Pranvera ka mbërritur dhe bashkë me të, ushqime të reja sezonale në pikën e tyre të pjekurisë optimale. Përdorimi i produkteve sezonale është mënyra më e mirë për tu siguruar që të hani çdo ushqim në mënyrën më të mirë. Për më tepër, është më ekonomike dhe më e respektueshme për mjedisin. Prandaj, zgjedhja e ushqimeve të përshtatshme çdo sezon është e dobishme në çdo mënyrë.

Recetat tradicionale te pranveres - foto homology.com

Recetat tradicionale te pranveres - foto homology.com

Për të prezantuar ushqime sezonale në menunë familjare, mund të filloni duke provuar disa nga recetat që do të gjeni më poshtë. Gatime plot aromë, ngjyrë dhe lëndë ushqyese për të siguruar një dietë të larmishme dhe të shëndetshme për të gjithë familjen.


Burani me spinaq

Burania me spinaq është një ndër pjatat fantastike, të shijshme, e pasur me vlera ushqyese, pjesë e traditës së kulinarisë shqiptare. Një gatim tradicional, i trashëguar brez pas brezi e që përherë mbetet ndër më të preferuarat e shqiptarëve, sidomos në pranverë. Burania është një pjatë e lehtë por e pasur me vlera ushqyese, kjo falë spinaqit, një nga burimet më të fuqishme të natyrës të hekurit dhe proteinave. E thjeshtë në përgatitje dhe e lehtë për organizmin, burania është një recetë fantastike për një drektë të shkëlqyer, të shëndetshme. Kjo pjatë shoqërohet mjaft mirë me sallata të ndryshme të stinës, sallata perimesh të zjera apo të pjekura, sallatë me ullinj e portokalle por edhe me byrekë të ndryshëm apo turshitë e shijshme të përgatitura nga amvisat shqiptare.

burania- foto agroweb.com

burania- foto agroweb.com

Për përgatitjen e buranisë kujdesemi qe të pastrojmë mirë spinaqin me ujë të rrjedhshëm. Pastaj pastrojmë qepët dhe i grijmë imët, hedhim në një tenxhere vajin e ullirit dhe shtojmë qepët. I vendosim në zjarr, shtojmë një pak fare oriz dhe e lëmë me kapak derisa të bjerë volumi i tyre. Orizi duhet hedhur menjëherë pas spinaqit, pasi duke thithur lëngjet që spinaqi lëshon, mund ta ziejmë orizin pa i shtuar fare ujë. Kjo gjë siguron një shije më të mirë. Mos harroni të shtoni pak kripë dhe ta mbani gjatë gatimit me kapak. Sapo të jetë zbutur orizi, bëni në sipërfaqen e spianqit, vendin për vezë. Do hidhni, sa vezë aq persona. Mbi to shtoni fare pak kripë dhe një grimë të vogël gjali. I vini kapakun dhe e largoni nga zjarri, sapo veza të mpikset. E shoqëroni me kos.

Pispili me qepë të njoma

Pisipilia është padyshim ndër gatimet më speciale në kuzhinën shqiptare. E përgatitur me kombinime të ndryshme mbushjesh, me djathë a me gjizë, me kos, qumësht e vezë, spinaq e hithra, apo kunguj e qepë domate, shija e tij në të gjitha variantet mbetet e papërshkrueshme. Një recetë që mahnit çdo turist të huaj që provon kuzhinën tradicionale shqiptare e që sigurisht nuk mungon në tryezat shqiptare. Me rastin e ardhjes së pranverës ne ju sugjerojmë një nga recetat fantastike të përgatitjes së pispilisë me qepë të njoma. Një gatim special që të kujton jo vetëm shijen e mirë dhe të nxit dëshirën për ta konsumuar sa më parë, por edhe të sjell ndërmend atmosferën në shtëpi kur ai gatuhet nga duart e nënës apo gjyshes. Pispili me qepë të njoma është një alternativë fantastike për tu konsumuar në çdo kohë të ditës. Ajo shoqërohet me kos, dhallë e djathë, sallata të freskëta të stinës, turshi e zahire të ndryshme të kuzhinës shqiptare.

pispili - foto agroweb

pispili - foto agroweb

Rreth 1 kg qepë të njoma, lahen mirë dhe grihen hollë, kaurdisen në një enë të mbyllur, sa të zbuten. Kur hiqen nga zjarri, shtoni edhe një fetë djathë të bardhë të thërrmuar, kripë, vezë, kopër ose nenexhik. Përzjerja lihet të zjejë derisa të ngelet me pak lëng. Më tej, në një tenxhere hidhet më tepër se gjysma e miellit të misrit. Shtohet ujë i nxehtë, kripë, vaj uliri dhe përgatitet një brumë i derdhur. Brumi hidhet në një tavë të lyer me pak vaj. Mbi të hedhim masën e qepëve të njoma dhe mbulohen me një shtresë mielli misri (hidhet me anë të sitës apo me anë të dorës). Spërkatet me qumësht ose ujë që të njomet mielli. Në fund spërkatet me disa pika vaj ulliri apo gjalpë të freskët dhe futet të piqet në furrë derisa të marrë një ngjyrë të kuqërremtë.

Tarator me kunguj

Kuzhina shqiptare është e pasur me receta të thjeshta e shumë interesante që na ushqejnë stomakun dhe shpirtin çdo ditë. E tillë është edhe receta e kungulleshkave me kos dhe hudhër. Ky gatim është mjaft i freskët dhe plotësues në shije. Përgatitja e kësaj pjate është shumë e lehtë. Atë mund ta servirni ose si pjatë të pare, ose duke shoqëruar gatime të tjera tradicionale ose jo. Receta e kungulleshkave me kos kërkon ajkë kosi të bërë në shtëpi. Shija e pjatës ndryshon kryekëput nëse ju përdorni kos të blerë në dyqan.

Tarator me kungulleshka - foto Rozafa cooking

Tarator me kungulleshka - foto Rozafa cooking

Në pak kohë ju do të keni një pjatë të mrekullueshme pranverore: Lani dhe pritini kunguj në feta të holla. Fetat e kungulleshkave mund t’i skuqni në tigan ose nëse në furrë. Varianti më i shijshëm është t’i skuqni në tigan deri sa të marrin një nuancë të artë që anon tek kafja. Hidhini një e nga një në një enë të madhe. Në një enë tjetër përzieni ajkën e kosit të bërë në shtëpi, hudhrat e prera imët ose të shtypura në havan, vajin e ullirit, kripën dhe piperin. Përzierja duhet të bëhet mirë që shija të jetë e njëtrajtshme dhe gjithëpërfshirëse. Hidheni atë sipër fetave të skuqura të kungulleshkave dhe vendosini në frigorifer për një orë ose më pak. Jeni gati për ta shijuar këtë shije të freskët pranverore.

Neritana Kraja