Denardo Neziri është një aktor i ri që ka pasur mundësi të ketë disa role në prodhime kinematografike shqiptare si dhe në teatër. Ai është diplomuar për regji teatri dhe aktrim në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në një intervistë për CMG Denardo tregon për rrugëtimin e tij skenik si dhe peripecitë që ka kaluar për të arritur atë që dëshironte në fushën e kinematografisë dhe teatrit.

Denardo Neziri (Foto personale)

Denardo Neziri (Foto personale)

CMG: Kur ka nisur pasioni juaj për aktrimin?

Denardo Neziri: Ka nisur që në fëmijëri dhe si çdo fëmijë, në periudhën e moshës më të bukur kur krijon mitet e tij në kokë. Si fillim ka nisur spontanisht duke parë kukulla. Unë kam qenë i apsionuar pas filmave të asaj periudhe si “Zorro”, “Sandokani” dhe shumë filma të tjerë që kanë qenë të famshëm. Ka qenë gjithashtu “Pinoku” ku unë edhe qaja me aventurat tragjike të tij dhe lumturohesha kur ai kishte aventuara të bukura. Pra kështu ka lindur ky pasion që ka ardhur shumë natyrshëm tek unë.

Denardo Neziri gjate nje roli (Foto personale)

Denardo Neziri gjate nje roli (Foto personale)

CMG: Para se ju të nisnit studimet në Universitetin e Arteve, keni marë pjesë në disa filma shqiptarë si aktor amator.

Denardo Neziri: Në fakt unë kam luajtur që në fëmijëri, më pas u zgjerua pak ky udhëtim dhe fillova si amator, sigurisht me shfaqjet e fëmijëve në kishën tonë në Itali. Shumë natyrshëm dhe të çiltër, amatorë siç ishim pa e ditur këtë profesion, por gjithmonë me pasionin e madh për të luajtur dhe për t’u bërë aktor. Kështu ka nisur dhe më pas është zgjeruar me këmbënguljen time, me përpjekjet dhe pasionin e madh kam pasur fatin që të jem në kast në disa filma para se të nisja shkollën, filma të cilët janë realizuar mirë. Kështu ka nisur ky rrugëtim i bukur, që sigurisht ka pasur edhe peripecira.

Denardo Neziri, (Foto personale)

Denardo Neziri, (Foto personale)

CMG: Keni përfunduar studimet në Universitetin e Arteve. Sa e vështirë ka qenë për ju të studionit për degën që e kishit pasion që i vogël?

Denardo Neziri: Në fakt unë atë shkollë, të jem i sinqertë, e kam marrë me vështirësi. Unë kam konkuruar tre herë dhe herën e tretë e kam fituar. Gjërat që bëhen në shkollë unë i kisha bërë dhe gjatë eksperiencës në profesion në kinema, ku kisha marrë bazat dhe disa nga elementet e interpretimit. Kur u prezantova në shkollë unë i kisha pak si të miat, por jo në thelb aq të zhvilluara dhe të ngulitura si koncept. Ka qenë një vuajtje shumë e madhe sepse konkurova herën e parë, kur isha në filmin “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit, të cilin e përshëndes. Kisha një rol shumë të mirë dhe ironia e fatit është se një partnere dhe një tjetër ishin me mua në film dhe në komision në shkollë.

Kur konkurova herën e dytë nuk e fitova shkollën. Ishin periudha shumë të vështira sepse përveç bindjes që ti ke ushqyer gjithmonë si dhe pasionit që janë dy elementë shumë të fortë të njeriut, gjendesh i dobët dhe pa asnjë lloj mbështetje dhe thua se përse nuk po e fitoj, kur kam luajtur në film. Unë nuk jam dorëzuar, por i kam qëndruar hero luftës për të arritur lart. Nisa me shumë zell, me shumë dashuri dhe pasion dhe i përfundova studimet për degën e artit skenik, regji tetari dhe aktrim sepse unë e adhuroj teatrin.

Denardo Neziri me aktorin italian Romeo Girone (Foto persoanle)

Denardo Neziri me aktorin italian Romeo Girone (Foto persoanle)

CMG: Ku synoni të luani më shumë, në kinematografi apo teatër?

Denardo Neziri: Unë teatrin e adhuroj, por dhe kinemanë e dua padiskutim. Këto të dyja i kam pasion, por pak më shumë është teatri. Teatri përcjellë mesazhe të forta, të jep më emocion, të zhvillon më profesionalisht. Kam pasur fatin që më tepër të luaj në kinema sesa në teatër. Edhe në teatër sigurisht kam pasur goxha role, por që më tepër kam luajtur në kinema. Ndërsa në teatër kanë nisur eksperimentet dhe punët për pasionin që në shkollë. Edhe para se të nisja shkollën kam luajtur si amator, dhe deri në shfaqejn e fundit, monodramën e “Ditari i një të çmenduri”.

Denardo Neziri me aktorin Ndricim Xhepa (Foto personale)

Denardo Neziri me aktorin Ndricim Xhepa (Foto personale)

CMG: Si është pritur nga publiku monodrama juaj e fundit?

Denardo Neziri: Monodrama ime e fundit është pritur jashtëzakonisht mirë. Kur punon dhe je i sigurt që po bën maksimumin tënd, ti e pret benefitin. Të jem i sinqertë unë prita më tepër sesa mendoja, si nga komuniteti artistik, profesorët e mi dhe aktorët më të mëdhenj me eksperiencë, ashtu edhe nga publiku. Kishte një moment që një vajzë nga publiku më tha se përse e bëra atë monologun e fundit sepse ajo kishte humbër nënën e saj dhe për mua këtu është 100 përqind e arrirë si pjesë.

CMG: Këtë monodramë do të shfaqni premierë në vendet e tjera për publikun?

Denardo Neziri: Në fakt po, por që të jem korrekt për publikun, nuk kam akoma një datë fikse, por patjetër që do të shfaqet në vendet e Ballkanit dhe është në diskutim edhe me regjisorin Gjergj Menën të cilin e përshëndes.

Denardo Neziri,, (Foto personale)

Denardo Neziri,, (Foto personale)

CMG: Mendon se në kaq vite investim ke arritur atë që ke dashur në fushën e aktrimit?

Denardo Neziri: Jam i kënaqur me veten, jam i pranueshëm dhe ndjehem mirë për arsye sepse jam përpjekur shumë dhe kam luftuar shumë, por që të thuash e arritur jo sepse puna e aktrimit lind dhe vdes me ty. Kështu që mendoj se është e pafundme. Deri tani momentalisht për moshën që kam jam mirë dhe ndjehem mirë me veten time.

CMG: Cilat janë marrëdhëniet tuaja me artistët e rinj, por edhe ato me eksperiencë më të madhe?

Denardo Neziri: Patjetër që është mirë, dhe me sa kam kuptuar unë ne të rinjtë jemi më inatçorë. Unë kam dhe një natyrë që nuk përzihem shumë me thënë të drejtën, thjesht mundohem që të mbaj një raport korrekt si me bashkëmoshatarët e mi, artistët e rinj, po ashtu dhe me artistët e mëdhenj që janë më me eksperiencë se mua. Sigurisht që e ndjej shumë këtë ndjenjën e xhelozisë, ku kanë tentuar disa herë që të bëjnë gjëra, por që unë as nuk e mendoj dhe as nuk më mërzisin sepse profesioni jonë kështu është.

Denardo Neziri gjate interpretimit ne teater (Foto personale)

Denardo Neziri gjate interpretimit ne teater (Foto personale)

CMG: Keni ndonjë projekt së afërmi?

Denardo Neziri: Në fakt kam dy projekte, një projekt në teatër në Itali sepse dhe vetë jetoj në Itali bashkë me familjen time. Kam dhe një film me metrazh të gjatë që e kam fituar në audicion dhe tani po pres që të nisin xhirimet.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.

Denardo Neziri: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe artdashësit, të shikojnë sa më tepër teatër dhe film. Gjithashtu përshëndes të gjithë kolegët dhe miqtë e mi, familjen time në veçanti dhe një përshëndetje më të veçantë kam për nënën time, e cila ka qenë mbështetja më e madhe e gjithë kësaj autostrade jetësore që kam bërë deri më sot.

Intervistoi: Gazmend Agaj

Denardo Neziri interviste per CMG

Denardo Neziri interviste per CMG