Mozaiku është një pikturë monumentale decorative, që përfshin veprat e punuara me gurë kubikë të vegjël prej qelqi, qeramike, ose ndonjë materiali tjetër të qëndrueshëm me ngjyra. Gërmimet arkeologjike në Shqipëri kanë zbuluar një pasuri të madhe mozaikësh, sidomos në ultësirën bregdetare. Mjaft prej tyre janë zbuluar në Shkodër, Durrës, Apoloni, Sarandë, Butrint etj. Shumica e mozaikëve të zbuluar në Shqipëri tregojnë se kanë qenë dysheme kishash, paraklisesh të krishtera ose dysheme pagëzimoresh.

Bukuroshja e Durresit (foto wikipedia)

Bukuroshja e Durresit (foto wikipedia)

Bukuroshja e Durrësit

Mozaiku më i hershëm i zbuluar në Shqipëri është “Bukuroshja e Durrësit”, që daton në shek. IV para erës sonë. Si figurë qendrore ka kokën e një gruaje, të cilën e rrethojnë bisqe të mëdhenj me dredhëza, rrotëza, lule zambaku e lule kambane, që mbushin njëkohësisht të gjithë sipërfaqen e mozaikut. Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” u zbulua në vitin 1918 nga arkeologu austriak Kamilo Prashniker dhe daton në shekullin e katërt para erës sonë. Studiuesi i huaj ishte i pari që gjatë Luftës së Parë Botërore, në themelet e një shtëpie të vjetër në Durrës, zbuloi pamjen e mozaikut të lashtë.

U desh përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, rreth vitit 1947, që vepra të pastrohej nga dherat që e kishin mbuluar për t’ju nënshtruar kujdesit maksimal që e solli në dokumentarët e Muzeut. Figura kryesore e mozaikut është një vajzë e re që harmonikisht qëndron e rrethuar nga lule të shumta. Mozaiku ka formë vezake dhe është rreth 9 m2. Kompozimi i veprës, të quajtur në mënyrë metaforike “Bukuroshja e Durrësit,” përmban gurë të vegjël me ngjyra të forta në të kuqe, të bardhë, të zezë, të kaltër e të portokalltë.

Studiuesit thonë se fytyra e vajzës në mozaik është në unitet me tërë zbukurimoren prej lulesh dhe komunikon nëpërmjet mjeshtërisë së artit edhe në ditët tona. Në përgjithësi, dyshemetë me mozaikë në Shqipëri janë elementë karakteristikë që hodhën rrënjë në shumë ndërtesa publike apo shtëpi private ndër shekuj. Sot ky mozaik gjendet në Muzeun Historik Kombëtar.

Mozaiku i Pagëzimores (foto konica.al)

Mozaiku i Pagëzimores (foto konica.al)

Mozaiku i Pagëzimores

Në maj të vitit 1928, arkeologu Italiani Luigi Ugolini, teksa gërmonte gjatë ekspeditës së tij në Butrint, nën një mur që dukej jo shumë mbi tokë, punëtorët e tij panë të shfaqej një dysheme e dekoruar me peshq, zogj, një gomar, vile rrushi dhe drerë. Punëtorëve të Ugolinit, të cilët ishin më së shumti barinj të zonës, nuk i kishin zënë sytë kurrë më parë një mozaik. Me eksperiencën e tij prej profesionisti, Ugolini iu afrua pamjes rrethore me një transhe të thellë duke hequr ditë pas ditë dheun dhe duke zbuluar atë që do të quhej Mozaiku i Pagëzimores.

Mozaiku i Pagëzimores i përket periudhës kur krishterimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e vet. Në Perandorinë Romake të Lindjes, kjo është sipas studiuesve pagëzimorja e dytë për nga madhësia pas asaj në Kishën e Shën Sofisë në Stamboll. Mozaiku i Pagëzimores ka një kompozim të rrallë të motiveve të ndryshëm. Shtatë shirita rrethorë sillen rreth vaskës së pagëzimit në një sipërfaqe me diametër rreth 13,5 metër. Shiriti i parë dhe i pestë tregojnë një degë dredhësi, një bimë kacavjerrëse e zonës.

Shiriti i dytë dhe i katërt i mozaikut kanë medalione të lidhur me njëri – tjetrin që mbajnë brenda figura lulesh, zogjsh, bimësh, peshqish dhe kafshësh të egra. I gjithë mozaiku ka 69 medalione me figura të larmishme. Rrethi i tretë dhe i gjashtë kanë unaza të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa rrethi i shtatë, ai që rrethon dhe vaskën e pagëzimit, ka një qilim medalionesh me rombe. Mozaiku i Pagëzimores u hap për restaurim për herë të parë dy vjet më parë, pasi kishte qëndruar i mbuluar për shtatë vjet me radhë.

Mozaiku i Linit (foto porta vendore)

Mozaiku i Linit (foto porta vendore)

Mozaiku i Linit

Mozaiku i Linit është monument kulturor i cili ndodhet në fshatin Lin, në Pogradec. Është monument kulturor i mbrojtur me ligj. Kisha paleokristiane e Linit u zbulua për herë të parë në vitin 1967 nga një ekspeditë hulumtuese e punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit dhe doli në sipërfaqe plotësisht nga gërmimet e vitit 1968. Prej vitit 1973, ai është shpallur monument kulture i kategorisë së pare. Mozaiku i ekspozuar i Bazilikës së Linit, e cila ndodhet rreth 20 kilometra larg Pogradecit përbëhet nga disa kolona të punuara me mjeshtëri si dhe mozaikët me motive të njohura si zogjtë, gërshetat, kryqi i thyer apo lulet, por edhe elementë të rrallë për zonën dhe kohën.

Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit përbëhen nga motive që përfshijnë jo vetëm elemente të përdorura edhe në bazilikat e tjera si: “euharistia” (zogj që çukisin rrushin), motive me gërsheta, skena nga bota ujore, bimore dhe ajo shtazore, zvastika (kryqi i thyer) dhe lulet, por edhe motive që gjenden shumë rrallë si p.sh. bletët.

Ngjyrat më të përdorura për zbukurim janë e bardha, e zeza, e kuqja, kafja, jeshilja, e verdha dhe portokallia. Për ndërtimin e mozaikëve janë përdorur gurë të vegjël në formë kubikësh (tesera) me përmasa 1×1 cm, të cilët kanë më së shumti përbërje gëlqerore, por nuk mungojnë as kubikët prej mermeri, ata prej tulle apo kubikët prej brumi qelqi. Përveç pjesës së Pastoforit, pjesa tjetër e Bazilikës qëndron ende nën rërë. Gërmimet ndër vite dhe studimet arkeologjike kanë treguar se në shtresën arkeologjike që i përket shek. X-XI, ka gjurmë të një zjarri masiv. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, bazilika mendohet të jetë djegur deri në themel pasi vihet re se muret e saj janë rrafshuar tërësisht. Pas diegies, ajo nuk është rindërtuar më.

Neritana Kraja