Foto: ATSH

Foto: ATSH

Kartëmonedhat e një vendi janë pjesë e identitetit kombëtar të tij. Simbolika e përdorur nëpër kartëmonedha është një shembull i mirë për të parë frymën e kohës kur ato janë prodhuar. Kartmonedha me figurën e mbretit Gent, Pjetër Bogdanit, Asdrenit, Naim Frashërit, Skënderbeut apo Ismail Qemalit, na shoqërojnë në të përdishmen tonë ndërsa paguajmë me para, në restorant, bankë, apo qendra tregtare. Shkurt, ne japim e marrim me portretet e këtyre personazheve, në cilësinë e lekut, të cilët janë përzgjedhur nga një komision ekspertësh së Bankës së Shqipërisë.

Kështu, pak e nga pak pjesa vizive e kartmonedhave shqiptare ka ndryshuar. Arsyeja e parë që mund të çojë në ndërrimin kartmonedhave, së pari lidhen me elementet e sigurisë, për ta mbrojtur paranë nga falsifikimi, duke u bërë të besueshme për publikun. Ndërsa arsyeja tjetër është tematika dhe elementët e dizajnit. Ky proces i hedhjes në treg të kartmonedhave të reja ka nisur nga 30 shtatori i 2019 dhe ka vazhduar gradualisht, deri me hedhjet në treg të prerjeve të fundit.

Seria e re e kartëmonedhave shqiptare ruan të njëjtën tematikë me kartëmonedhat ekzistuese, si një tematikë e gjithëpranuar nga publiku. Kjo tematikë evokon disa prej momenteve më të rëndësishme të historisë së kombit, zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik të vendit, përfaqësuar nga personalitete të spikatura, me kontribute të rëndësishme për Shqipërinë. Portretet e këtyre personaliteteve janë kombinuar në kartëmonedha me motive që lidhen me jetën, veprën, vendin dhe epokën në të cilën secila figurë ka jetuar.

Portreti i shkrimtarit të shquar Naim Frashëri, simbol i periudhës së Rilindjes Kombëtare, është stampuar në kartmonedhën e 200 lekëshit, shoqëruar me elementë të tjerë grafikë që, në të njëjtën kohë, përmbajnë dhe përcjellin simbolikën letrare.Kjo simbolikë, në të dyja anët e kartëmonedhës, na sjell ndërmend rëndësinë e veprës së Naim Frashërit dhe dashurinë e shprehur nëpërmjet veprimtarisë së tij letrare ndaj atdheut. Kështu, në anën e përparme të kartëmonedhës gjejmë në plan të parë portretin e shkrimtarit dhe në sfond një libër të hapur. Ndërsa, në anën e prapme është vendosur pamja e shtëpisë ku ka lindur Naim Frashëri dhe një fletë ku janë shkruar vargjet e tij: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar” dhe pena e tij.

Kartmonedha 500 lekë, që nga viti 1996, vazhdon të ketë të stampuar portretin me Ismail Qemalit. Ajo është rishtypur në vite, por imazhi ka mbetur i njëjtë. Kanë ndryshuar fare pak elementët teknikë, duke e lënë të stampuar të njëjtin imazh të ish kryeministrit të parë shqiptar. Në anën e përparme të saj është vendosur portreti i Ismail Qemalit, simboli i shqiponjës dykrenare të flamurit të pavarësisë, së bashku me penën me të cilën u nënshkrua akti i pavarësisë. Ndërsa në anën e prapme, është zgjedhur të vendoset ndërtesa ku u shpall pavarësia, dhoma ku u mor vendimi dhe telegrafi me anë të të cilit u shpërnda lajmi i shpalljes së Pavarësisë.

Kartmonedha 1000 lekëshe ka në anën e përparme portretin e Pjetër Bogdanit, shkrimtar, klerik e figurë e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare, të marrë nga frontespici i veprës së tij “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) dhe një simbol i tij mbi diellin. Në anën e prapme, në qendër paraqitet një simbol i idesë së Bogdanit me diellin në qendër. Në të djathtë ka një pamje të kishës katolike të Vaut të Dejës.

Kartëmonedha me vlerë 2000 lekë, emetuar për herë të parë si prerje e re në vitin 2007 mban portretin e Mbretit ilir Gent. Ajo paraqet elementin e fundit të mbetur jashtë asaj tabloje vlerash të së shkuarës, që Banka e Shqipërisë ka dashur të prezantojë në përzgjedhjen e personaliteteve përfaqësuese të periudhave historike më domethënëse për vendin tonë.Në anën e pasme të kartëmonedhës paraqitet bima medicinale Gentiana lutea, aftësitë kuruese të së cilës janë zbuluar prej tij, evidentohen elemente të arkitekturës së antikitetit, si dhe një detaj i stilizuar i anijes liburne.

Ndërkohë, kartëmonedha 5000 lekë është emetuar për herë të parë në vitin 1996. Ajo është rishtypur dy herë, me të njëjtën pamje dhe përmasë, por me elementë të përmirësuar sigurie. Personaliteti simbol i kësaj kartëmonedhe është zgjedhur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), heroi ynë kombëtar dhe figura më e shquar e historisë së popullit tonë, portreti i të cilit shquhet në pjesën e përparme të kartëmonedhës, së bashku me mburojën dhe shpatën e tij. Në anën e pasme është vendosur pamja e përgjithshme e Kështjellës së Krujës, përkrenarja dhe monumenti i Skënderbeut mbi kalë, që gjendet në qendër të Tiranës.

Foto: Banka e Shqiperise

Foto: Banka e Shqiperise

Pak histori në Shqipëri dhe në botë

Para viteve ‘90, kartëmonedhat dhe monedhat ishin pasqyrë besnike e mënyrës se si drejtuesit e vendit dëshironin që ta prezantonin vendin. Në to kishte shumë gra, por edhe burra, që të gjitha, anonime. Seria e parë e vitit 1947 paraqiste një partizan mashkull. Në vitin 1949, u shfaq një grua me një tufë grurë në krah ndërsa seria e vitit 1964, e cila ishte edhe më jetëgjata dhe që gjerësisht përbën atë që shqiptarët mbajnë mend, përmban kooperativistë dhe kooperativiste, punëtorë dhe punëtore apo objekte industriale. Kishte natyrisht edhe partizanë dhe partizane.

Vende të ndryshme kanë gjetur zgjidhje të ndryshme për dilemat që mbartin kartëmonedhat. Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë vende si Gjermania apo Franca zgjodhën që në kartëmonedha të kenë burra dhe gra që kontribuuan në arte, letërsi apo shkencë. Ndërsa Banka Qendrore Evropiane vendosi që në kartëmonedhat e saj të ketë dritare dhe dyer për të simbolizuar frymën e hapjes dhe bashkëpunimit ndërsa një seri e re paraqet imazhin e Evropës, perëndisë greke nga ku kontinenti ka marrë emrin. Vendeve anëtare u është krijuar mundësia të shprehin karakteristikat e veta kombëtare te monedhat, përfshirë të drejtën për të prodhuar monedha përkujtimore çdo vit.

Shqipëria e ka edhe një traditë të prodhimit të monedhave përkujtimore por jo të tilla që të jenë për qarkullim ndërsa dizajnët e tyre nuk bëjnë shumë dallim nga ato të monedhave dhe kartëmonedhave të zakonshme. Të tilla janë kartmonedhat në nderim të Skënderbeut, 100 vjetorit të Pavarësisë, apo 85 vjetorit të Tiranës kryeqytet. Për tu përmendur është fakti se në kartmonedhat shqiptare nuk gjendet as edhe një imazh gruaje me kontribute të rëndësishme të këtij vendi.

Neritana Kraja