Artisti i mirënjohur Bujar Kokonozi ka nisur nga viti 1971 hapat e tij të pare në karrierën televizive.

Në Televizionin Shqiptar TVSH ai punoi si fillimisht si operator, më pas drejtor fotografie, regjisor e drejtor artistik ne Top Channel dhe aktualisht drejtor artistik në MCN TV. Bujar Kokonozi në karrierën e tij ka lëvruar të gjitha gjinitë televizive.

“Bujari ka talentin, një pasuri e madhe, që nuk çmohet me asgjë. Por ka edhe këmbënguljen, vullnetin për punën. Nuk thyhet para asgjëje. Të dyja qëndrojnë njësoj tek ai. Ai është nje stof i shtrenjtë”. Ishte ky opinioni i aktorit të madh shqiptar Kadri Roshi për Kokonozin.

Ai ka bashkëpunuar në realizimin e rreth 15 filmave artistikë, si “Agimet e stinës së madhe”, “Unë e dua erën”, apo “Rikonstruksioni”. 30 dokumentarë mbajnë firmën e e regjisë dhe kameras, së Bujar Kokonozit, ndër të cilat “Kadri Roshi në fabul” dhe “Aleksandër Moisiu”. Në regjinë e tij janë realizuar telekomeditë “Një zonjë në New York” dhe “Çifti i shqyer”, si dhe dramat “Dy mendje në ankand” dhe “Kërcuri”.

Të shtumta kanë qenë çmimet dhe vlerësimet që Kokonozi ka marrë , mes të tjerash titullin, “Artist i merituar”, medaljen “Naim Frashëri” dhe çmime në disa festivale filmash. Pasioni i tij vijon të ndihet ende në punën që ai bën.

CMG : Bujar, si i kujtoni vitet tuaja të para në nisje të karrierës?

Bujar Kokonozi :Është detyrë e vështirë për të treguar aventurën e jetës sime profesionale. Punën time 50-vjeçare s'mund ta përmbledh lehtë, por do thoja që gjithçka ka nisur në 1972, kur mu bë një propozim për të qenë në televizion dhe ndryshova komplet qasje. Kam qenë shumë i ndërgjegjshëm që ishte një fushë që kërkonte shumë përkushtim dhe mbi të gjitha njohuri dhe e përjetova çdo gjë si një sfidë me veten.

Kam pasur fatin që kam punuar me të rinj dhe kjo më ka dhënë energji të mirë.

CMG : Ku ka qëndruar më pas vështirësia e atyre viteve?

Bujar Kokonozi : Ka pasur vështirësi dhe këto janë reflektuar në plan operacional. Kishim shumë ide dhe na është dashur t’i vendosim në praktikë me kushte jo shumë të mira.

CMG : Çfarë ju ka mbajtur përherë në treg?

Bujar Kokonozi : Kam qenë koshient që në çdo moment dhe në çdo punë që kam bërë të përmirësohem. Më kane pëlqyer punët e mia, por kam pritur përherë diçka më shumë dhe fakti që nuk jam vetëkënaqur më ka bërë mirë.

CMG : Sikleti më i madh në punë, cili ka qenë?

Bujar Kokonozi :Ne kemi punuar në të tjera kushte. Dikur çdo punë e jona dilte para një komisioni që na komentonte dhe na gjykonte për atë që bënim dhe kjo ishte një siklet më vete. Të shihje një vërejtje të fuste në një vorbull shqetësuese e për ditë me radhë nuk të iknin nga mendja vërejtjet . Megjithatë keq apo mire, për mua kanë pasur vlerë sepse më kanë bërë për të ecur. Në fund të 10-vjecarit të parë në profesion unë fitova siguri tek arritjet e mia.

Ngarkesat e punës ishin shumë të mëdha, sepse punonim nga e hëna në të hënë dhe gjithmonë kam qenë në kërkim.

CMG : Përveç kamerës ju kaluat edhe në regji, apo jo?

Bujar Kokonozi : Po e kam filluar me filma për fëmijë karrierën time regjisoriale. Në atë kohë kemi prodhuar shumë për fëmijët. Jo gjithnjë kemi pasur regjisor, kështu që më duhej të bëja edhe regjisorin. Unë me xhirim mendoja për çdo gjë, montazh, ecuri etj. Kjo më bëri që më vonë të kaloj në regjisor.

CMG :Çfarë keni parë gjithnjë me sytë e së ardhmes?

Bujar Kokonozi : Kam parë punën e bukur. Kam parë arritjet e mia se si do ishin, apo avancimin tim profesional. Unë kam kërkuar nga vetja dhe fatmirësisht më është shpërblyer edhe nga shoqëria. Kjo do të thotë që punët e bukura me pasion më kanë bërë që unë ta ndiej veten komod.

CMG : Cili xhirim ju ka bërë të reflektoni për rëndësinë e jetës?

Bujar Kokonozi : Çdo xhirim ka qenë për mua i rëndësishëm dhe më ka bërë të kuptoj rëndësinë e jetës.

Këtë e kam bërë duke punuar me të rinj dhe duke i ardhur në ndihmë këtyre të fundit. Kam mësuar nga çdo punë, sidomos kur kam realizuar filma ka qenë një eksperiencë e veçantë. Me mbi 15 filma të realizuara mora një shpërblim si “Kineasti më i mire”. Kam marrë vlerësime të larta nga njerëz të rëndësishëm të botës së kinemasë.

Mendoj që solla një revolucion të përdorimit të kamerës në lëvizje edhe pse e pashë edhe nga shembuj të tjerë të mirë. Xhirimet kanë qenë për mua një guxim në çdo kohë. Kam ecur gjithmonë në gjurmë arti.

CMG : Cilët kanë qenë njerëzit që kanë lënë gjurmë për ju dhe ju për kë po i lini gjurmët tuaja?

Bujar Kokonozi: Unë kam marrë shembull nga artistët që të vlerësojne dhe e shohin artin si diçka të rëndësishme. Neorealizmi ka qenë frymëzim tek unë dhe gjithnjë kam dashur të jem shumë strikt në punë dhe rebel, t’i prishja klishetë në punë.

Njerëz që më kanë lënë vlerësime kane qenë të shumtë, si i ndjeri Kadri Roshi ai ka thënë për mua që "Bujari ka qenë një stof i shtrenjte ".

Ndërsa pjesa tjetër janë kolegët e mi, ku unë kam lënë gjurmë shumë të mira.

CMG :A kanë ndjekur fëmijët rrugëtimin tuaj?

Bujar Kokonozi : Jo nuk kam dashur që fëmijët e mi të ndjekin këtë rrugë, duke qenë qe mua për t'ia dalë më është dashur shumë sacrificë, por djali edhe vajza ndoqën të njëjtën rrugë. Nuk ka pasur më pas kënaqësi më të madhe se të punoje me vajzën. Ajo u bë një mjeshtre e montazhit. Po ashtu edhe djali një regjisor i aftë në tregun mediatik. Ndihem krenar për familjen që kam krijuar.

CMG :E përfundojmë bashkë fjalinë, më kujtohet kur...

Bujar Kokonozi: Më kujtohet kur mora përsipër të bëj një film dokumentar në kohën e luftës në Kosovë dhe është pjesa më emocionale. Emocionet, ndjenja e në disa momente i përlotur. Me kamerën në sy e i përlotur më ka lënë kujtime të veçanta.

CMG : Cilat janë përjetimet e momentit në profesion?

Bujar Kokonozi : Aktualisht unë jam shumë i përmbushur. Kam gjetur veten në një tjetër television si MCN për të zhvilluar karrierën time. Pavarësisht moshës unë vijoj ende të punoj. Aty jam drejtor artistik dhe ky është hapi im më i ri që më bën të përjetoj sërish emocione të bukura profesionale

Intervistoi :Megi Latifi