Nëpër rrugët e Tiranës, do të mungojnë hapat e poetit, por vargjet e tij, nëpër vitrinat e librarive, do të vijojnë të qëndrojnë aty, si në të gjallë të poetit, pasi Bardhyl Londo ishte një nga lirikët më frymëzues të viteve ‘80. Vargjet e tij, do të vazhdojnë të frymëzojnë njerëz, të përdoren si motive dashurie mes të dashuruarve dhe të rikujtohen pa fund nga ata që e gjetën dashurinë mes vargjeve të tij.

Bardhyl Londo - foto Gazeta Sot

Bardhyl Londo - foto Gazeta Sot

Poeti Bardhyl Londo, prej një jave, nuk është më mes nesh dhe ikja e poetit, është e dhimbshme, si ikja e shpirtit. Sepse poezia e tij, ka qenë shpirti i tij. Poeti është shuar në moshën 74-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Londo lë pas një pasuri të madhe vargjesh që prej vitit 1975, kohë kur vendosi që të niste të botonte. Dhimbje e madhe për humbjen e një poeti, por që ka një ngushëllim gjithsesi. Sepse e shkruara mbetet dhe varësisht talentit, rëndësisë dhe kontributit, krijimi i poetiti kalon brez pas brezi, duke zënë vendin në memorien tonë kulturore.

Me siluetën që dallohej nga larg prej pardesysë së bardhë, Bardhyl Londo është një ndër personazhet më me ndikim në historinë e poezisë shqipe. Bardhyl Londo do të mungojë mes miqve në një tavolinë kafeje me vargje të reja krijuar nga nata apo mëngjesi i vagëlluar. Por ai do të vazhdojë të jetë poet dhe në të ardhmen e pakufishme, sepse ishte i tillë dhe në të shkuarën e shkurtër. U cilësua si një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80. Spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Po aq njihej dhe për ndikimin jo të vogël në historinë e poezisë shqipe.

Kopertina e njerit prej librave te Bardhyl Londos - Foto nga exlibris.al

Kopertina e njerit prej librave te Bardhyl Londos - Foto nga exlibris.al

I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letrat. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”. Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-ën, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut.

Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”, ndërsa tre vjet më vonë, “Emrin e ka dashuri”. Londo është autor i shumë vargjeve për dashurinë në letërsinë shqipe, e kjo, ndoshta e bëri shumë shpejt një emër të dashur për lexuesin. Një tjetër poezi e njohur e tij është “Ura dhe brigjet”, ku poeti, ndoshta ndër më të bukurat e poetit, kushtuar dashurisë. “Ne jemi si dy brigje të një lumi/përjetë përballë, përjetë të ndarë/natën ndërtojmë në ëndrra një urë/ditën mbetemi të huaj si më parë”.

Përvoja në gazetën “Drita”, një nga gazetat më me ndikim në botën letrare para viteve ’90, duket se ka mundur të shmangë keqkuptimet në të cilat u përfshinë këto vite në debate publike shumë personazhe të kohës. Duke ruajtur një profil neutral, Londo arriti të krijonte profilin e një poeti dhe intelektuali të shkëputur nga koha.

Bardhyl Londo foto - newsbomb.al

Bardhyl Londo foto - newsbomb.al

Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve pikërisht në vitet e ndryshimit të sistemeve në vend, duke bërë kalimin nga një kohë në tjetrën, të një institucioni, që për gati gjysmë shekulli kishte qenë zëri i propagandës së komunizmit. Për gati një dekadë pas ndryshimeve të viteve 90, ai do t’i mungonte lexuesit, duke u rikthyer në vitin 2010 me librin me poezi “Shën shiu”. Duket se liria e kishte bërë më të plotë poezinë e Londos, i cili rikthehej në dimensionin e plotë të tij.

Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani duket se paralajmëron një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Një roman gati autobiografik, sjell të gjitha shqetësimet e një shkrimtari mbi jetën e para viteve ’90, përpjekjet për të mbetur njeri dhe sfidat e një kohe tjetër siç ishte pluralizmi. Londo ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.

Bardhyl Londo - foto Observer.al

Bardhyl Londo - foto Observer.al

Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike. Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane.

Me poezitë e tij, Londo nuk mashtroi, ai e ngriti zërin me guxim për dashuritë e tij, por klithi sidomos për plagët tona. Poezia e Londos i parandjeu ndryshimet e realitetit e të vetë artit dhe, duke i shoqëruar ato, në periudhën e parë të tranzicionit u bë gjithandej e citueshme. I drejpërdrejtë në komunikim, me tonalitete të shkundjes qytetare por asnjëherë patetik, me kalimin e kohës kjo poezi nuk mbeti thjesht kujtesë (histori), siç nuk mbetet thjesht nostalgji (post-histori). Londo krijoi formë për poezinë e tij, dhe kjo përbën meritë në art.

Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit shprehën miqtë e tij artistë dhe bashkëudhëtarë në vite. Gjithashtu mesazh ngushëllimi shprehu edhe Akademia e Shkencave, e cila theksonte se ndarja nga jeta e poetit dhe shkrimtarit Bardhyl Londo është një humbje e madhe për bashkësinë e shkrimtarëve dhe artistëve, botën akademike, për familjen dhe te afërmit. Bardhyl Londo është një ndër personazhet më me ndikim në historinë e poezisë shqipe”, thuhet nga ASH. Ndërkohë, në homazh e nderim për poetin Bardhyl Londo, Biblioteka Kombëtare çeli ekspozitën homazh “Bardhyl Londo (1948-2022)”. Kjo ekspozitë përmbledh krijimtarinë e tij letrare, kontributin si përkthyes dhe redaktor duke sjellë në vëmendje të lexuesit krijimtarinë e tij.

Neritana Kraja