Nëse keni lexuar përshkrimin e zonjës Edit Durham për Mirditën, por mbi të gjitha nëse keni dëgjuar për një kishë të vjetër, të vogël, të vendosur mbi një shkëmb panoramik, të kthyer në vend pelegrinazhi, duhet patjetër të planifikoni një fundjavë në Rubik, njërën nga komunat e krahinës së Mirditës, ku ndodhet edhe Kisha e famshme e Rubikut.

Rubiku - foto Info Mirdita

Rubiku - foto Info Mirdita

Si të shkoni

I përfshirë tashmë si pjesë e tureve të turizmit fetar nga mjaft agjenci turistike të cilat krijojnë ture tematike, Rubiku është një destinacion që arrihet lehtë edhe me autobuzët e linjës, por si gjithmonë, për një udhëtim komod, mund të niseni me automjetin tuaj privat.

Nëse niseni nga Tirana, duhet të merrni Rrugën e Kombit. Pasi kalon Urën e Milotit, hyn në luginën e bukur të Fanit, ku pasi jeni afruar destinacionit, do t’ju shfaqet Kisha e të Shëlbuemit, vendosur mbi kepin e bardhë të Rubikut, njëra ndër më të vjetrat dhe më të rëndësishmet monumente të kulturës kombëtare, e cila daton të jetë ndërtuar rreth vitit 1200.

Shëtisni në qytetin e vogël

Rubiku është qyteti më i vjetër i krahinës së Mirditës. Eshtë i pastër, i qetë, me pamje panoramike. Sapo të mbërrini, do të kuptoni se qytetin mund ta shëtisni brenda një kohe të shkurtër, pasi e reja nuk ka shumë për të thënë, ndërsa gjurmët e historisë janë kaq të thella dhe emocionuese, sa do ju marrin të gjithë kohën e qëndrimit tuaj. Në fakt, ky qytet industrial, është i pasur me mineralet e bakrit, të arit dhe të argjendit, të cilat janë zbuluar e shfrytëzuar që 2400 vjet më parë. I njohur si qytet me tradita të forta të krishtërimit dhe me një pasuri të madhe nëntokësore, Rubiku në fillim të viteve 1900, u shndërrua në një qytet minator. Në vitet ’30 shfrytëzohej prej italianëve dhe pas clirimit të vendit, nga industria jonë nxjerrëse dhe përpunuese, duke nxjerrë bakrin ndër më cilësorët në Europë. Madje, njëra prej fabrikave të kësaj uzine prodhonte ar. Fatkeqësisht, sot, kjo uzinë nuk është gjë tjetër, veçse një varrezë hekurishtesh edhe pse oxhakët e saj akoma të impresionojnë. Përballë saj në hodhi shtat qyteti i Rubikut, i cili rritej bashkë me zhvillimin industrial.

Sot, qyteti është tkurrur, pasi minierat nuk janë në funksion më. Ata qëndrojnë të braktisura tërësisht, edhe pse ata pak banorë që kanë mbetur atje, të thonë se nëntoka e Mirditës ka ende tonelata mineralesh, kurse mbitoka dhjetëra miniera. Ky qytet, ka vetëm 15 pallate. Pjesa më e madhe është larguar kur “Uzina e Përpunimit të Bakrit” u mbyll. Vizita juaj në Rubik, do t’ju shfaqë para sysh këtë pjesë të historisë së qytetit, “fle mbi ar” dhe krenohet me kishat dhe historinë e rrezistencës.

Kisha ne Rubik - foto eu4culture

Kisha ne Rubik - foto eu4culture

Kisha e të Shelbuemit

Rubiku ka një pasuri kulturore e arkeologjike të admirueshme. Aty gjenden 10 kisha të vjetra, më famshmja e tyre është ajo e Shelbuemit. Nga maja ku ndodhet, kisha e Shelbuemit, duket sikur bekon Mirditën, të gjithë banorët e saj, besimtarët si dhe turistët që vijnë ta vizitojnë.

Kisha përfaqëson një monument të rëndësishëm kulti të shekullit 12-13. Eshtë ndërtuar të vitit 1162. Vlerë unikale e saj janë afresket, piktura murale të stilit bizantin. Godina është monument kulture dhe paraqet interes në aspektin ndërtimor dhe arkitektural. Kisha e Rubikut ka shërbyer si abaci benedikte dhe kuvend franceskan. Në këtë kishë ka shkruar Kanunin e famshëm, Lekë Dukagjini, madje ka gdhendur edhe emrin e tij mbi një gur. At Gjergj Fishta këtu ka ndërtuar Absidën e kishës dhe ka shkruar fragmente të tragjedisë së tij “Juda Makabe”. Po këtu ka shërbyer, gjer në fundin e tij tronditëse, dijetari i madh françeskan, etnologu dhe folkloristi At Bernardin Palaj. Po këtu ka shërbyer, edhe piktori At Leon Kabashi deri në 1967, i njohur për artin e tij, pasi kishte pikturuar kapelet e kishave të Shkodrës.

Pamje nga Kisha - foto eu4culture

Pamje nga Kisha - foto eu4culture

Kjo kishë është e shpallur monument kulture dhe mbrohet nga shteti. Kisha mesjetare e Shelbuemit në Rubik është një nga objektet e kultit më të rëndësishme, ku brenda saj gjenden afresket me mbishkrime në gjuhën latine me gërma gotike. E veçanta e kësaj kishe janë afresket e saj, që janë të stilit Bizantin dhe i përkasin vitit 1272, një ndër më të vjetrit në Shqipëri. Ndonëse kjo kishë është restauruar disa herë, absida e saj nuk është prekur dhe është ashtu siç është ndërtuar 900 vite më parë. Ky vend tashmë ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve të cilët e vizitojnë, ndërsa banorët e zonës e përdorin si vend pelegrinazhi këtë objekt të rrallë kulti.

Në mos keni motive të tjera, mjaftojnë këto që përmendëm më sipër që ta vizitoni kishën, e cila është edhe pjesë e projektit “Europa për Kulturën” dhe përmes një fondi të dhënë është bërë e mundur restaurimi i saj në disa pjesë të dëmtuara.

Veshje mirditore - albest.al

Veshje mirditore - albest.al

Info Kulla

Në qendër të Rubikut, një godinë e re është bërë ndalesa e parë e çdo vizitori, vendas e të huaj. Në trajtën e një kulle për të ruajtur traditën e zonës në ndërtim, ajo është qendra e informacionit dhe ka emrin: Info-Kulla.

E ndarë në pavijone, aty shpërfaqet identiteti historik, kulturor, i traditave, si dhe karakteristikat gjeografike, ekonomike dhe të jetës së zonës. Kjo është një pikë e rëndësishme që shërben si pikë reference për turistët, pasi jep informacione në shërbim të vizitorëve të saj. Nëpërmjet instalacioneve, aty shfaqen momente të ndryshme të historisë, një ndër to edhe burgu i Spaçit. Në kullën e kthyer në muze do të gjeni traditat, veshjet dhe shpjegim për ushqimet tradicionale të zonës, të cilat jeni kureshtar që t’i njihni.

Gjithashtu, këtu mund të informoheni edhe për turet e ndryshme sezonale që ju ofrohen turistëve që mbërrijnë në Rubik dhe kanë nevojë për informacione aktivitetesh lokale.

mish deri me lakra

mish deri me lakra

Fshatrat rrotull

Në Rubik ndodhet fshati Katund i Vjetër, i cili bashkë me Oroshin, është përzgjedhur nga 100 fshatrat më të bukur të Shqipërisë. Nëse jeni për dy netë në Rubik, mos hezitoni ta lini një ditë të tërë për të vizituar dy fshatra vërtet shumë tërheqës, të mbushur me histori dhe të vërteta njerëzore.

Pule me domate dhe kos - foto sshqiptarja.com

Pule me domate dhe kos - foto sshqiptarja.com

Çfarë të hani

Si një vend mes malesh, karakteristikë e zonës janë gatimet me shumë yndyrë, por me shije të mrekullueshme, ku gjithcka përqëndrohet tek produktet bio të zonës. Të tilla janë petët me kungull, laknuri me rrena (I cili do vec miell dhe yndyrë), mishi i pjekur apo i zier me lakra, turshitë apo salltra sipas stinëve, rakia dhe vera. Por “mbretëresha” e tryezës është byreku me arra, ku petët shtrohen njëra mbi tjetrën të lyera me gjalp dhe në mesin e tyre shtrohen dy shtresa me arra të arra të shtypura. Shumë e thjeshtë, por me një shije të papërsëritshme.

Ku të flini

Ju mund të flini në një nga bujtinat e zonës, pasi bujtinat dhe agriturizmi po kthehen në një trend të kohëve të fundit. Por ne do të rekomandojmë njërin nga hotelet më të mirë të zonës, Hotel Martubin. Hotel Marub është një hotel ekologjik, që ndodhet në një territor natyror dhe piktoresk, larg zhurmës, papastërsisë dhe smogut. Hoteli ndodhet në luginën Katund i Vjetër dhe ofron një atmosferë të ngrohtë dhe intime, shërbim dhe përkushtim, qetësi, kuzhinë të mirë dhe aktivitete rekreative. Një natë për një çift në këtë hotel kushton 30 euro.

Neritana Kraja