Ciceronia më e vjetër në Zonën Artistike 798 të Pekinit

“Më quajnë Chen Shaoqin dhe jam 71 vjeçe. Para se të vija këtu, isha një shtëpiake që merrej me punët e përditshme të shtëpisë çdo mëngjes, por tani kënaqem që jam bërë një shpjeguese vullnetare muzeu,” thotë Chen ndërsa i prezantohet një shikuesi në Qendrën e Artit Bashkëkohor “Ullens” (UCCA), që ndodhet në Zonën Artistike 798 të Pekinit.

Atë e kanë pyetur disa herë pas dhënies së shpjegimeve për grupet e vizitorëve nëse është profesoreshë e historisë së artit në pension.

Pavarësisht se ka vetëm diplomën e shkollës së mesme dhe ka pasur pak njohuri për botën e artit në pjesën dërrmuese të jetës së saj, Chen është ndër shpjeguesit më popullorë sot në UCCA, ku pjesa kryesore e ciceronëve kanë sfond akademik zyrtar.

“Punët e mia të përditshme janë për mbijetesë, ndërsa arti pasqyron jetën time shpirtërore,” i tha ajo CGTN-it.

Nuk është kurrë vonë të fillosh

“Në fakt, më mungojnë shumë kualifikime. Nuk kam arsimim, diploma, pamjen e jashtme, as aftësinë e të folurit të gjuhës standarde kineze,” thotë ajo. “Megjithatë, këto vepra arti të bukura më kanë shfaqur një botë të ndryshme. Ka aq shumë bukuri të papërshkrueshme në këtë botë”.

Për Chen-in, burimi më i madh i frymëzimit vjen nga mësimi për artistët kinezë që arritën sukses vonë në jetën e tyre. “Nga arritjet e tyre mësova se nuk është kurrë vonë të fillosh një karrierë të re,” shprehet ajo.

Në vitin 2008, Chen u shpërngul në Pekin nga Xiamen-i në Kinën Jugperëndimore për t’u kujdesur për mbesën. Çdo pasdite, pasi merrte vajzën dyvjeçare nga kopshti i fëmijëve, Chen bënte shëtitje në Zonën e Artit 798, një hapësirë krijuese moderne, e transformuar nga një distrikt fabrike, që është bërë një nga destinacionet më të pëlqyera në Pekin.

“Kjo ishte përvoja ime e parë me botën e artit,” rrëfen e moshuara.

Para ardhjes në Pekin, ajo kishte marrë njohuri për artin vetëm nga dokumentarët. Në vitin 2010, e tërhequr nga tre dinozaurë të kuq të vendosur në hyrje, ajo hyri në UCCA dhe pagoi 500 juanë (afro 72.82 $) për anëtarësimin në këtë qendër, pasi lexoi manualin.

Gjashtë vjet pas anëtarësimit, 67-vjeçarja e atëhershme mori ftesë për t’u bërë cicerone dhe nisi udhëtimin e ri në botën e artit.

Ekspozita e artistit italian Maurizio Cattelan-it: "Gjykimi i Fundit” në UCCA, në nëntor 2021/ VCG

Ekspozita e artistit italian Maurizio Cattelan-it: "Gjykimi i Fundit” në UCCA, në nëntor 2021/ VCG

Chen-i ishte një nga shpjeguesit në nëntorin e kaluar, kur një ekspozitë me titull: “Maurizio Cattelan: Gjykimi i Fundit” u zhvillua në UCCA.

“Asgjë nuk e frikëson artistin e diskutueshëm italian Maurizio Cattelan, që ndërhyn dhe tallet me botën e artit si një i huaj. Duke qenë një artist bashkëkohor i vetëmësuar, Cattelan e ka frymëzuar vazhdimisht botën e artit nëpërmjet maksimizimit të potencialit të tij energjik,” rrëfen Chen.

Gjatë mbi katër vjetëve të fundit, së moshuarës i është dashur të vijë në UCCA 30 minuta përpara çdo turi me një listë dygjuhëshe me fjalët përkatëse në kinezishte dhe anglishte. Krahas informacioneve mbi ekspozitën, ajo ka gjithashtu shpjegime dhe analogji të zgjeruara nga leximi i saj i përditshëm. “Dua të shtoj shënime të reja dhe informacione përkatëse në dosje nga mësimet dhe mendimet e mia të përditshme,” shprehet Chen-i.

Nëpërmjet leximit të një literature të pasur mbi jetën dhe idetë të artistëve, ajo mund të thotë gjithmonë diçka të re.

71-vjeçarja ndoshta është ciceronia më e vjetër me mbi 3 mijë orë përvojë, por stili i saj energjik dhe lirik ka tërhequr shumë shikues.

“Arti më ka sjellë në kontakt me këndvështrime mbi botën dhe më ka prezantuar një numër të madh perceptimesh, idesh dhe njohurish të ndryshme,” thotë ajo.

Pavarësisht se ka vetëm diplomën e shkollës së mesme dhe ka ditur pak mbi artin në pjesën dërrmuese të jetës, Chen-i është bërë ndër shpjeguesit më popullorë sot në UCCA, ku pjesa dërrmuese e ciceronëve të artit kanë sfond zyrtar dhe akademik./ foto nga He Guanxin

Pavarësisht se ka vetëm diplomën e shkollës së mesme dhe ka ditur pak mbi artin në pjesën dërrmuese të jetës, Chen-i është bërë ndër shpjeguesit më popullorë sot në UCCA, ku pjesa dërrmuese e ciceronëve të artit kanë sfond zyrtar dhe akademik./ foto nga He Guanxin

Një udhëtim i vetëzbulimit

Për Chen-in, bërja cicerone është një udhëtim vetëzbulimi, sepse historitë e artistëve shpesh rezonojnë thellësisht me të.

“Mesatarja e jetëgjatësisë së parashikuar të femrave është rreth 80 vjeçe në Kinë. Kështu, të moshuarit si unë, që dalin në pension zakonisht në moshën 55 - 60 vjeçe, pse të mos e ruajnë gjallërinë e shpirtit? Jam ende e re,” thekson ajo.

“Ndryshe nga vullnetarët e rinj që duhet të shpenzojnë kohë në shkollë ose punë, unë mund ta përqendroj të gjithë vëmendjen time në punën si cicërone,” shton e moshuara.

Jeta ka qenë sfiduese për të në Pekin, me pension prej 4 mijë juanësh (630 $) dhe të ardhurat nga një punë me kohë të pjesshme më pak se 2 mijë juanë (315$), për të përballuar qiranë e një apartamenti të vogël afër zonës 798, pasi ajo u shpërngul nga apartamenti me 3 dhoma gjumi i familjes së të birit, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare.

“Për sa kohë që kemi dashuri dhe guxim për kërkim, jemi ende të reja,” thotë ajo.

“Arti më ka sjellë në kontakt me këndvështrime mbi botën dhe më ka prezantuar një numër të madh perceptimesh, idesh dhe njohurish të ndryshme,” thotë Chen-i./CGTN

“Arti më ka sjellë në kontakt me këndvështrime mbi botën dhe më ka prezantuar një numër të madh perceptimesh, idesh dhe njohurish të ndryshme,” thotë Chen-i./CGTN

Tashmë në vitin e katërt në UCCA, Chen-i e ka treguar vlerën e saj si një cicerone arti. Tani ajo bën shpjegime në paraekspozitat për shitje me ankand dhe në transmetimet e drejtpërdrejta në “Art-pro”, një aplikacion në celular kinez për shitjen në ankand të veprave të artit, i cili i jep asaj një pagesë prej 3 mijë juanësh për çdo transmetim.

Së bashku me 40 artistë e kuratorë të tjerë, ajo u bë anëtarja e një jurie që zgjodhi 20 artistët me ndikim më të madh të vitit në “Hi-art”, një ndër revistat kryesore të artit në internet në Kinë.

Mbesa e saj e përkrah rrugën e Chen-it, duke postuar komente të favorshme ose duke shprehur “pëlqime” në llogarinë e saj në rrjetin social.

“Nëse ke gjëra për të dashuruar dhe kërkuar, kjo të ndihmon të ruash rininë dhe gjallërinë. Çfarëdo që të pëlqen, ngul këmbë dhe jeta do të bëhet e pasur dhe interesante,” thotë ciceronia 71-vjeçare kineze. (Wang Lei/ Artan)