Përkujtohet rrugëtimi i librit të parë shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut - foto ATSH

Përkujtohet rrugëtimi i librit të parë shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut - foto ATSH

Muzeu Historik Kombëtar ka kujtuar rrugëtimin e parë të librit të parë në gjuhën shqipe, Meshari nga Gjon Buzuku. Libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari i Gjon Buzukut”, nisi të shkruhej 468 vjet më parë, në 20 mars 1554 dhe përfundoi më 5 janar 1555. Muzeu solli me rastin e këtij përvjetori një fragment nga kjo vepër në dialektin origjinal në të cilin u shkrua:

“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor”.

Meshari i Gjon Buzukut është vepra letrare më e vjetër shqipe, e botuar dhe e ruajtur deri sot. Libri përbëhej nga 110 fletë por kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore, jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.

Gjirokastra feston karnavalet - foto Atsh

Gjirokastra feston karnavalet - foto Atsh

Gjirokastra feston karnavalet

Karnavalet ishin kryefjala e kësaj fundjave në qytetin e Gjirokastrës shoqëruar me një program të larmishëm aktivitetesh organizuar nga Bashkia. Festa e karnavaleve ka përfshirë organizimin e paradës së fëmijëve me kostumet shumëngjyrëshe në rrugët e kalldrëmta, koncerte artistike, çeljen e ekspozitave fotografike me imazhet e karnavaleve në vite, ekspozita në pikturë, promovimin e vlerave të traditës, folkut, kulinarisë artistike, etj.

Aktivitetet janë zhvilluar në zonën historike duke tërhequr turistët si dhe në pjesën moderne të qytetit. Bashkia e Gjirokastrës nëpërmjet këtyre aktiviteteve bëri të mundur rikthimin e organizimeve në Festën e Karnavaleve, e cila është një traditë e veçantë për qytetin. Gjirokastra ka festuar karnavalet që në vitet ’20 – ’30, e dëshmuar kjo edhe nga fotot historike ku kostumi tipik i kësaj dite ishte ai tradicional i zonës, fustanella labe. Kjo festë u rikthye 2 vite më parë pas më shumë se 6 dekadash mungesë.

Poezitë e poetëve shqiptarë recitohen tek “Reja” - foto Elva Margariti Facebook

Poezitë e poetëve shqiptarë recitohen tek “Reja” - foto Elva Margariti Facebook

Poezitë e poetëve shqiptarë recitohen tek “Reja”

Të apasionuar pas poezisë, qytetarë të shumtë kanë shijuar një mbrëmje poetike me krijimet më të bukura të dy prej poetëve tanë më të mirë, Fatos Arapi dhe Frederik Reshpja, nën interpretimin magjik të Luiza Xhuvanit dhe Ndriçim Xhepës.

Aktiviteti u mbajt në instalacionin “Reja”, një stacion i rëndësishëm i takimeve të artit në kryeqytet në vazhdën e Ditës Botërore të Poezisë. Interpretimet e dy aktorëve u shoqëruan në violonçel nga Ejona Nako”. Kjo mbrëmje erdhi si nismë e Ministrisë së Kulturës për të promovuar letërsinë shqipe.

Hap dyert shtëpia muze e shkrimtarit Sterio Spase

Hap dyert shtëpia muze e shkrimtarit Sterio Spase

Hap dyert shtëpia muze e shkrimtarit Sterio Spase

Pas dy vitesh në proces restaurimi, shtëpia-muze e Sterjo Spasses ka hapur dyert për vizitorët. Shtëpia ndodhet në fshatin Gollomboç në zonën e Pustecit, ku lindi, shkrimtari Sterio Spase, i njohur për romanin“Pse”. Tani kjo shtëpi, tashmë e restauruar, fton vizitorët në kërkim të një përgjigjeje. Prej dritareve kalimtarët pikasin pak, ndërsa pasi kalojnë pragun gjejnë copëza të jetës së shkrimtarit. 32 vite pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit, kjo shtëpi muze është një mënyrë për ta nderuar atë. Gjithashtu kjo shtëpi do të shërbejë edhe si një atraksion i shtuar turistik, për fshatin e vogël pranë Prespës.

“Pse-ja” e Spasses ishte jo vetëm simbol i krijimtarisë së tij që zgjati më shumë se një gjysmë shekulli, por edhe i objektit me vlera të veçanta arkitektonike.

“Dita më e bukur e jetës sime” ngjitet në skenën e Teatrit - foto Teatri Eksperiemental Kujtim Spahivogli Facebook

“Dita më e bukur e jetës sime” ngjitet në skenën e Teatrit - foto Teatri Eksperiemental Kujtim Spahivogli Facebook

“Dita më e bukur e jetës sime” ngjitet në skenën e Teatrit

Shfaqet në Teatrin Eksperimental komedia që ka si synim, kërkimin e lumturisë, qoftë edhe përmes divorcit. Pjesa me titullin “Dita më e bukur e jetës sime” është shkruar nga autori francez David Foenkinos dhe është vënë në skenë nga regjisori Ledio Topalli.

Është një komedi mbi emocionet, mbi marrëdhëniet njerëzore, divorcin, dashurinë... Flet mbi divorcin në stilin evropian, ku femra është e lirë, e pavarur, vendimmarrëse. Në thelb është dëshira e gjithsecilit nga ne, për të gjetur njeriun e përshtatshëm dhe lumturinë. Teksti i komedisë të fal shumë të qeshura, por edhe loja e mrekullueshme e aktorëve të bën të reflektosh shumë. Interpretojnë aktorët: Jorida Meta, Adelina Muça, Gentjan Zenelaj, etj.

Përgatiti: Neritana Kraja