8 marsi, Dita e Gruas në Shqipëri kremtohet në mënyrë tradicionale, me takime të gëzuara mes mikeshash, apo grash dhe vajzash me lidhje familjare, por këtë vit do të ketë një rijësi. Bëhet fjalë për edicionin e parë të Festivalit “FemFest”, i cili synon sensibilizimin e grave dhe vajzave, burrave dhe djemve, qytetarëve dhe vendim- marrësve për të ndryshuar realitetin. Festivali nisi më 5 mars dhe përfundon në ditën ndërkombëtare të gruas, më 8 mars.

FemFest (Gazeta Si)

FemFest (Gazeta Si)

Festivali “FemFest” shpalos repertorin e tij përmes shfaqjeve në skenën e Teatrit Kombëtar “ArTurbina”, por dhe aktiviteteve në mjedise të tjera.

Lidhur me këtë veprimtari drejtorja ekzekutive e festivalit, Iliriana Basha në një intervistë në TVSH ka treguar se “FemFest” ka në fokus të tij gruan shqiptare dhe ka për qëllim sensibilizimin e shoqërisë për ta ndryshuar realitetin në të cilin jetojmë, duke synuar që gratë dhe vajzat të gëzojnë të drejtat e barabarta në çdo sferë të jetës.

“FemFest” është një festival feminist i bërë nga një grup artistesh dhe aktivistesh të shoqërisë civile, i cili synon të trajtojë problematikat e gruas shqiptare në relalitetin shqiptar permes artit, diskutimeve të hapura, instalacioneve dhe shfaqjeve teatrore. Ka shumë gjëra që ne nuk i themi dot kur flasim, por kur trajtohen permes artit janë shumë më të lehta, që do të thotë se te publiku vjen më lehtë dhe më shpejtë”, shprehet Basha.

Ilirjana Basha drejtore e FemFest në TV Klan (TV Klan)

Ilirjana Basha drejtore e FemFest në TV Klan (TV Klan)

Sipas drejtores ekzekutive Basha, “FemFest” mbledh artistë, aktivistë, por dhe qytetarë që përmes debatit, ekspozitës, shfaqjes, këngës, sfilatës t’u japë zë problemeve sociale të grave dhe vajzave shqiptare.

“Provojmë të ndryshojmë mentalitetin sepse duam të sensibilizojmë djemtë dhe vajzat, burrat dhe grate si dhe ata që janë në pozita vendim-marrëse për çeshtje që na shqetësojnë ne si gra”, shton ajo.

Pjesë e festivalit janë aktore të njohura të skenës shqiptare si Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Zamir Kita. Ndërkohë në veprimtaritë e festivalit janë të ftuara mjekja psikiatre Vera Ora, e ëma e këngëtares së famshme me origjinë shqiptare Rita Ora, si dhe shkrimtarja shqiptare Elvira Dones.

Festivali “FemFest” ka shërbyer si një mundësi promovimi dhe për artistet e reja.

Artiste, politikane dhe aktiviste pjesë e FemFest (GazetaSi)

Artiste, politikane dhe aktiviste pjesë e FemFest (GazetaSi)

“FemFest” pati dy premiera teatrore. Mbrëmjen e 5 marsit në skenën e Teatrit “ArTurbina” u ngjit pjesa “Trupi i mirë” nga Eve Ensler, me regji nga Altin Basha. Ndërsa premiera e dytë u shfaq më 8 mars, në natën fundit të festivalit. “Rrëfimet tona” me regji nga Driada Dervishi në interpretimin e aktoreve të njohura të skenës, ku spikati dhe pjesmarrja e politikanes së njohur shqiptare Arta Dade, si dhe e aktivisteve nga shoqëria civile.

Posaçërisht për këtë festival u krijua një këngë me videoklip nga kompozitorja Eriona Rushiti, interpretuar nga Irma Libohova, Vikena Kamenica, Evi Reçi, Egzona Ademi. Pjesë e videoklipit u bënë dhe gra të profesioneve të ndryshme.

Një vend të rëndësishëm në Festivalin “Femfest” zunë dhe diskutime publike me temë “Bullizimi dhe ndikimi në shëndetin mendor”, “Seksizmi dhe ngacmimi seksual në media” si dhe diskutimi me temë “Kujt do t’ia lëmë Shqipërinë”. Ekspozitat janë një hapësirë e festivalit ndër të cilat “Prapaskena-skena” dhe “In memoriam-“Ato që na mungojnë”. Një element tjetër i festivalit janë dhe shfaqjet teatrore “Vdis duke qeshur”, “Burka” dhe një spektakël mode “E bukur pavarësisht etnisë, racës, peshës, moshës, gjatësisë”.

Pjesmarrëse të FemFest (Sot)

Pjesmarrëse të FemFest (Sot)

Festivali “Femfest” në edicionin e tij të pare, kulmin e shënon në ditën e fundit të tij më 8 mars, ku që në mëngjes në sheshin kryesor të kryeqytetit shqiptar Tiranë, sheshi “Skënderbej” ekspozohet marshim-instalacioni artistik “Këpucët e kuqe”, në shenjë të homazhit ndaj grave që kanë humbur jetën, si pasojë e dhunës në familje.

Edicioni i parë i këtij festivali sa artistik, aq dhe sensibilizues mbyllet pasditen e së martës me inaugurimin e murales “Gjurmët tona” për të vijuar më pas me shfaqjen teatrore “Rrëfimet tona, gra të lira” që është bërë në bazë të monologjeve të marrë nga autorë të ndryshëm.

“Femfest” është ndërtuar me një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, këngë, muzikë, ekspozitë, sfilata dhe një protestë këpucësh të kuqe. Shfaqjet janë konceptuar për të gjitha shijet dhe dimensionet e femrës. Festivali është mbështetur nga Bashkia Tiranë, por dhe BE dhe donatorë të tjerë që kanë sponsorizuar nga një aktivitet.

Eda Merepeza