Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka mirëpritur ekspozitën e një artisti grek, tek i cili veprat e artit janë frymëzuar nga fuqia njerëzore. Ekspozita titullohej “Ne jemi heronjtë tanë”.

Në këtë ekspozitë artisti grek Same84 prezantoi shumë nga punimet e tij të reja në telajo. Punimet e artistit grek, nuk janë të panjohura për shqiptarët, pasi ai ka qenë prej vjet pjesë e artistëve që kanë pikturuar muralet e Tiranës.

Kjo ekspozitë është e para e këtij lloji në Shqipëri.

Titulli i ekspozitës “Ne jemi heronjtë tanë”, i referohej pikërisht asaj që përmend titulli.

Siç shprehet artisti, “të gjitha veprat në ekspozitë janë të frymëzuara nga fuqia jonë njerëzore dhe nevoja për të nxjerrë nga vetja heroin që të gjithë e fshehim në shpirt.

Nisur nga ky arsyetim, artisti është përpjekur që me punët e tij të “ndërlidh” njerëzit e përditshëm që takojmë në përditshmërinë tonë, me heronjtë “modernë”. Në një mënyrë që tregon se është detyra jonë të ‘kapim’ vetë jetën tonë dhe më në fund të bëhemi “heronjtë tanë”.

Në këtë ekspozitë artisti grek i rrugës “Same 84”, prezantoi shumë nga punimet e tij të reja në telajo, të cilat janë punuar me teknikë të përzier, duke mbajtur kështu të njëjtën teknikë me të cilën punon muret në hapësirën e hapur publike. Ky fakt jepte një ndjesi të veçantë rrugës së kanavacës, ndërkohe që teksturat e çimentos dhe shkrimi me spërkatje e theksonin kë ketë ndjenjë. Karakteristikë e veprave të tij janë kontrastet shumë të forta.

Same 84 është një artist shumë interesant. Ai është një grafist shumë i mirë dhe këtë gjë mund ta shohim tek dy muralet që ka realizuar në Mural Fest, në shtatorin e vitit të kaluar. Vetëm pak muaj nga realizimi i muraleve, ai erdhi me 15 punë nga Greqia, ndërsa disa të tjera i realizoi në Shqipëri. Me punët e tij ai donte që të prezantonte historinë e qytetit, personazhet e tij, që nis nga mirëseardhja në aeroport, hotel, apo në rrugë, xhirot në Tiranë, njohjet përmes personazheve. Kështu ndodhi, ai futi 4 personazhe të reja në punimet e tij, plus tablonë e madhe të cilën e ka ekzekutuar në muze. Me mbylljen e ekspozitës, ai veprën do ta ndajë në tri pjesë dhe do ta dhurojë për 3 shkolla, duke e cuar artin e tij, sa më afër brezave të rinj.

Gjatë ditëve të ekspozitës, artisti grek zhvilloi edhe një vizita në Universitetin e Arteve ku me workshop-et e zhvilluar, tërhoqi interesin e studentëve.

Ekspozita e Same84 është pjesë e aktiviteteve për Kryeqytetin Rinor Evropian nën kujdesin e Kyriakos Iosifidis (UrbanAct) dhe Helidon Halitit, dhe mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar, bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës greke në Tiranë.

Koordinatorja e Përgjithshme e titullit “Tirana, Kryeqytet Evropian i Rinisë 2022” pranë Kongresit Rinor Kombëtar, Aspasjana Kongo, vlerësoi portofolin artistik të artistit grek “Same84” dhe theksoi rëndësinë e artit duke shprehur vëmendjen që Tirana EYC 2022 i ka dhënë nëpërmjet programit “Rinia prodhon Kulturë”.

“Shumë faleminderit Muzeut Historik Kombëtar dhe ambasadës greke për mbështetjen që na jep për realizimin e projekteve për të rinjtë. Për ne është një mbështetje që do të vijojë për të rinjtë dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë për të mbështetur një kalendar me shumë aktivitete përgjatë këtij viti”, u shpreh Kongo.

Kjo ekspozitë unike arti e organizuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, sipas njërit prej kuratorëve të saj, Helidon Haliti, do t’i paraprijë një sërë veprimtarish të ngjashme në vitet në vijim.

Neritana Kraja