Vitor Deda ka lindur në Shkodër dhe prej 18 vitesh jeton në Firence të Italisë. Ai është diplomuar për regji filmi në Firence dhe sapo ka përfunduar filmin “Përplasje gjaku″, një seriali aksion i cili është shfaqur këto ditë në kinematë shqiptare në Tiranë. Në një intervistë për CMG ai flet për kastën e aktorëve të njohur në Itali si dhe arritjet e tij në fushën e kinematografisë në shtetin fqinj.

Vitor Deda (Foto personale)

Vitor Deda (Foto personale)

CMG: Vitor përshëndetje dhe të falenderoj që je i pranishëm në Autostradë.

Vitor Deda: Përshëndetjë dhe ju falenderoj juve dhe gjithë stafin e radios, ndjehem shumë i lumtur për këtë intervistë.

CMG: Kush është Vitor Deda dhe lidhja juaj me botën e kinemasë?

Vitor Deda: Unë jetoj prej 18 vitesh në Firence të Italisë dhe me origjinë jam nga qyteti i Shkodrës. Në Firence kam studiuar dy vite në shkollën e artit dhe një vit kam studiuar për regjisurë. Gjatë karrierës sime artitike kam realizuar shumë filma me metrazh të shkurtër si dhe një film me metrazh të gjatë. Filmi i cili është dhënë premierë në Tiranë, është filmi im i fundit që kam realizuar dhe ndjehem shumë i lumtur për punën sepse ka qenë një punë e gjatë, por në fund jam i lumtur për rezultatin.

Vitor Deda gjate premieres se filmit te tij te fundit (Foto personale)

Vitor Deda gjate premieres se filmit te tij te fundit (Foto personale)

CMG: Keni 18 vite që jetoni në Itali. Sa e lehtë apo e vëshirë ka qenë jeta juaj atje në arritjet tuaja në fushën e artit?

Vitor Deda: Jeta si gjithkund është e vështirë, aq më tepër për realizimin e filmave. Unë e kam pasion kinemanë dhe kam lindur me këtë pasion duke vazhduar të eci përpara, por është shumë e vështirë për momentin në lidhje me filmin sepse nuk ka shumë investim në këtë fushë. Ne e bëjmë për pasion dhe kemi arritur që ta përfundojmë filmin me sukses. Kemi pasur mbështetje prej shtetit italian dhe prej shoqërisë, si nga producenti Giuseppe Esposito, gjithashtu dhe nga miku im që ndodhet në Angli Tarzan Proni, i cili ka dhënë një ndihmë të madhe në realizimin e këtij filmi.

CMG: Në filmin tuaj të fundit ju keni përfshirë edhe shumë aktorë italianë. Ka qenë e vështirë gjetja e aktorëve dhe përshtatja e tyre sipas skenarit të filmit?

Vitor Deda: Me thënë të drejtën përsa i përket aktorëve italianë, kam qenë shumë me fat sepse unë kam punuar me shumë aktorë të njohur të kinemasë italiane dhe disa prej aktorëve kam pasur fatin e mirë që t’i kemi protagonistë në filmin tim. Unë mendoj se kemi bërë një punë të mirë me të gjithë aktorët shqiptarë dhe italianë dhe ndjehem shumë i lumtur sepse kam një kast shumë të mirë aktorësh.

Vitor Deda me aktoret pjesemarres ne filmin e tij (Foto personale)

Vitor Deda me aktoret pjesemarres ne filmin e tij (Foto personale)

CMG: Filmi juaj i fundit titullohet “Përplasje gjaku”. Çfarë trajton ky film?

Vitor Deda: Filmi trajton bandat napolitane dhe ato shqiptare në Itali dhe ky është një film aksion, i cili trajton problemin e drogës, prostitucionit dhe jetën e rrugës në Itali. Përveç mafias filmi trajton edhe shërbimet sekrete që mundohen të eliminojnë kriminalitetin në Itali sepse me të vërtetë ka shumë raste dhe ngjarje të cilat nuk janë të pëlqyeshme në popull.

CMG: Këto ditë filmi po shfaqet premierë në kinematë në Shqipëri. Po në Itali është shfaqur ky film?

Vitor Deda: Filmi ka dalë edhe në Itali, por kemi pasur problem nga Covid-19 sepse ne kishim programuar që filmi të jepej në shumë qytete të Italisë si në Torino, Napoli, Romë dhe Firence. Në disa qytete është dhënë premierë, por në qytete të tjera e kemi ndaluar për arsye të pandemisë, sepse në Itali kishte shumë rregulla dhe njerëzit kishin frikë të futeshin në kinema. Për momentin e kemi ndaluar, por shpresojmë se do të dali shpejt edhe nëpër qytete të tjera.

CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e publikut për filmin?

Vitor Deda: Si të gjithë filmat, kemi anën pozitive dhe negative të përshtypjeve, por në përgjithësi publiku ka mbetur i kënaqur sepse është një film i realizuar pa fonde. Ky është një film i bërë me pasion dhe dëshirë, pra aktorët nuk kanë ardhur për pagesë apo me ndonjë kusht tjetër.

Vitor Deda me bashkepunetoret e filmit (Foto personale)

Vitor Deda me bashkepunetoret e filmit (Foto personale)

CMG: Kinemanë e keni pasur pasion që i vogël?

Vitor Deda: Unë që i vogël kam pasur pasion fotografinë, që kur shkoja në Ulqin dhe iu bëja foto turistëve atje. Prej atëere vazhdon pasioni dhe nga fotografia shkoi te videoja, pastaj skenari dhe realizimi i videoklipeve. Pasioni është shumë i madh, por bëjmë gjëra brenda mundësive sepse është një punë e madhe dhe nganjëherë ndodhin vështirësi ku çdo gjë nuk shkon ashtu si duam ne.

CMG: Keni gati dy dekada që jetoni në shtetin fqinj, Itali. E vizitoni shpesh Shqipërinë?

Vitor Deda: Unë vij shumë shpesh në Shqipëri sepse kam dhe familjen time në Shkodër. Shqipëria ka vende shumë të bukura dhe njerëz të jashtëzakonshëm, ka shumë talente. Unë shpresoj që në Shqipëri shteti të investojë për artin sepse arti është vlerë dhe thesar i Shqipërisë dhe çdo vendi. Duhet investuar te talentet e reja, si regjisorë dhe aktorë për të bërë gjëra të bukura.

CMG: Çfarë projektesh artistike keni në të ardhmen?

Vitor Deda: Unë shpresoj që të kem disa projekte të miat në Shqipëri sepse është vendlindja dhe prejardhja ime. Jam shqiptar dhe kam shumë dëshirë që të bëj një produksion të gjithin në Shqipëri sepse kam gjak shqiptari dhe ndjehem i lumtur kur jam në vendin tim. Shpresoj që së shpejti të bëj një punë të mirë dhe në Shqipëri.

Vitor Deda ne interviste per CMG

Vitor Deda ne interviste per CMG

CMG: Keni ndonjë aktor shqiptar idhull dhe që do të dëshiroje ta kishe protagonist në film?

Vitor Deda: Aktorët shqiptarë të brezit të vjetër janë shumë të mirë dhe unë do të kisha dëshirë të realizoja një film me të gjithë këto aktorë, të cilët janë shumë profesionista. Përsa i përket brezit të ri të aktorëve, mendoj se janë pak mbrapa sepse nuk ka investime, jo se nuk dinë apo nuk kanë talent.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj artistik dhe të na sjellësh produksione të reja.

Vitor Deda: Faleminderit dhe ju për intervistëndhe është një kënaqësi shumë e madhe për mua që ndodhem këtu me juve dhe shpresoj që një ditë do të jem në Shqipëri për të realizuar një projekt të ri me aktorë shqiptarë.

Intervistoi: Gazmend Agaj