Piktori Vangjush Mio ka lindur më 3 mars të vitit 1891 në qytetin e bukur të Korçës. Në vitin 1908 për shkaqe ekonomike ai u detyrua që bashkë me vëllanë e tij të largoheshin drejt Bukureshtit. Vangjush Mio ishte anëtar aktiv i kolonisë së artistëve shqiptarë në kryeqytetin e Rumanisë dhe në vitin 1915 filloi studimet në Universitetin Kombëtar të Arteve në Bukuresht. Në vitin 1919 ai mbaroi studimet e larta me sukses dhe po në të njëjtin vit hapi ekspozitën e parë personale në Bukuresht. Një vit më vonë, ai u kthye për disa muaj në vendlindje, ku paraqiti punimet e tij. Ajo ishte ekspozita e parë artistike për publikun në gjithë Shqipërinë. Po atë vit, në muajin shtator ai u largua për në Romë. Si admirues i madh i impresionizmit italian të shekullit të 19-të dhe fillim shekullit të 20-të Vangjush Mio u regjistrua në Akademinë mbretërore të Shën Llukës (San Luca).

Piktori Vangjush Mio (Albanian art)

Piktori Vangjush Mio (Albanian art)

Problemet ekonomike e detyruan të ndërpresë studimet dhe të rikthehet në Korçë, ku u punësua si mësues arti në Liceun Francez. Pasi fitoi një bursë shtetërore, Vangjush Mio mundi të rivazhdojë studimet në Romë të cilat i përfundoi në vitin 1924. Më pas ai u kthye në Korçë, e cila në atë kohë ishte kryeqëndra kulturore e vendit.

Vangjush Mio i nderuar me titullin “Piktor i popullit” gjatë gjithë jetës mori pjesë në shumë ekspozita të vendit, madje në vitin 1942 edhe në Bari të Italisë. Ekspozita e tij e fundit të cilën e organizoi vetë, ishte një retrospektivë e punimeve të tij e zhvilluar në nëntor të vitit 1957 në qytetin e Tiranës. Pak ditë më vonë, më 30 dhjetor 1957, Vangjush Mio ndërroi jetë në Tiranë për shkak të komplikacioneve nga verdhëza.

Shtepia e Mios (Albanian art)

Shtepia e Mios (Albanian art)

Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri. Ai njihet më së shumti për peisazhet dhe konsiderohet si peisazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit të 20-të. Temat e tij të preferuara që e frymëzonin për të krijuar ishin nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peisazheve, Mio ishte brilant edhe në pikturat e portreteve. Ai ishte njëkohësisht skenograf i teatrit të Korçës. Gjatë karrierës 40 vjeçare të suksesshme ai realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura. Rreth 60 punime të tij u paraqitën në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e të bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë e Vangjushit që tani njihet si Muzeu Vangjush Mio. Në vijim 27 piktura me një vlerë rreth 300,000 dollarë amerikanë u raportuan të zhdukura në korrik 2012.

Vangjush Mio autoportret (Albanian art)

Vangjush Mio autoportret (Albanian art)

Në 1965 u realizua dokumentari shqiptar "Vangjush Mio, piktor i popullit", i cili trajton jetën dhe veprën e piktorit.

Vangjush Mio në studio (Albanian art)

Vangjush Mio në studio (Albanian art)

Qendrës kulturore të Korçës iu vu emri i tij dhe që prej vitit 2007, çdo vit në fund të tetorit në qytetin e Korçës zhvillohet Festivali “Ditët e Mios”. Për katër ditë me radhë artdashësit mund të admirojnë piktura nga artistë shqiptarë dhe të huaj, në Qëndrën Kulturore Korçë ku zhvillohet kjo ekspozitë.

Përgatiti: Sava Lena