Mbështetje financiare për 185 projekte në art, trashëgimi e digjitalizim

Pas hapjes së thirrjes për projekte kulturore për vitin 2022 nga Ministria e Kulturës, si asnjëherë më parë u depozituan 500 projektpropozime në fushën e artit, trashëgimisë e digjitalizimit, prej nga u përzgjodhën 185 prej tyre, që do të mbështeten financiarisht nga buxheti i këtij viti.

Kështu deklaroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një konferencë të përbashkët për shtyp për projektet me thirrje, me drejtorin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha. Margariti theksoi se “ky është numri më i madh i fituesve, që ka shpallur MK që prej vitit 2014 e që ka një larmishmëri zhanresh, por edhe shtrirjeje gjeografike nga veriu në jug”. Duke parë numrin e madh të aplikimeve të artistëve të rinj, me projekte teatrore, Ministria e Kulturës vendosi që t’i orientojë finnancimet në fondin e teatrit të të rinjve. Ministrja Margariti bëri të ditur se do të jetë Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, që do t’i asistojë ata në realizimin e projekteve të tyre skenike.

Ministria e Kulturës hapi në dhjetor të vitit të kaluar thirrjen për projekte kulturore për vitin 2022. Kjo thirrje synon mbështetjen e projekteve që zhvillohen ekskluzivisht ose kryesisht në Shqipëri.

Mbahet Koncerti i parë i Filarmonisë së Tiranës

Filarmonia e Tiranës ka zhvilluar koncertin e saj të parë. Koncerti u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke sjellë një program të pasur muzikor për publikun, që përfshinte vepra nga autorë të njohur si Schubert, Vivaldi, Kreisler, Brahms, etj. Filarmonia e Tiranës është konceptuar nga Bashkia e Tiranës si një mundësi e angazhimit të artistëve të rinj të fushës së interpretimit muzikor në jetën kulturore të kryeqytetit.

Në fjalën përshëndetëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo është një mundësi e re për të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit, që të nxjerrin në pah talentin e tyre. Filarmonia e Tiranës e mbështetur nga Bashkia e Tiranës është vazhdimësia e investimit në fushën e artit, një tregues i qartë se Tirana po kthehet në një kryeqendër kulturore evropiane.

“Çfarë ka qenë Tirona”, libri që sjell Tiranën autentike

Dokumente autentike të gjetura në Arkivin Osman të Kryeministrit të Stambollit jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë vijnë për herë të parë në botimin më të ri të gazetares Rezarta Delisula.

Libri me titull “Çfarë ka qenë Tirona” u promovua në lulishten e Galerisë së Arteve, në prani të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku nuk munguan kolegë gazetarë, historianë dhe qytetarë.

Në këtë libër Delisula rrëfen copëza historie që zhvilloheshin në Tiranën e viteve 1800. Ky libër është një botim dokumentar për historinë e Tiranës, me dokumente që dalin nga arkivat osmane për herë të parë e që kanë vlerë të padiskutueshme në historinë e kryeqytetit. Në librin me 452 faqe, Delisula përcjell përmes dokumenteve osmane, kontributin e popullsisë tironse në ndërtimin e institucioneve arsimore, si dhe detaje e kuriozitete të panjohura më parë mbi funksionimin e qytetit dhe qytetarëve.

Po ashtu përmes dokumenteve lexuesi do të njihet se si funksiononte sistemi financiar, me çfarë tregtie merreshin tiranasit e hershëm, si ka qenë bashkëjetesa fetare mes komuniteteve, si organizohej paria e qytetit, investimet dhe arsimi.

Pjesë e librit janë edhe dokumentet e rëndësishme për luftën mes pashallarëve shqiptarë, zbulimi i minierës së Krrabës, etj. Rezarta Delisula me një eksperiencë të gjatë në media, publikoi në dhjetor të 2018 librin e saj të parë “Tirana Mahnia”, një guidë historike, etnografike e zakonore e kryeqytetit, për të cilin u vlerësua me çmimin “Mirënjohja e qytetit” akorduar nga bashkia e Tiranës.

Promovohet ekspozita “Lulet e ftohta të shkurtit”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, ka risjellë për publikun ekspozitën e titulluar “Lulet e ftohta të shkurtit”, e cila ofron një fushëpamje të gjerë të zhvillimeve në kapërcyell të viteve ’90.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, prof. asoc. dr. Ardit Bido dhe drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari.

Në një dalje të përbashkët për mediet, krerët e dy institucioneve ndërvepruese, theksuan rëndësinë e pasqyrimit të ngjarjeve politike dhe sociale të viteve 1990-1991.Në fjalën e tyre të rastit, iu drejtuan në mënyrë të veçantë studentëve të pranishëm, të cilët në sajë të dokumentimit të së shkuarës, mund të nxjerrin mësime për të ardhmen.

Kontributi që sjell Muzeu në këtë ekspozitë përbëhet nga dokumente dhe foto që përcjellin atmosferën e viteve ‘90- ‘91. Janë dokumente të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që janë deklasifikuar së fundmi, duke u bërë të qasshme për çdo hulumtues apo të interesuar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për pesë ditë në oborrin rrethues të Muzeut “Shtëpia me Gjethe”, godinë që ka shërbyer si Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret në vitet 1944 – 1991.

Çelet ekspozita me fotografi nga Japonia

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori e Japonisë, Takada Mitsuyuki vizituan Galerinë e Artit në Tiranë, ku është çelur ekspozita me fotografi nga Japonia për 100-vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë së nisur në vitin 1922 mes dy vendeve. Veliaj tha se kjo ekspozitë personifikon marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Japonisë, në 100-vjetorin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve.

“Është unik për të mësuar, përmes fotografive, mbi jetën e përditshme në Japoni, sidomos për ta rrëfyer tek të rinjtë tanë, për të kuptuar se, edhe pse jemi larg, kemi të njëjtat ambicie, të njëjtat aspirata, duam të jetojmë në paqe, të punojmë me kreativitet; duam që nga fatkeqësia të prodhojmë një mundësi që i bën gjërat edhe më mire. Kjo ekspozitë është një mundësi fantastike për të rinjtë e Tiranës dhe vjen si një kontribut i Ambasadës së Japonisë në Tiranë, është një dritare, jo e madhe, por e vogël, me rreth 100 foto, për të parë pak se sa të ngjashëm jemi”, pohoi Veliaj.

Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki falënderoi kryebashkiakun për pjesëmarrjen në ekspozitë, teksa theksoi se mezi pret që të rritet më shumë bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Metamorfoza e një kryeqyteti“ e Ylljet Aliçkës nxit diskutime në Francë

Në një nga sallat e Asamblesë Kombëtare të Francës (Parlamenti francez) u organizua një debat mbi romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti“, të shkrimtarit Ylljet Aliçka, përkthyer në gjuhën frënge nga Michel Aubrey, botim i shtëpisë botuese “L’esprit du temps”.

Pjesëmarrës në takim ishin deputetë, anëtarë të grupeve parlamentare të miqësisë Francë- vendet e Ballkanit Perëndimor, diplomatë francezë që kanë shërbyer në vendin tonë, si dhe të ftuar nga fusha e letrave.

Marrë shkas nga subjekti dhe problematika që trajton romani, debati dhe diskutimet mes shkrimtarit dhe pjesëmarrësve u përqendruan në temën e të evolucionit të shoqërive postdiktatoriale dhe konvertimit ideologjik të këtyre shoqërive. Romani “Metamorfoza e një kryeqyteti” i Ylljet Aliçkës ka për objekt evolucionin shpirtëror, politik e shoqëror të intelektualëve të Tiranës nga vitet ’70 deri më sot. Çështjet që shpalos, realizmi çehovian, e çojnë këtë roman mes arritjeve më të mira të të gjitha botimeve në letërsinë e postdiktaturës. Shkrimtari dhe doktori i shkencave në Didaktikë, Ylljet Aliçka, është autor i disa botimeve në gjuhën shqipe dhe të huaj.

Romani i Ylljet Aliçkës u diskutua edhe në Panairin e librit të Ballkanit në Paris. Në këtë panair u diskutua dhe për romane të tjera shqiptare.

Përgatiti: Neritana Kraja