Intervistë me guidën e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Kostika Koti

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë, që brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. Ikonat e prezantuara janë krijuar nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Muzeu shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli” dhe pret vizitorë të shumtë, të huaj e vendas. Një vizitë në këtë Muze, përbën një eksperiencë njohëse dhe estetike unike.

Gazetraja Neritana Kraja gjate punes - foto CMG

Gazetraja Neritana Kraja gjate punes - foto CMG

I projektuar nga firma e arkitektëve gjermanë Bolles + Wilson, ndarja e muzeut në “eksperienca të ndryshme” e kthen vizitën në këtë muze në një udhëtim me përjetime të fuqishme të njëpasnjëshme. Në vizitën e CMG në këtë muze, ne patëm ndihmën e guidës së muzeut, Kostika Koti, i cili me kompetencë të thellë, jo vetëm që plotësoi me informacione mbi veprat e ekspozuara, por dha edhe një intervistë prezantuese të muzeut për ne.

CMG: Që nga cili vit funksionon Muzeu Mesjetar Ikonografik dhe si funksionon ai?

Guida e Muzeut Kombetra te Artit Mesjetar Kostika Koti

Guida e Muzeut Kombëtra të Artit Mesjetar Kostika Koti

Kostika Koti: Muzeu mesjetar funksionon që nga viti 1980 por dhjetë vitet e para ai vizitohej vetëm nga vizitorë të huaj sepse duke qenë se ka përmbajtje fetare, nuk lehohej të vizitohej nga vendasit. Pas viteve ‘90 funksionon normalisht, si çdo muze tjetër në vend.

Muzeu jonë përmban rreth 8500 objekte ku rreth 6500 janë ikona në dru dhe pjesa tjetër janë objekte në metal, gurë apo tekstil.

Të ekspozuara janë vetëm 400 ikona për shkak të vendit. Pjesë e Muzeut që nga ndërtimi i tij është edhe laboratori i cili shërben për restaurimin e ikonave kohë pas kohë

CMG: Cilët janë ikonografët më të mëdhenj që janë të ekspozuar?

Kostika Koti: Ne kemi pothuajse të gjithë ikonografët që janë më në zë në vend, duke filluar nga Onufri i madh, Kostandin Shpataraku, vëllezërit Zografi nga Korça: Kostandinin dhe Athanasin, vëllezërit Çetiri: Johanin dhe Gjergjin, ose ndryshe vëllezërit Katro: Mikael dhe Dhimitër Anagnostin, mësues Kostandinin dhe Simonin e Ardenicës, të cilët janë emrat më të lakuar dhe që kanë qenë pjesa më elitare e ikonografisë.

Muzeu në brendësi - foto CMG

Muzeu në brendësi - foto CMG

CMG: Si qëndron raporti me ikonografinë e vendeve të tjera ortodokse?

Kostika Koti: Në periudhën që u bënë objektet tona ne ishim pjesë e perandorisë bizantine, e cila kishte influencën e saj në shumë territore, por ndryshe nga ikonografët që ishin në zemër të kësaj perandorie, ne kishim edhe disa ndikime perëndimore, sidomos tek vëllezërit Zografi, apo dhe Onufrin, i cili është një ndërthurje e shkollës kreto-veneciane, ose një dege hibride e këtij arti, aq sa për specifikën e vet, më pas quajt “shkolla e Beratit”.

Këta ikonografë na tregojnë diçka ndryshe, por në thelb është e njëjta gjë.

CMG: Çfarë pëlqejnë më shumë vizitorët dhe çfarë ka ineresante në ketë muzeum?

Kostika Koti: Interesante është çdo vepër arti. Fatkeqësisht ne mendojmë se jemi një vend i vogël dhe nuk kemi shumë vepra arti, por kur vijnë këtu dhe shohin gjithë këto ikona, atëherë vizitorët mbeten të shtangur, sidomos vizitorët e huaj, të cilët mahniten.

Ikonogafët tanë më të mëdhenj vijnë nga shpatet e Elbasanit, një zonë malore e ashpër, e cila ka nxjerrë dy margaritarë të ikonografisë, si Onufri dhe Kostandin Shpataraku, po ashtu nga fshati Dardhë kanë dalë më shumë se 20 ikonografë, ku përmendim dinastinë Zengo etj.

Ky muze përmban një ndër koleksionet më të mëdha botërore, të ikonografisë ortodokse.

Ka vende me popullsi shumë më të madhe ortodokse, por nuk kanë muze me kaq shumë ikona në një vend të vetëm. Ato mundet të kenë 10, 20 apo edhe 100, por jo 8500 ikona si këtu.

Mes ikonash - foto CMG

Mes ikonash - foto CMG

CMG: Nga kush kryhet procesi i restaurimit dhe cilat janë teknikat e përdorura?

Kostika Koti: Siç thamë krahas muzeut funksionon edhe pjesa e laboratorit, që nga fillimi i tij në vitin 1980.

Fillimisht u restauruan ikonat më të dëmtuara, ndërsa ato që ishin më të mirëmbajtura u lanë për restaurim më vonë.

Specialistët tanë kanë patur bashkëpunim nga viti 1996 me muzeun bizantin të Selanikut, ku u specializuan për 6 vjet.

Ne nuk kishim specialistë të mirëfilltë për ndërhyrje në ikonografi dhe as mjetet dhe aparaturat e duhura për restaurime.

Ne bënin thjesht ndërhyrje për mirëmbajtje, apo shpluhurosje, ndërsa ndërhyrjet "kirurgjikale ose operacionale" bëheshin në Selanik.

Pjesë e procesit të restaurimit është kryesisht konsolidimi nga krimbi i drurit, i cili është armiku kryesor në këto objekte, është petrifikimi, është pastrimi nga verniku i mbetur, ose nga oksidimi i vjetër, pastrimi nga dejgjet tek ikonat e djegura, ritokimi është një proces mbështetës i të gjithë këtyre proceseve dhe më pas sërish verniku. Gjithashtu kemi dhe një aparaturë që quhet “çadra”, e cila bën të mundur ngordhjen e insekteve të drurit.

ikona- foto CMG

ikona- foto CMG

CMG: A mund të vizitohet Muzeu Online?

Kostika Koti: Po ne kemi një aplikacion me gërmat kapitale të institucionit tonë MKAM, dhe aty mund të gjeni një guidë rreth 10 minuta, me 56 pika interesi dhe është edhe në dy gjuhë të huaja, përveç shqipes, në frëngjisht dhe anglisht, ku edhe vizitorët e huaj mund të marrin informacion të detajuar.

CMG: A mund t’i bëjme një ftesë dëgjueseve tanë që të vijnë dhe ta vizitojnë?

Kostika Koti: Siç ju thashë më parë, duke qenë se nuk jemi njohës të mirë në këtë fushë, mendoj se kushdo që do të vijë, pavarsisht përmbajtjes, do të mbetet i mahnitur nga arti i ekpozuar këtu.

Intervistoi: Neritana Kraja