Nëse shkoni në Korçë e keni të pamundur të mos ndaloni tek Muzeu kushtuar fotografit të talentuat korçar “Gjon Mili”, i njohur në mbarë botën për teknikën e tij unike të fotografimit. Një vend joshës, pasi keni mundësi të skalisni në kujtesën tuaj, një nga emrat më të njohur, të një artisti të përmasave të mëdha, të një bashkëkombasi, emri i të cili ju bën të ndiheni krenar.
Në muzeun e Korçës paraqitet më së miri ky rrugëtim unik arti i Milit, fotografive të ekspozuara në dhomat e ish-shtëpisë rumune, një nga godinat simbol të qytetit në zonën pedonale. Nga Roma në Hollywood, nga fotografitë e artistëve tek ato të sportistëve apo figurave të njohura shoqërorë, galeria e fotove të Milit është krijuar në një mënyrë të tillë që çdo vizitor të njihet dhe të shijojë më së miri imazhet e fotografive të tij.
Një sërë fotografish janë të vendosura në muret e muzeut, me teknika të ndryshme, personazhe, objekte që kanë ngelur në memorien e Milit dikur, e që ne i shohim tashmë në muze.
Gjatë viteve të tij në fushën e artit, ai ka pasqyruar fotoportrete mjaft interesantë të figurave të njohura të botës së artit e kulturës, duke përmendur këtu kompozitorin Stravinski, këngëtarin Frank Sinatra, piktorin Matis, pianistin Rubinstein etj. Ndër fotografitë e tij më interesante mbeten ato të presidentëve amerikanë, por edhe të politikanëve të tjerë, si ministri Molotov etj.
Muzeu, i inauguruar në vitin 2018, përmban 240 foto. Sot ky muze shërben si atraksion për shumë turistë të huaj e vendas, të cilët shprehin konsideratat më të larta dhe kënaqësinë e veçantë që ata përjetojnë gjatë vizitës së tyre. Interesit tonë për Muzeun, i është përgjigjur Kristi Ktona, përgjegjës i Muzeut “Gjon Mili”.
CMG: Cila është kategoria e vizitorëve më të interesuar për të vizitaur Muzeun e Fotografisë “Gjon Mili”?
Kristi Ktona: Muzeu ka 3 vjet që është hapur. Në vitin e parë pati një interes të madh nga turistët e huaj, por më pas u ndërpre nga pandemia dhe ata vizitorë të pakët gjatë fundjavave ishin nga Shqipëria, sepse Gjon Milin, përveçse këtu, nuk mund ta shohësh askund tjetër në Europë, përveçse në Barcelonë?
CMG: Kush është Gjon Mili dhe çfarë përfaqëson ai?
Kristi Ktona: Gjon Mili sot në “mit” është një korridor ku djathtas është profesori që ka shpikur “dritën strobe”, ndërsa majtas, ndodhet Gjon Mili që e zhvilloi “strobollin”. Pra Gjon Mili është një personazh mit, që e la shkencën dhe u morr me artin e fotografisë.
CMG: Cila është biografia e shkurtër e Gjon Mili?
Kristi Ktona: Gjon Mili ka lindur në Korçë në vitin 1904 dhe kur ishte 5 vjeç, familja e tij emigroi në Bukuresht për arsye ekonomike, ku mbaroi liceun e më pas në 1923 emigron në SHBA, ku kishte dajën, ashtu si shumë korçarë. Aty njihet me Faik Konicën, i cili e bën anëtar të “Vatrës” dhe e punëson si arkëtar. Në fakt Konica ndikoi shumë te Gjon Mili, sepse ishte personi që e shtyu të studiojë në Institutin e Teknologjisë në Masacusets për ixhinier elektrik. Këtu fillon gjithçka për Gjon Milin, kur profesori i tij shpiku blicin stroboskopik dhe Mili e përdori me aparat për herë të parë, duke fotografuar sport dhe balet, aty ku kishte lëvizje dhe ai e vendoste dritën strobo. Kjo teknikë e bëri aq të famshëm, sa në vitin 1939 e kërkoi ta punësojë revista “LIFE”, shumë e rëndësishme në atë kohë. Kjo punë i dha mundësinë të fotografojë dhe të jetë mik me shumë artistë të shekullit të kaluar, duke nisur që nga Pikaso deri te DaLima, Edit Piaf, Sofia Loren, Grace Kelly, Hitchcock, Sartri. Ai ka punuar për ushtrinë amerikane, por ka punuar edhe për Dior, madje “Muzeu i Arteve Kontemporane” në New York, dhe Muzeu “Moma” e konsideron ndër 20 fotografët më të mirë të shekullit.
CMG: Në sa pavione është e konceptuar galeria dhe si është strukturuar?
Kristi Ktona: I është lënë publikut për të patur një akses të pavarur. Ai kur vjen përballet me një shesh, ku kemi vendosur fotografitë e tij me teknikën e dritës, që ka me Pikason në 49- ën dhe aty nis frymezimi për të parë më tej. Më pas, në katin e dytë kemi dhomën e vizatimit me dritë, që është një improvizim i studios së Pikasos.
CMG: Si është kjo dhomë dhe si funksionon kjo studio?
Kristi Ktona: Është një dhomë e errët, ku në sfond ndodhet bakgroundi i studios së Pikasos. Atje, kush ka dëshirë, mundet që për 8 sekonda të vizatojë në ajër diçka me blicin e celularit dhe më pas, një printer u jep të pasqyruar në fotoprint vizatimin e tyre mbi backgroundin e Pikasos, ashtu siç ka bërë edhe Gjon Mili me blicin e aparatit të tij fotografik 70 vite më parë.
CMG: Cila kategori ka dëshirë ta provojë më shumë?
Kristi Ktona: Të rriturit në moshat e mesme mbi 40 vjeç, sepse e ndjejnë veten të pavarur brenda një dhome të errët.
Intervistoi: Neritana Kraja