Nuk është e nevojshme të presim për një ditë kalendarike ,që të kujtojmë mjeshtrit e mëdhenj të skenës së teatrit. Emra si të Sandër Prosit, Kadri Roshit, Pjetër Gjokës, Pirro Manit, Violeta Manushit, Drita Pelingut, etj., janë emra të gdhendur në kujtesën tonë artistike dhe ne ndjejmë krenari për ta sa herë i sjellim ndër mend. Megjithatë, muaji i teatrit, është një mundësi e mirë, për t’i rikujtuar dhe nderuar emrat e mëdhenj të skenës shqiptare.

Muaji mars është shpallur si “Muaji i Teatrit”. Nisur nga kjo, ministria e Kulturës Elva Margariti, i ka kushtuar vëmendje përkujtimit homazh të mjaft aktorëve, që sot nuk jetojnë më, ose që për arsye të moshës janë ndarë nga skena.

Vendi i parë në këtë nderim i takoi aktorit Kadri Roshi. “Mirënjohje për aktorin e madh Kadri Roshi, pa të cilin skena dhe ekrani shqiptar nuk do të ishin të njëjtët”, u shpreh Margariti. Kadri Roshi lindi më 1924 dhe u nda nga jeta më 2007 në Tiranë. Përfundoi studimet e larta në Pragë dhe filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare, duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi. Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë.

Aktori tjetër i nderuar nga Ministria Margariti, është aktori i shquar Sandër Prosi, gjithnjë në kuadër të “Muajit të Teatrit”. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e kujtoi Aleksandër Prosin, si një nga aktorët më të mëdhenj të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, që ka lënë pas figura të paarritshme. Sandër Prosi është një prej aktorëve ikonë të artit shqiptar. Personazhet e realizuar prej tij kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë. Për brezat e rinj që nuk kanë pasur fatin ta shohin në skenë, mund të themi se aktori, ka lindur në 1920 në qytetin e Shkodrës. Mbaroi gjimnazin në Tiranë, ku edhe pse shumë i ri, mori pjesë në dramën “Vilhelm Tel”. Shkoi për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi kurrë, pasi pasioni për tu bërë aktor ishte mjaft i madh. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike. Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë, ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të aktrimit. Ai krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si dhe mjeshtërve të huaj. Me personazhet e krijuar prej tij, ai ka hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje.

Në spektrin e nderimit të aktorëve të ndarë nga jeta, por me kontrbute të jashtëzakonshme është edhe aktori dhe regjizori, Pirro Mani, një personalitet i skenës, të cilin ministrja e kulturës e nderoi. Ajo deklaroi se “Muaji i Teatrit, nuk mund të kuptohet pa kujtimin e mjeshtrit të regjisë skenike, një shkollë për brezat e rinj, Pirro Mani”.

Pirro Mani lindi në 1932 në Korçë. Ai njihet më tepër nga publiku shqiptar si ndër regjisorët më brilant sidomos në Teatër. Ndoqi studimet e larta për kinematrografi në Moskë dhe këtu zuri fill rruga e tij drejt skenës.

Ishte koha kur regjisorët e diplomuar në shkollat e Europës Lindore, po krijonin personalitetin e tyre artistik, në kohën kur teatri shqiptar kishte nevojë të shprehej fuqishëm. Me t’u kthyer në atdhe, drejtoi për disa vite teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, ku arriti të krijonte një bërthamë të mrekullueshme aktorësh, të cilët e ngjitën teatrin e qytetit, në piedesatl.

Pirro Manin së bashku me Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipin, Stavri Shkurtin e të tjerë, realizuan atje vepra me vlera të qëndrueshme e që lanë mbresa në kujtesën e artdashësit.

Një pjesë e aktorëve që përmendëm nuk jetojnë më, prandaj përmendja e emrave të tyrë shërben njëkohësisht si homazh për kontributin e tyre.

Megjithatë kulmin e suksesit, ky mjeshtër i aktrimit dhe i regjisë e arriti me Teatrin Kombëtar në Tiranë, ku punoi shumë vite si regjisor. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, Pirro Mani për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale. Regjisori Mani është nderuar me shumë çmime si dhe i është akorduar titulli “Artist i popullit”.

Në fokusin e homazhit për aktorët e teatrit që nuk jetojnë më dhe punës së tyre të shkëlqyer, zonja Margariti, ka vecuar emrin e një aktoreje.

“Kujtojmë me respekt një nga zonjat e rralla të skenës dhe ekranit, aktoren Antoneta Papapavli!”, shprehet Margariti. Antoneta Papapavli ka interpretuar mbi 50 role në Teatër, si dhe shumë role në kinematografi. Aktorja lindi më 1938 në qytetin e Përmetit. Studimet i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, dega e dramës dhe u emërua aktore në Teatrin Popullor. Në mbi 20 vjet karrierë artistike, ka interpretuar dhjetëra role në teatër dhe në filmin artistik shqiptar. Ajo mbahet mend me rolet në teatër si Olimbia tek “Karnavalet e Korçës”, Drita te “Drita”, Mara te “Toka jonë”, Deizi tek “Arturo Ui”, Bajamja te “Fytyra e dytë”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri”, Adela te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Gjyshja te “Hijet e natës”, Cuca tek “Cuca e maleve” etj, si dhe shumë e shumë role në kinema. Ngjitja e saj e fundit në skenë është në komedinë “Pallati 176”, ku interpreton rolin e nënës së Elsës, në variantin e dytë të komedisë. Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe dekorata të ndryshme. Ajo u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Jemi akoma në mes të muajit mars dhe kemi shumë për të kujtuar nga aktorët tanë. Homazhi për ta nuk merr fund as me një ditë, e as me një muaj. Lista e atyre që nuk jetojnë më është e gjatë dhe momenti është q ëtë kujtojmë secilin prej tyre, që e ngritë teatrin nga asgjëja dhe e thyen në një element të dashur e të respektuar për publikun e kohës.

Ndërkohë që Ministria e Kulturës ka ndërmarrë personalisht nismën në fjalë për të kujtuar dhe nderuar aktorët e pavdekshëm të teatrit, disa artistë dhe studiues të teatrit i kërkojnë Ministrisë së Kulturës më shumë investime për teatrin në vend. Problem sipas tyre janë disa, por ata evidentojnë si problemet më kryesore: veprat shqiptare, që pak shihen në skena, si dhe mungesën e financimit për teatrin, që vështirëson mundësitë e qarkullimit të trupave të ndryshme teatro dhe pengojnë qarkullimin e vlerave të veprave të tyre.

Neritana Kraja