Shkodra ka disa receta të mrekullueshme që vetëm shkodranët ia dinë lezetin dhe mënyrën e tyre të gatimit. Konservatorë në zbatimin e recetave të trashëguara dhe ruajtjes së traditës, gatimet tradicionale, janë baza e gatimeve në çdo shtëpi shkodrane, sot e kësaj dite.

Gatime tradicionale shkodrane

Gatime tradicionale shkodrane

Për ju që shkoni si vizitorë në Shkodër, pavarësisht nëse keni qenë disa herë, apo jeni vizitorë të rinj, do t’ju tregojmë se si të zbuloni shijen tradicionale të kuzhinës shkodrane, përmes disa recetave tek të cilat do të gjeni shijen e vjetër, si në kohët e vjetra… Shkodra shquhet për gatimet e mishit, të peshkut dhe për përdorimin e bollshëm të zarzavateve, perimeve dhe erëzave nga më të ndryshmet. Ndër gatimet me peshk, përmendim, ngjalën që gatuhet në tavë me oriz, apo jahn; krapin, i cili në tavë është gatimi më i përdorur në Shkodër; putargat që janë vezë peshku dhe saragat që janë gjuca të thara.

Ndër gatimet e tjera me mish, por jo vetëm, janë: çorbë, mish jahni, patëllxhana me djathë, petë me pulë, lakuriq, qingj me mendër, pite me pazija, etj. Si ëmbëlsirë përmendim haxhimakullen, tespixhen apo pekmezin. Kjo listë i përket traditës së vjetër, madje është edhe më e gjatë se kaq, por ne do të sjellim shkurtimisht se cilat janë ato më dominantet.

tave krapi - foto Restorant Gege e toske - Facebook

Tavë krapi - foto Restorant Gege e toske - Facebook

Tavë krapi

E njohur për tavën e famshme të krapit, kuzhina tradicionale shkodrane është e pasur me receta autentike të shijshme dhe të veçanta, që sigurisht mbeten pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së kulinarisë shqiptare.

Të vish në Shkodër dhe të mos provosh Tavën e Krapit, atëherë nuk mund të quhet e plotë vizita juaj në këtë vend. Tava e krapit thuhet se zanafillën e ka që në krijimin e pazarit të madh, ku kuzhinierët e pazarit merreshin me përpunimin e peshkut të liqenit dhe e përgatisnin për tregtarët e asaj kohe. Është një mënyrë gatimi autentike që mund ta hani në zonën e lokaleve buzë liqenit, të cilët përgatisin një tavë të mrekullueshme tradicionale.

Jahni - foto nga Agroweb

Jahni - foto nga Agroweb

Jahni shkodre me kumbulla të thata

Jahnia e Shkodrës, është një gjellë e hershme e amvisave shkodrane, e përgatitur për shekuj e shekuj me radhë, e që sot vijon të mbetet në listën e gjellëve të shijshme. Amvisat theksojnë se sot e kësaj dite ky gatim i nderon për çdo sebep që mund të kenë. Nuk e gjeni kudo, vetëm në lokalet ku serviret guzhinë tradicionale mund ta gjeni një recetë të tillë. Por, më të mirën e saj, mund ta shijoni si mysafir në tryezat e shkodranëve, nëse keni fatin të jeni i ftuar. Gatuhet me mish viçi disi të yndyrshëm, qepë, domate, narden, kumbulla të thata dhe uthull të mirë rrushi. Që jahnia të dalë sa më e mire, duhet shtuar ujë nga pak dhe të zihet në zjarr të avashtë për disa orë.

Qingj me mender

Është një recetë unike, tepër e shijshme, që mund ta gatuani në çdo stinë, por sidomos në pranverë. Gatuhet me qepë, domate të bëra pure, kripë e piper të zi, në zjarr të avashëm, duke i shtuar në fund edhe një lugë të madhe me mendër, i cili i jep kësaj recete një shije të mrekullueshme.

lakuriq foto Bonbone taste

Lakuriq foto Bonbone taste

Lakuriq me kunguj

Gatimi i tretë që ju sugjerojmë është “lakuriq me kunguj.” Quhet kështu pasi nuk ka peta poshtë as sipër dhe është një recetë shumë e pëlqyer nga të gjitha moshat pasi nuk është as e ëmbël, as e kripur dhe tepër i lehtë. Kungujt e qëruar grihen në rende, u hidhet vezë, gjalpë, pak kripë dhe sheqer dhe i shtohet miell derisa të dalë një masë homogjene dhe një brum i hollë si i petullave. Futet në furrë në 200 gradë celsius dhe është gati për konsumim.

corbe orizi - foto gazeta Telegrafi

Çorbë orizi - foto gazeta Telegrafi

Çorbë

Është një supë, e thjeshtë, por tradicionale, sa i takon mënyrës së gatimit. Përgatitet me të brendshme qingji, ose edhe me mish të grirë, duke dhuruar dy shije të ndryshme tepër speciale. Eshtë gatim dimëror dhe gjithçka nis me qepën dhe copat e mishit, që kalohen bashkë në vaj ulliri e gjalp. Shtohet orizi, ujë ose lëng mishi, kripë, piper i zi me bollëk dhe vihen të zihen të gjitha njëherësh në zjarr të ngadaltë. Në fund të zierjes duhet që supa të jetë kremoze dhe mishi të jetë zbutur. Në fund i shtohet mendër, e thatë ose e freskët, sipas dëshirës.

Tespixhe

Ndër ëmbëlsirat ju rekomandojmë tespixhen. Pastiçeritë apo restorantet tradicionale e radhisin si një nga ëmbëlsirat më të pëlqyera edhe për të huajt. Teknikat e përgatistjes së këtij brumi, ndonëse është shumë e vjetër, është e ngjashme me përgatitjes së brumit, të cilin fjalori i teknikave të gatimit, e klasifikon si “brumi shu”. Suksesi i kësaj recete, varet nga një sasi hiri që nxirret nga zjarri i drurëve pasi digjen, që valohet me ujë dhe pastaj filtrohet, duke u përzier me gjalpin, të cilit i shtohet mielli. Është një brumë që përgatitet, mbi zjarr dhe përzieht vazhdimisht. Pasi ftohet, i shtohen vezët, punohet shpejt me duar dhe shtrohet në tavë, duke e prerë bukur në forma. Në fund i hidhet shërbet. Secila gjyshe ka masat e veta dhe kjo recetë trashëgohet brez pas brezi.

Trung - Foto shkodraweb

Trung - Foto shkodraweb

Haxhimakulle

Këtë ëmbëlsirë, me emrin sheqerpare, e bëjnë shumë zona në variante të ndryshme, por në Shkodër kjo është vepër arti. Kjo ëmbëlsirë e parezistueshme, e shkrifët dhe e butë mahnit jo vetëm adhuruesit e ëmbëlsirave, por këdo që e provon. Të verdhat e vezëve rrihen me sheqerin dhe gjalpin derisa bëhet një masë e njëtrajtshme. Më pas shtohet mielli dhe sodë buke dhe rrihen fort. I gjithë sekreti është që brumi të punohet sa më fort për rreth një orë. Kur brumi të jetë gati ndahet në topa të vegjël dhe vihen në tepsi. Pasi janë pjekur dhe ftohur, u hidhet shërbet i nxehtë.Kush është rritur para viteve ‘90 në Shkodër, nuk ka si mos të kujtojë Mark Pojën dhe pastiçerinë e tij në Piacë, në krah të Kafes së Madhe, përballë fotografëve. Pika e forcës së tij ishte “trungu”, më pas “piramida” për konsum të përditshëm sidomos nga fëmijët. Po kaluat në Shkodër, mos e lini pa provuar këtë ëmbëlsirë, ose haxhimakullen pas një tave krapi në Shirokë.

Në Shkodër ka disa restorante ku mund të gjeni receta të mira tradicionale, por kryeson “Restorant Tradita”, i cili të kënaq shijen dhe syrin. E gjeni në kryqëzimin e Degës dhe bie në sy për strukturën e tij, pasi restoranti është ngritur në nëj shtëpi të vjetër tradicionale shkodrane. Gjithashtu tarditën mund ta gjeni edhe tel “Vila Bekteshi”, që ndodhet pranë kishës Ortodokse, në një zonë të gjelbëruar, pranë Pjacës.

Të gjitha këto gatime mos prisni t’i gkeni nëpër restorante. Siç e thamë edhe në fillim, vendi më i mirë për t’i provuar, është në shtëpitë e vetë shkodranëve që i gatuajë në sofrat e tyre. Por, në pamundësi, nëse shkoni në Shkodër, mund t’u drejtoheni disa kompanive “delivery”, të cilat do ju sjellin gatimet si nga duart e gjysheve shkodrane.

Neritana Kraja