Festivale të ndryshme të këngës kanë lindur dhe janë shuar me vitet. Disa kanë lënë gjurmë e disa jo, por askush nuk mund ta mohojë se muzika e lehtë shqiptare është e lidhur shumë ngusht me emrin e Radio Tiranën dhe RTSH, të cilat arritën të ndërtonin tre struktura të shëndetshme të muzikës së lehtë shqiptare. Festivalin e Këngës në RTSH, Anketën Muzikore dhe Koncertet e Pranverës.

Festivali i këngës në RTSH

Festivali Në RTSH është festival muzikor shumë e njohur. Ishte viti 1962, kur për herë të parë në Shqipëri do të niste udhën një traditë aq e bukur e këngës së lehtë shqiptare. Fillimisht, këngët do të vinin përmes zërit të radios dhe me avancimin e teknologjisë edhe në televizion. Shumë prej atyre këngëve kanë mbetur në mendjen e publikut për vite të tëra. Emra të paharruar për publikun, si Vace Zela, Alida Hisku, Parashqevi Simaku, Tonin Tërshana, Gëzim Cela dhe shumë të tjerë krijuan një revolucion me hitet e tyre.

Festivali i Këngës, është zhvilluar për herë të parë më 21 Dhjetor, 1962 në Sallën e Instituit të lartë të Arteve në Tiranë. Në natën finale nga 20 këngë, konkurruan 12, ku fituesja e parë e Festivalit të Këngës ishte këngëtarja Vaçe Zela me këngën e saj të njohur "Fëmija i Parë". Vaçe Zela është këngëtarja me numrin më të madh të fitoreve në historinë e Festivalit të Këngës me një numër mbresëlënës prej 11 çmimesh të para.

Përpara vitit 1972 Festivali i Këngës kishte krijime me tematikë të gjërë nga jeta e përditshme deri sa me 1972 u fut në një periudhë censurimi. Tematika e krijimeve ishte tërësisht e kontrolluar. Në mesin e viteve ’80 pati një ndryshim pothuaj të menjëhershëm në krijimtarinë dhe çensura nuk ishte më aq strikte.

Në vitet ’90 me fillimin e ndryshimeve në vend, Fesivali i Këngës pati një hop në cilësinë dhe larminë e krijimeve. Këngët fituese të asaj kohe reflektonin realitetin e vendit me tematikë emigrimin dhe lirinë. Gjatë kësaj periudhe një e veçantë tjetër ishte perdorimi i fjalës “Zot”, e cila deri atëherë nuk ishte e lejuar as të përmendej. Pjesëmarrja e këngëtarëve nga jashtë kufinjve shtetërorë të Shqipërisë ishte nje tjetër risi në historikun e Festivalit. Pavarësisht kohëve të veshtira në gjysmën e dytë të viteve ’90, Festivali është transmetuar rregullisht çdo fund-viti.

li i Këngës në Radiotelevizion Shqiptar kanë qenë dhe mbeten një nga ngjarjet kulmore artistike shqiptare. Organizohet në çdo fund viti në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në të marin pjesë këngetarë të rinj dhe këngëtarë të afirmuar. Festivali zhvillohet gjatë disa netëve.

Anketa muzikore në radio

Nostalgjikët e atyre viteve e mbajnë mend mirë. Anketa Muzikore ishte programi më demokratik i fillimviteve ’70. Kishte një frymë më liberale dhe organizohej vetëm brenda Radio Tiranës, nga udhëheqësi artistik e deri tek drejtori i radios.

Anketa muzikore transmetohej çdo të dielë paradite sipas një skeme konkurruese. Çdo javë prezantoheshin katër këngë të reja, të cilat bazuar mbi preferencat e publikut që shpreheshin përmes letrave, konkurronin mes tyre dhe zgjidhej më e mira. Kjo këngë, bashkë me të përzgjedhurat e tjera konkuronte për të nxjerrë fituesen e muajit. Më tej, gara vazhdonte edhe për të nxjerrë fituesen e vitit nga anketa muzkore. Këtu kishte vend për këngë shumë të bukura dhe shumë moderne për kohën. Anketa muzikore e atyre viteve ishte një nga evenimentet më të rëndësishme. Këngët më të bukura merreshin edhe nga Televizioni Shqiptar për t’u xhiruar klipet e para. Në anketën muzikore të atyre viteve kanë marrë pjesë shumë kompozitorë si Kastriot Gjini, Aleksandër Lalo, Aleksandër Krajka, etj. Kritikët shprehen se nëse shumica e këngëve do të konkurronin për festival të RTSH, nuk do të ishin pranuar, pasi ishin një hap para kohës. Këngët e viteve ’70 që u përfshinë në anketën muzikore në të gjitha pikëpamjet ishin gjetje, kishin fabul dhe kishin melodi. Për kohën kanë qenë këngë shumë moderne. Ishin këngë dashurie dhe këngë që preknin edhe problemet shoqërore të asaj kohe.

Këngët e Stinës

Festivali “Kur vjen pranvera”, ose siç njihet edhe si “Koncerti i pranverës”, apo “Këngët e Stinës”, është një edicion muzikor, bazuar në muzikën e lehtë shqiptare. Kundrejt Festivalit në RTSH, ai ka ndikuar shumë në krijimtarin dhe prezantimin e shumë këngëve të muzikës së lehtë. Nga vetë emërtimi i tij, kuptojmë që bëhej fjalë me një konkurrim që ndryshe nga festivali i RTSH që mbahet në dhjetor, ky konkurrim mbahej në pranverë.

Në këtë festival spikat tematika e këngëve konkurruese, që është më e zhdërvjellët dhe më intime si dhe mënyra e orkestrimit, të cilës i jep diçka të veçantë që ndryshon nga festivali që mbahet në fund të çdo viti. Gjithashtu, këngët shoqërohen nga formacioni i vogël instrumental dhe jo nga orkestra e madhe e Radio Televizionit Shqiptar, duke i dhënë një tjetër frymëmarrje këngëve. Një traditë e bukur që fatkeqësisht, ashtu si Anketa Muzikore është ndërprerë e nuk vazhdon më, por që i dhanë aq shumë muzikës së lehtë shqiptare.

Neritana Kraja