Besa Kaziu është nga Dibra e Madhe e Maqedonisë së Veriut dhe që e vogël ka filluar të merret me muzikë. Ajo ka studiuar për gati 1 vit produksion muzikor në Akademinë “Muza”, pasi i pëlqen shumë muzika, të shkruajë tekste të këngëve si dhe ta krijojë atë në tërësi. Momentalisht Besa studion për shkenca kompjuterike në Tiranë ku dhe ka gjetur bashkimin e teknologjisë në muzikë, që dëshiron ta zhvillojë edhe më shumë. Në një intervistë për CMG ajo na tregon për rrugëtimin e saj muzikor si dhe projektet që pret t’i realizojë në të ardhmen.

CMG: Besa përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Autostradë.

Besa Kaziu: Përshëndetje dhe shumë faleminderit për ftesën. Kam kënaqësi të jem këtu.

CMG: Ju keni pasion muzikën dhe shkruani tekstet dhe muzikën e këngëve tuaja. Kur ka nisur ky pasion për muzikën?

Besa Kaziu: Ka qenë një moshë shumë e vogël dhe kam qenë 11 vjeç që po kërkoja një kitarë dhe ishte një kitarë plastike, që e kisha parë në një dyqan. Nuk e di, por isha shumë e pasionuar nga ato të famshmit që ndiqja në televizion dhe thashë se atë kitare dua ta marr dhe dua të shkruaj një këngë. Kështu që e mora fillimisht atë kitarë prej plastike që normal nuk ishte si një kitarë e vërtetë. Edhe prej aty fillova të mësoj sesi të mbaj një kitarë, prej këtu pastaj nisi pasioni më i madh dhe fillova kursin e parë për kitarë që ta mësoja më mirë. Pastaj vendosa që ta le kursin ku me akordet që mësova ishin dhe këngët e para që unë bëra. Në moshën 12 vjeç fillova që të shkruaj, normal që këngët ishin shumë bazike, por prej aty lindi ky pasion për muzikën.

CMG: Pëlqen që ti realizosh të gjithë komponentët e këngës vetë?

Besa Kaziu: Po, nuk ka ndodhur deri tani që dikush tjetër të shkruajë për mua. Mendoj se e ndjej shumë më mirë që unë të shkruaj vetë. Fillimisht e nis duke marrë kitarën dhe kap disa akorde dhe sipas akordit më vjen melodia në mendje dhe prej aty fillon gjithçka, por varet dhe sesi ndjehem në atë moment që të shkruaj.

CMG: Shumë të rinj, të cilët në moshë të vogël kanë pasion instrumentat muzikore, vijojnë studimet për kanto. Edhe pse ju që e vogël e pasionuar pas muzikës keni vijuar studimet në një drejtim tjetër, siç janë shkencat kompjuterike. Pse nuk vazhduat për muzikë?

Besa Kaziu: Kur kam qenë në gjimnaz unë nuk njihesha se luaja në kitarë apo këndoja. Askush nuk e dinte, as familja ime, pra ishte diçka që e mbaja shumë afër vetes sepse e kisha shumë për zemër. Një ditë mësuesja e muzikës kërkonte dikë për programin e shkollës dhe unë i thashë se dija të luaja pak në kitarë dhe pak të këndoj. Mësuesja më tha se donte të më dëgjonte dhe unë i thashë se kisha një këngën time që të ma dëgjonte. Kur unë i tregova këngën time ajo u habit dhe më pyeti nëse e kisha shkruar vetë dhe nëse vija nga një familje muzikantësh. Unë i tregova se prindërit e mi nuk e dinë që unë bëj muzikë. Ky ishte fillimi që unë e pashë se kisha talent në muzikë dhe mendova se ndoshta është më shumë se hobi. Pastaj kur përfundova gjimnazin vendosa për studime në shkenca kompjuterike, por thashë se do e ndjek zemrën time dhe do shkoj fillimisht për produksion muzikor që t’i përfshij të gjitha. Fillova studimet për shkenca kompjuterike që të bëja një lidhje të përbashkët, por të jem dhe pak më e logjikshme për jetën këtu, sesi shkojnë gjërat, sepse ndoshta është një rrugë shumë e vështirë që të jetosh me muzikën.

CMG: Ju keni mbaruar kursin për producente muzike te Akademia “Muza”. Si ishte si eksperiencë?

Besa Kaziu: Ajo ka qenë eksperienca më e bukur që kam pasur. Fillimisht kam pasur shumë frikë për shkak se e bëra këtë ndryshimin që a jam unë për këtu apo jo, a do ja dal apo nuk do ja dal. Por kur kam shkuar te “Muza Academy” më kanë pritur mirë dhe profesori im Edi Balili më vlerësoi shumë si për këngët dhe për çdo gjë. Mendoj se “Muza” ka nxjerrë diçka shumë të veçantë nga unë në pjesën e muzikës që do mbesë gjitmonë te unë dhe ajo eksperiencë nuk harrohet sepse më ka ndërtuar të jem kjo që jam sot.

CMG: Ju jeni nga Dibra e Madhe dhe studioni në Tiranë. Ju pëlqen kaq shumë Tirana, që e zgjodhët për studimet tuaja?

Besa Kaziu: Mua më pëlqen shumë gjuha shqipe dhe gjithmonë në Maqedoninë e Veritu është ky problemi i presionit që duhet edhe të dish maqedonisht dhe nëse do që të shkosh në një shkollë që është me kualitet në qytetin e Shkupit, duhet patjetër që të dish edhe gjuhën maqedonase. Mua më kishte munguar që të shkoja diku që të flas shqip dhe vetëm shqip, të shprehem në gjuhën shqipe kudo që shkoj, edhe në market apo në qendra tregatre dua që të flas shqip. Kjo ishte arsyeja për të studiuar në Tiranë sepse fillimisht mendova Prishtinën të them të drejtën, bisedova me një regjisor që është në Prishtinë i cili më tha se për këtë që unë kërkoja është vetëm Tirana. Kështu, unë prandaj zgjodha të qëndroj këtu dhe uroj që një ditë ta kem dhe pasaportën shqiptare dhe të jetoj gjithmonë në Tiranë.

Mua më pëlqen shumë Shqipëria dhe nuk do kisha dashur të largohesha kurrë jashtë nëse do kisha ndërtuar një jetë këtu.

CMG: Mendon që pasi të përfundoni studimet të investoni për jetën tuaj në Shqipëri?

Besa Kaziu: Kjo është e bukura e shkencave kompjuterike që ti mundesh edhe të punosh jashtë online dhe mund ta bësh jetën këtu, pra ta jep atë mundësi. Tani pse mos të investoj në këtë gjë sepse në Tiranë ka kaq shumë rini dhe gjallëri dhe mua më pëlqen.

CMG: Në cilin vit studioni dhe si janë marrëdhëniet me studentët e tjerë në universitet?

Besa Kaziu: Tani jam në vitin e dytë për shkenca kopjuterike në Universitetin e New Yorkut në Tiranë. Ka qenë pak e vështirë fillimisht sepse mendjen e kisha edhe te muzika, por duhet mendjen ta kisha edhe te mësimet. Pak e nga pak ja mora dorën ku dhe kam një raport shumë të mirë dhe me kolegët dhe shumë më vlerësojnë, e shikojnë që ma duan shumë muzikën. Një ditë bëra një projekt, matematika me muzikën të cilin e kam pasur që në gjimnaz dhe unë e spjegova në universitet sesi muzika ka një lidhje shumë të fortë me matematikën. Mendoj se ishte një eksperiencë shumë e bukur për të gjithë studentët si dhe për mua, por dhe për pedagogen që e priti shumë mirë.

CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugëtimin tuaj artistik, por dhe për studimet në Tiranë?

Besa Kaziu: Familjen e kam pasur gjithmonë për çdo gjë sepse unë nuk vij nga familje muzikantësh dhe ndoshta nuk do ta kuptonin botën time të muzikës. Familja më ka mbështetur në mënyra të ndryshme për çdo gjë.

CMG: Gjatë këtyre viteve që jetoni në Tiranë ju ka munguar vendlindja apo dhe familja bashkë me shoqërinë?

Besa Kaziu: Normal dhe gjithmonë do më mungojë. Mendoj që duhet të marr disa njohuri këtu dhe t’i çoj edhe në Dibër të Madhe sepse e ndjej si një shqetësim që duhet të kujdesem dhe për njerëzit atje, për artistët e rinj që mund të ketë në Dibër, për ata të rinj që ndoshta kanë qenë dikur në vendin tim, që dinë të shkruajnë, të luajnë në instrument, por ndoshta dikush tjetër nuk i dëgjon. E mendoj shumë shpesh këtë pjesë, por ndoshta nuk është koha e duhur, ndoshta më duhet edhe pak kohë që unë të formohem më shumë që të kem mmundësi të kontriboj në vendlindjen time sepse normal asnjëherë nuk mund ta harroj.

CMG: Besa shpresoni që në të ardhmen të keni një studion tuaj muzikore?

Besa Kaziu: Unë mezi pres ta kem një studio dhe ajo është ëndërr për mua, por normal që kërkon investim dhe është në listën e ëndrrave të mia.

CMG: Pak më parë u shprehët se doni të jetoni përgjithmonë në Shqipëri, por a mendon se edhe këtu mund të jetë vështirë për të gjetur një punë që dëshiron?

Besa Kaziu: Normal që ka shumë vështirësi, veçanërisht në pozitën time që jam studente dhe dua të realizoj videoklipe, të bëj këngë apo shkollën. Ka shumë shpenzime, por pa sakrificë nuk do mund të kisha arritur askund. Kështu që kjo është një sakrificë që unë po marr për një të ardhme më të mirë që unë besoj se do ja dal sepse jam një person që gjithmonë gjej në zgjidhje dhe një rrugë.

CMG: Jeni e kënaqur me këto që keni arritur deri tani?

Besa Kaziu: Jam e lumtur, por jo e kënaqur sepse kërkoj më shumë nga vetja ime. Kam nxjerrë dy projekte dhe po pres të nxjerr dhe më shumë projekete, kështu që në këtë pjesë akoma po punoj.

Intervistoi: Gazmend Agaj