Muzika ka qenë dhe është thelbi i etnosit shqiptar. Muzika popullore është një traditë që trevat e ndryshme shqiptare e ruajnë dhe e trashëgojnë brez pas brezi, por në ruajtjen e kësaj trashëgimie, padiskutim, rol të rëndësishëm kanë luajtur ansamblet që në repertorin e tyre kanë fokusuar muzikën popullore qytetare. Sot do të sjellim tre prej tyre.

Ansambli i kengeve dhe valleve polpullore (foto Gazeta Koha Jone)

Ansambli i kengeve dhe valleve polpullore (foto Gazeta Koha Jone)

Ansambi i Këngëve dhe valleve Popullore

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky Ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i tij ka qenë ruajtja dhe përhapja e thesarit folklorik të Shqipërisë, mision i cili vazhdon. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh.

Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e Ansambli popullor tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që Annsambli i Këngëve dhe valleve Popullore të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. Ansambli prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe intepretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. Ansambli ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në jetën e tij artistike, Ansambli ka rreth 100 premiera, me repertor të zgjedhur.

Në harkun kohor prej 50 vitesh, ka rreth 10 000 shfaqje të dhëna në të gjitha skenat e Shqipërise. Në repertorin e tij janë mbi 100 valle me motive nga të gjitha trevat shqiptare, me tematikë të larmishme e koreografi të spikatur.

Vlera të mëdha artistike ka orkestra me instrumentistë nga më të zgjedhurit. Këngëtarët interpretues kanë qenë dhe janë krenaria e vokalit shqiptar. Edhe kori me përpunimet dhe harmonizimet e këngëve burimore dhe të krijuara, ka dhënë një kontribut shumë të vlefshëm si pjesë e domosdoshme dhe e rëndësishme e Ansamblit. Solistët e ansamblit, në këngë, valle apo instrument, kanë qenë në vite yjet e folklorit Shqiptar. Emra si Besim Zekthi, Lili Çangu, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, etj, mbajnë kurorën e artë të artistëve.

Ansambli Migjeni Tirane - foto facebook ( Shqiperia ne vitete e socializmit)

Ansambli Migjeni Tirane - foto facebook ( Shqiperia ne vitete e socializmit)

Ansambli Migjeni

Ansambli Migjeni, u krijua si grup amator, por shfaqjet e tij ishin kaq të mira dhe protagonistët e tij mjaft të njohur, saqë pa frikë mund të thuhet se ishte një nga ansamblet më të mira në vend. Grupi me artistët amatorë i përkiste Ndërmarrjes Artistike “Migjeni” në Tiranë. Përbëhej nga grupi i valleve, orkestrina, grupi vokal dhe këngëtarët.

Ansambli u themelua më 1967, me krijimin e Ndërmarrjes. Shfaqjen e parë e dha në Koncertet e majit të vitit 1968. Ansambli që u bë i njohur në tërë vendin, lëvronte këngën dhe vallen popullore të mirëfilltë dhe të përpunuar. Interesantë fakti është se ky ansambël ka përfaqësuar denjësisht këngën e vallen popullore shqiptare dhe përtej kufijve të Atdheut, në konkurse e festivale ndërkombëtare në një radhë vendesh të Evropës e Afrikës. Është dekoruar me Urdhrin e Punës të klasit të parë.

Ansambli Isuf Myzyri ne nje shfaqje ne Prizren - (foto Facebook Teatri Skampa)

Ansambli Isuf Myzyri ne nje shfaqje ne Prizren - (foto Facebook Teatri Skampa)

Ansambli Isuf Myzyri

Njëri nga ansamblet me emër, i njohur në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm për kontributin, artin, por edhe historikun e tij, është Ansambli Isuf Myzyri në Elbasan dhe mban emrin e Isuf Myzyrit, kompozitor, Artist i Popullit, themelues i orkestrinës, që njihet nga të gjithë si vjershëtar dhe këngëtar i shquar. Ky ansambël u krijua më 12 tetor të vitit 1979. Ky ansambël, shumë i dashur sidomos për Shqipërinë e mesme, sjell përmes një tradite shumë vjeçarë, këngë që i përkasin kësaj treve.

Isuf Myzyri lindi në Elbasan në vitin 1881, në një familje të varfër. Që në rini u shqua për zërin e ëmbël dhe veshin e tij të mprehtë muzikor. Shumë shpejt ai do t'i përkushtohej tërësisht muzikës. Mësoi vetë violinën dhe duke krijuar këngët e para. Shumë shpejt orkestrimeve të krijuar prej tij, krijuan repertorin me këngë erotike dhe historiko- patriotike. Referuar dokumenteve të publikuara në librin Enciklopedia e Elbasanit, Isuf Myzyri është autori i 90 krijimeve poetike e muzikore, por vetëm 21 prej tyre njihen në ditët e sotme në të gjithë Shqipërinë. Ato janë konsideruar perla të muzikës popullore. Ky ansambël në të gjitha këto vite ka qenë bërthama që ka mbledhur rreth vetes krijuesit, interpretuesit dhe njohësit më të mirë të këngës popullore elbasanase. Është një nga ansamblet më të njohur në botë me koncertet brenda dhe jashtë vendit.

Neritana Kraja