dhe perimeve, nga përgatitja e ushqimit e deri në kalërim të avancuar dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Një turne nëpër fermë do t’ju njohë më tutje me natyrën e mrekullueshme të zonës.

N'konak është shtëpia e shumë vizitorëve që vijnë në Pukë. Me një përzierje simpatike të dizajnit tradicional dhe atij modern, bujtina N'konak ofron strehim të rehatshëm dhe shërbim cilësor për mysafirët. Bujtina ofron 3 dhoma fletjeje dhe një dhomë ndenje, në të cilën mund të gjeni shumë gjëra dhe sende të lidhura me historinë dhe traditën e Pukës. Mëngjesi ofrohet falas dhe ju mund të konsumoni drekën, ose darkën në ambjentet e bujtinës. Ushqimi prezanton shijen tradicionale të zones, plot perime të freskëta të kopshtit.

Bujtina Makry është një vend ku të gjithë mund të përfitojnë nga bukuritë e maleve Shqiptare dhe të shijojnë një përvojë të paharrueshme të kuzhinës tradicionale. Bujtina është një ndërtesë 3 katëshe dhe ka një oborr përpara shumë të bukur, ku mund të luajnë fëmijët. Dhomat janë dyshe apo treshe, ndërkohë që mëngjesi është i përfshirë në çmim. Përveç akomodimit të shkëlqyer në këtë bujtinë, vizitorët mund të argëtohen me peshkim apo kalërim, duke ndjekur si gjithmonë këshillat e pronarëve të bujtinës. Edhe në këtë bujtinë, si kudo tjetër në Pukë, ushqimi ka garancinë e plotë të etiketimit bio.

Hani i Zek Currit është një tjetër mundësi akomoduese, që ofron relaks i vërtetë. Ju mund të akomodoheni në 3 dhoma plot me dritë dhe ajër dhe në 7 shtretër shumë komod. Oborri i shtëpisë është një parajsë e vërtetë, i mbushur plot me lule të bukura dhe shumëngjyrëshe. Aktivitetet që mund të ndiqni janë të larmishme dhe të shumllojshme, duke filluar nga piknikët e ndryshme në natyrë, ski, shëtitje në pyje dhe mal, shëtitje me varkë, etj. Shtëpia është në gjendje shumë të mirë dhe e pajisur me të gjitha orenditë e domosdoshme. Në oborrin e shtëpisë rriten pemë frutorë si qershi, mollë, kumbulla, rrushi dhe dardha. Të zotët janë mjaft mikpritës dhe ofrojnë shoqërim në mal dhe shëtitje në natyrën e bukur të Fushë Arrëzit.

Shtëpia në Mal, është një tejtër vend mikpritës për shumë turistë të huaj, të cilët ndalojnë për të kaluar mbremjet e freskëta në mes të natyrës. Shtëpia ndodhet në fshatin Hadroj, përgjatë rrugës Pukë Fushë Arrëz. Është një bujtinë e vogël, me kushte modeste, por mjaft tërheqëse, që siguron qetësi dhe freski. Pranë Shtëpisë në Mal çdo kush mund të ndjehet si në familjen e tij. Atje të ofrohen mundësi të shëtitjes në pyll, ushqime tradicionale, mund të vetëshërbehesh, por edhe të kalosh një drekë apo darkë më çmime nga më të lirat në tregun e bujtinave të Shqipëris dhe të Pukës.

Ushqimi

Ajo çfarë i bashkon bujtinat apo hanet e Pukës, është padiskutim edhe ushqimi. Do të gjeni ushqime të traditës, si: fli, pite, mish në gaca, mish gici, mish qingji, mish viçi dhe mish pule, çervish me lëng pule, fërlik, laknur, mjaltë, vezë fshati, bukë misri me shëllirë, reçel i llojeve të ndryshme, kërpudha, fruta të stinës dhe të thata, raki dhe verë. Gjithashtu në çdo bujtinë do të gjeni Birrën Puka, një produkt i njohur tashmë që i ka kapërcyer me kohë kufijtë e qytetit, duke u shndërruar në përfaqësuese të produkteve shqiptare në shumë prezantime ndërkombëtare.

Nëse iniciativa për zhvillimin e turizmit rural, përmes progamit të 40 haneve, fillimisht nisi nga qeveria shqiptare në vitin 2007, tashmë kjo iniciativë është bërë ambicie personale e individëve, të cilët të frymëzuar nga kjo platformë po nxiten t’i shndërrojnë shtëpitë e tyre në bujtina, hane apo shtëpi agroturizmi. Të ndihmuar nga qeveritë, programet e ndryshme të zhvillimit, apo projekte të kësaj natyre, apo edhe pa asnjë lloj ndihme, ata e kanë kuptuar se turizmi malor është një alternativë shumë e mirë për të zhvilluar zonat e tyre dhe ekonominë e vogël të familjes. Ndërkohë që kureshtja e vizitorëve dhe interesi për këtë lloj turizmi sa vjen e rritet.

Neritana Kraja