Almira Laçi ka lindur në vitin 1986. Ajo ka studjuar për gazetari, ndërsa ka kryer masterin për marrëdhënie me publikun. Që prej vitit 2010 Almira punon në Radio Tirana, por pasioni i saj mbetet piktura. Ajo ka krijuar një faqe të vetën ku shet online krijimet e saj në pikturë, të quajtura “Artëza”

CMG: Almira dje dhe sot. Çfarë të nxit të reflektosh përballë vetes?

Almira Laçi: Kjo pyetje të bën të mendosh e shkon thellë në auto-psiko analizë. Do ta trajtoja në dy këndvështrime. Do ta ndaja veten time përballë pasqyrës e pastaj një vështrim analitik, një takim depërtues përtej refelktimit. Almira e kaluar thjeshtë është hera-herës mbase një vajzë që i pëlqen vetja, por më lejo të ndalem këtu. Më pëlqen vetja sepse nuk kam frikë të përballem me asnjë, të kaluarën, të tashmen dhe askënd. Krenarisht dhe modestisht, jam kjo që jam me të mirat mbase edhe me gabimet e mia, por kjo jam unë. Nuk them jo dhe nuk pendohem. Nëse do pyesnit ende pse më pëlqen vetja, do të thoja sepse dashuroj çdo gjë me çdo qelizë timen. E dua jetën me të gjitha dimensionet e saj. Përjetoj çdo fenomen edhe për të kuptuar gjatë pse ndodhi. Dua jetën!

Ndërsa në një formë tjetër ne ndoshta i zgjedhim vetë tiparet tona. Ka raste që i fshehim, ka raste që i rezatojmë më tepër seç duhet. Imazhi im është një valixhe e vjetër me sende, të cilat të shërbejnë për një udhëtim me njerezit më të dashur. Kjo pyetje më bën të mendoj shumë dhe në këto mendime gjej veten qëkurse isha e vogël me të njëjtin shpirt, por me një gjykim më të madh, me duart plot për çdo gjë. Një sy dashmirës dhe kritik ka mbizotëruar gjithnjë tek unë.

CMG: Ti dhe muzika, dy paralele që…

Almira Laçi: Bota është bërë më e bukur prej saj, më e dashur dhe më e pranueshme nga të gjithë. Mendoj që është “thembra e Akilit” për të gjithë.

Muzika bën njeriun, sjell njeriun në jetë, mbase eshtë dhe frymënxjerrja e fundit e njeriut. Ninullë, urim apo lutje të gjitha gjërat e bukura të muzikës vijnë nëpërmjet notave. Nuk bëj dot pa muzikë, dita ime është e gjitha me muzikë. Nuk parapëlqej një rrymë, por bëj mix.

Kur jam e mërzitur dua një muzikë, e cila më lë në atë gjendje ose më përmbys komplet. Muzika e gjen gjuhën për të shkuar në çdo gjendje, udhëtim, pranë vajzës apo pranë partnerit tim. Megjithatë duhet të them që një nga kolonat e mia të preferuara muzikore është “Do you love me?” Sharif Dean. Besoj fort që kjo është kolona zanore e të gjithëve.

CMG: A i beson yjeve, se çfarë kanë rezervuar për ty?

Almira Laçi: I besoj shumë yjeve. I besoj faktit që një univers është ndërtuar dhe mbahet nga fakti që yjet kanë përcaktuar dicka për ne.

Ne jemi vetëm një kokrizë e vogël rëre në duart e mëdha të galaktikës.

Është këmbimi i tyre me njëri-tjetrin, që përcakton çfarë ndodh në jetë. Ora jonë e lindjes, data e çdo gjë tjetër janë përcaktuese. Unë i besoj ciklet, por dua të ndalem edhe të them që njeriu nuk do kishte kuptim nëse s’do ishim të vëmëndshëm, përtacë apo jo puntorë. Kjo do të thotë që ne me punën tonë orientojmë fatin. Fati ka zënë vënd në makinën e jetës dhe ne duhet t’i japim drejtimin e duhur.

CMG: Cili ju ka ndikuar rrënjësisht në jetën tuaj?

Almira Laçi: Nuk ka një njeri të tillë, që të ketë lëkundur themelet e mia, por janë shumë njerëz që kanë ndikuar tek unë, E para që shtroi rrugën e të qenit grua tek unë është mamaja ime, tiparet e së cilës kanë ndikuar tëk unë dhe kanë ndërtuar atë që jam unë sot.

Roli, fryma dhe tiparet më kanë tipizuar mua. Nuk dua ta mohoj por është edhe shoqëria, nga ajo fitojmë shumë e marrim shumë pa e kuptuar Janë të gjithë artistët, që kanë rrënjosur shumë secili prej tyre.

Gjithashtu është edhe shoqëruesi im i jetës. Ai më ka forcuar dhe ndryshuar totalisht, më ka bërë të kuptoj jetën, përditshmërinë në një tjetër prizëm. Mbase padashur dhe pa i lënë shumë vend unë e kam mësuesin e jetës, që më mban dorën fort. Është prijësi im në të gjitha ditët.

CMG: Si e mban titullin jeta juaj?

Almira Laçi: Thonë që titulli duhet të jetë dhënës kështu që jeta ime është “Artëza”.

CMG:Cila është fotografia më e shtrenjtë në jetën tuaj?

Almira Laçi: Unë fotografinë e kam pjesë të jetës sime. Nuk mbaj mend që asnjë ditë të mos ketë kaluar pa bërë foto. Nëse do kishte një konkurs me numrin e fotove, do ta fitoja, sepse kam një numër të madh të tyre. Por unë përzgjedh momentin kur vajza ime doli në dritë është pikërisht ai çast kur ne kemi puqur duart tona. Përlotjen e këtij çasti po e kaloj me heshtje…

CMG: Çfarë ke lënë pezull që do doje ta vazhdonte vajza juaj?

Almira Laçi: Nëse bëhet fjalë për vlera, do doja t’i mbante e t’i stamponte për veten e saj, por në gjera konkrete nuk di të them.

Një pikturë të vogël do doja ta vazhdonte ajo. Por vetëm kaq. Në gjëra të tjera jo. Jam shumë partizane e të qenit unë. Ne duhet të luftojmë dhe të rrisim individë të mire, të fortë dhe të pavarur. Jo për të qënë dora e fundit e asaj që kemi nisur ne.

CMG: Do të doje të jetoje përjetësisht diku?

Almira Laçi: Jo, nuk do doja sepse unë nuk e dua rutinën. Ajo e mbyt shpirtin tim. Do doja të isha një endacake me një valixhe të mbushur me gjerat e nevojshme dhe vetëm të udhëtoja nëpër vende të ndryshme.

E kundërta dua një jetë bazike me njerëzit që jam, me familjen time, jo gjatë por afër atyre që më lindën në vendin tim.

CMG: Si është një ditë pa diell për humorin tuaj?

Almira Laçi: Një ditë pa diell është një ditë që nuk më motivon. Vërtet dielli të krijon njolla, por për zemrën të motivon.

Mungesa e dielli më le objektivat të fjetura e mbase më ndikon deri diku edhe në mendimet e mia momentale. Herë pas here ndjej edhe dhumbje koke. Një ditë pa diell më bën gjithë kohës ta gjej diellin. Unë në fakt e di se ku e kam diellin dhe shkoj e kërkoj edhe nëse do binte përjetë shi e do ishte gri. Unë e di se ku e kam diellin tim!

CMG: Jeta juaj nga momenti që jeni bërë nënë, si ka ndryshuar?

Almira Laçi: Nuk e paskam ditur se sa shumë gjëra paskam pasur mundësi të bëj. Që në momentin që jam bërë nënë unë kam ndryshuar gjithë koncpetin e jetës. Pastroj, gatuaj dhe çdo gjë tjetër. Për të lënë mënjanë modestinë, çdo grua i bën nga pak të gjitha. Për mua duke e kthyer në termin konkret, jeta tashmë e ndryshuar ka lënë mënjanë vajzën tek unë dhe ka marrë frenat një tjetër stad, duke më bërë më të ndjeshme dhe të fortë. Sot nuk kam më frikë nga asgjë!

Mëmësia është bekim. Unë mbyll e hap sytë dhe them “Faleminderit Zotit për krijesën time!”.

CMG: Cila është sfida juaj më e madhe?

Almira Laçi: Të qenit luftarake, por kjo e tjerrur në shpirt. Sfidë është ajo që unë jetoj sot e nëse kam një prirje të caktuar ndesh mospërqafim ng ata që më rrethojnë sepse nuk më kuptojnë. Kjo në një farë forme është sfidë.

Intervistoi: Megi latifi