Prej një jave në teatrin e Metropolit në Tiranë, kultura, tradita, gjuha e mbi të gjitha muzika arbëreshe u bënë kryetemë e mbrëmjeve. Artistë nga Shqipëria, Italia, Kosova dhe nga Franca, janë artistët performues të këtyre mbrëmjeve kulturore, që nisën me 10 mars dhe për gjashtë netë po shoqërojnë mbrëmjet e Tiranës në skenën e teatrit.

Poster i aktivitetit - Foto Teatri i Metropolit

Poster i aktivitetit - Foto Teatri i Metropolit

Teatri Metropol në bashkëpunim me Tirana European Youth Capital (TEYC 2022) dhe Kongresin Rinor Kombëtar po prezantojnë projektin e ri artistik, festivalin MetroSound - “Jehonë Arbëreshe”, i cili po pritet me interes nga artëdashësit.

Koncerte para publikut, por edhe takime mbi kërkime etnomuzikologjike dhe antropologjike, po prezantohen në dimensione, jo vetëm të botës muzikore, por shkojnë edhe përtej saj. Ky takim i mbështetur tërësisht mbi kulturën arbëreshe, si një homazh për kulturën muzikore, vjen në drejtimin artistik të pianistit, multinstrumentistit dhe kompozitorit, Robert Bisha, i cili prej vitesh jeton në Itali. A është muzika diçka e veçantë që asnjë art tjetër nuk ka mundësi t’a bëjë?! Kjo është pyetja që po na shoqëron në këtë udhëtim muzikor dhe që publiku në fund do të arrijë t’i japë një përgjigje.

Foto te aktivitetit - foto nga Teatri i Metropolit

Foto te aktivitetit - foto nga Teatri i Metropolit

Sipas Robert Bishës, “Jehonë Arbëreshe”, është një projekt, i cili po organizohet për të hapur gjithnjë e më shumë dimensione të tjera koncert pas koncerti dhe për t'i dhënë mundësinë publikut të jetë totalisht pjesë e këtij evenimenti tematik. Çdo natë po prezantohen takime koncertore me artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Franca, ku të gjitha janë dedikuar si një homazh për kulturën muzikore arbëreshe.”

Programi artistik nisi me një takim mes studiuesish, etnomuzikologësh e antropologësh, ku kryefjala e këtij eventi ishte etnomuzikologu Nicola Scaldaferri, kompozitor dhe profesor në universitetin e Milanos dhe pikë referimi nga etnomuzikologët shqiptarë. Gjatë këtij takimi ku pati diskutime të ndryshme mbi kulturën, gjuhën dhe muzikën arbëreshe, u shfaqen edhe shumë video me fragmente mbi jetën arbëreshe. Takimi u hap nga fjala e drejtoreshës së Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, drejtoreshës së teatrit Metropol, Armela Demaj dhe u moderua nga drejtori artistik i këtij projekti, pianisti dhe kompozitori Robert Bisha.

Robert Bisha (majtas)ne dashkebisedim me Nicola Scaldaferri (djthtas)- foto Teatri i Metropolit

Robert Bisha (majtas)ne dashkebisedim me Nicola Scaldaferri (djthtas)- foto Teatri i Metropolit

Nicola Scaldaferri është i njohur për kërkimet e tij etnomuzikologjike, të cilat janë të çmueshme jo vetëm në kultet e ndryshme shqiptare apo të diasporës tone, por edhe në shumë hapësira gjeografike dhe muzikore. Janë sot objekte të mirëfillta studimi në universitetet evropiane të etnomuzikologjisë. Scaldaferri është një karakter i spikatur, observues i vëmendshëm dhe rebel në përzgjedhjet e tij kërkimore. Takimi dhe biseda e zhvilluar mes tij dhe të pranishëmve në sallë, ishte tepër interesante dhe shërbeu si një dritare komunikimi mes kulturave tona.

Në ditën vijuese, më 11 mars, u ngjit në skenë grupi femëror i polifonisë tradicionale arbëreshe “Lule Sheshi” nga Shën Kostandini i Arbëreshëve, i udhëhequr nga M° Scaldaferri, por dhe siç e do tradita, të shoqëruara edhe nga nënat e tyre. Ishin pesë vajza të reja që kënduan me shumë pasion dhe çiltërsi polifoninë e gjyshërve të tyre, polifoninë e tyre arbëreshe shumë të pasur dhe me influenca bizantine, por dhe kujtime nga polifonia që karakterizonte shqiptarët në vitet 1400. Kjo polifoni është ruajtur dhe trashëguar nga ky kor i vajzave, të cilat sollën në teatrin Metropol një koncert të rrallë, duke përçuar botën arbëreshe.

Nga takimi me Nicola Scaldaferr - foto Teatri i Metropolit

Nga takimi me Nicola Scaldaferr - foto Teatri i Metropolit

Duke ndjekur mbrëmjet arbëreshe të Tiranës dhe njëkohësisht programin e përzgjedhur, vërehet një program mjaft selektiv dhe interesant. Në mbrëmjen e 12 marsit, u ngjit në skenë, Samaja, një trio vokale impresionuese nga Parisi. Ishte kjo trio dinamike e vajzave, të cilat sollën me plot muzikalitet dhe emocione, këngë nga Mesdheu të kënduara në gjuhët origjinale dhe me mjeshtëri të arranzhuara dhe të luajtura në instrumenta tradicionale. Me interpretimin e tyre, nisur nga pasioni i përbashkët për mikro – kulturat në botë, ato sollën muzikën e popujve të ndryshëm, duke fituar simpatinë e publikut që i ndoqi me shumë interes.

Ndërsa netët pasojnë njëra tjetrën dhe aktiviteti vazhdon në Tiranë, surpriza është ruajtur për datën 17 mars, një natë ndryshe nga netët e mëparshme, e cila do të shkëputet nga polifonia vokale dhe do t’i dedikohet kryesisht muzikës instrumentale. Kitarristi dhe kompozitori Paolo Angeli, do të prezantojë projektin e tij të fundit “JAR’A”. Ai është një artist që bën kërkime mbi muzikën mesdhetare, të folkut të pasur të Sardenjës, e cila duket si një orkestër që shkon në të gjitha drejtimet që dëshiron. Gjithashtu gjatë koncertit të tij, kitaristi Paolo Angeli do t’i dedikojë një pjesë të veçantë si homazh kulturës muzikore arbëreshe.

Nga dita e pare e Festivalit - Foto Teatri i Metropolit

Nga dita e pare e Festivalit - Foto Teatri i Metropolit

Një natë më pas, do të performojë në një koncert Robert Bisha, në piano solo, koncertin me titullin: “Nostalgjia Arbëreshe” Shqipëri- Itali. E ka titulluar “Nostalgjia Arbëreshe”dhe ka përgatitur partitura enkas për këtë project, nën një përshkrim poetik dhe nostalgjik. Robert Bisha ka zgjedhur serenatat e famshme arbëreshe, polifoninë underground dhe influenca kishtare bizantine për t’i sjellë gjatë koncertit. I gjithi nën dritën e ngrohtë të skenës, një homazh ëndrrës arbëreshe. Ndërsa nata e fundit, ajo e 19 marsit, do të ngjisë në skenën e Teatrit Metropol një grup artistësh “Kolektiv- Score for Arbëresh” të drejtuar nga Robert Bisha, me pjesëmarrje nga artistë shqiptar dhe Italian. Janë artistët Agona Shporta vocal, Anastasia Skënderaj, soprano, Stefano Dalla Porta në kontrabass, Simone Sferruzza, në drum dhe electronics, Robert Bisha, piano, kitar, kompozim, ku simbolikë të këtij koncerti kanë zgjedhur gjithashtu homazh mbi kulturën arbëreshe. Do të luhen partitura të kompozuara posaçërisht për momente koncertore me rëndësi kërkimore si dhe për momente feste, ku hareja përcjell publikun drejt një tjetër dimensioni tipik të disa fshatrave arbëreshe.

Arbëreshët të larguar nga Shqipëria para 600 vitesh drejt brigjeve të Italisë, për të mos iu nënshtruar pushtimit nga turqit, kanë arritur të ruajnë traditat, gjuhën dhe kulturën e të parëve të tyre, të cilat i kosiderojnë si të shenjta dhe objekt krenarie.

Neritana Kraja