Është e pamundur të vizitoni Tiranën e të mos ndjeni dëshirë të provoni shijen e gatimeve të saj. Si metropol i zhvilluar, në Tiranë mund të gjeni që nga kuzhina kineze, deri tek ajo arabe dhe meksikane, greke dhe italiane, por trendi që vazhdon të mbetet trend, për vendasit dhe të huajt, është shija e kuzhinës tradicionale. Një vend e njohim përmes shijes së tij. Për të provuar shijen e gatimeve tradicionale, ne ju rekomadojmë zonën e Tiranës së vjetër, e sidomos, ta nisni guidën tuaj të degustimit nga zona e Pazarit të Ri.

Pazairi i Ri, është i mirëorganizuar dhe me kushte bashkëkohore, me fasada unike dhe dekore me motive shqiptare, me sheshe për të pushuar, e mbi të gjitha me produkte shumë të freskëta. Zarzavate me plot aroma, fruta dhe perime, ju mund të shëtisni mes tezgave e pastaj të uleni në një nga lokalet e shumta që ofrojnë shije tradicionale.

Në këtë zonë mjaft të pupulluar të Tiranës, ju mund të provoni një përvojë të mrekullueshme kulinarie, mjafton që të ndiqni këshillat tona. Ju rekomandojmë që turin degustues të nisni me meze të vogla, të cilat mund t’i gjeni kudo. Mezet janë gatime në porcione të vogla, që vihen në mes të tavolinës dhe bëjnë punën e nxehjes në një tavolinë. Mezet përbëhen nga djathërat, ullinjtë, perimet, turshitë dhe salca e kosit, të gjitha të shoqëruara zakonisht me një gotë raki.

Çfarë e pasuron drekën apo darkën tuaj, është sallata që zakonisht përgatitet me domate, tranguj, qepë, speca, që ne e njohim si sallatë fshati. Por një sallatë shumë e dashur për tiranasit është sallata me radhiqe, një bimë me shije pak a shumë të hidhur, e cila e serviret e fresktë, me kripë, vaj ulliri dhe lëng limoni. Sallatat vendosen në mes të tavolinës pasi janë pjata të përbashkëta.

Po kaq të rëndësishëm, janë djathërat në mes të tavolinës, që nga djathi i freskët deri tek ai djathi i stazhonuar. Një nga më të njohurit është kaçkavalli i cili gatuhet i pjekur në zkarë si meze dhe gjiza, e preferuara e hershme e tiranasve. Buka, është një tjetër përbërës, i tavolinave, ku mezet shoqërohen edhe me pak bukë të thekur, ose bukë misri, duke plotësuar kuadrin e mezeve. Zona e Pazarit të Ri, është zona që ofron mundësinë më të mirë për të nisur guidën tuaj degustuese, që nis me një meze e vazhdon me atë çfarë tiranasit kanë më shuë për zemër: qoftet.

“Qofe dhe birra”, ose “qofte dhe raki”

"Qofte dhe raki", është togfjalëshi më i shpeshtë që dëgjon nga turistët dhe vizitorët. Ky kombinim, autentik dhe njëherësh i thjeshtë, në fakt u ka rezistuar proceseve transformuese të Tiranës e bashkë me to edhe transformimit të shijeve të banorëve. Përbri ushqimeve tradicionale të kulinarisë shqiptare, duket se po renditen gjithnjë e më shumë edhe zgarat, ku qoftet, po kthehen në një nga ushqimet më përfaqësuese të saj. Zgarat në Tiranë, jo pak herë po ia dalin të vjedhin vëmendjen e turistëve dhe madje po shërbejnë si një ndër "asetet" që ia vlen të përmendet kur vjen fjala për marketingun e kulinarisë shqiptare.

Gjithnjë e më shumë është shtuar numri i vendasve apo turistëve të huaj që preferojnë zgarat e Tiranës. Si rrjedhojë, edhe përfaqësuesit e guidave të Tiranës, në shumë raste i kanë shtuar zgarat në sugjerimet e tyre për turistët në Web-et e tyre zyrtare. Qoftet pëlqehen, sepse kanë çmime të lira dhe shije të mirë. Po të bësh një shëtitje në Tiranë, vëren që zgarat e qofteve gëlojnë nga njerëzit. Mes tyre pikasen të moshuar, familje apo grupe të rinjsh, që konsumojnë qofte me birra, ose me raki, secili sipas mënyrës së vet.

Te Pazari i Ri, prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh gjendet dyqani i "Met Kodrës" i cili edhe sot të kthen prapa në kohë, ku ashtu si atëherë, jo pak njerëz interesohen për sekretin e qofteve, në të cilat ndihet shija e thjeshtë, por njëkohësisht dallohet edhe gërshetimi i disa përbërësve. Ne ju ftojmë që patjetër ta shënoni si stacion në gudiën degustuese të shijes tradicionale të Tiranës.

Por ndryshe nga atëherë, kur marketingut nuk i jepej aq rëndësi sa sot, tashmë aty gjen edhe plot turistë të huaj që tek orientohen shpesh nga guidat shqiptare për në këtë dyqan, po shtohen ndjeshëm. Mos mungoni as ju. Qoftet këtu gatuhen si një herë e një kohë, nuk ka ndryshuar asgjë nga teknikat e përgatitjes së tyre, madje edhe lënda e parë, mishi, vazhdon e merret tek i njëjti kasap. Nëse vendosni të ndaloni këtu, qoftet dhe simitet e ngrohta janë aq joshëse, sa ju duhet të thërrisni në ndihmë birrën, që jua sjellin nga lokali ngjitur, si një herë e një kohë, pasi tek ky lokal i vogël në hyrje të Pazarit shërbehen vetëm qofte të një shijeje fantastike.

Fërgesa Tiranase

Tirana në kulinari, ka një tjetër kult të sajin, që nuk duhet ta humbisni. Është “fërgesa tiranase”, ose siç thonë “Tironcit”: “Fërges Tirone”. Për të marrë më të mirën e shijes së saj, ju ftojmë në një tjetër zonë të kryeqytetit, tek Kalaja e Tiranës, një zonë tejet turistike, ku ndodhen disa nga restorantet më të mira, që ofrojnë kuzhinë tradicionale. Kjo është një zonë e re, e kuruar deri në detaje, tepër tërheqëse, që ju fton në një Tiranë sa bashkëkohore aq edhe tradicionale. Këtu do të gjeni mjaft propozime recetash nga shefa të restoranteve të ndryshme, por çfarë tërheq vëmendjen dhe shefat nuk guxojnë ta transformojnë, për vetë unikalitetit e saj, është “Fërgesa tiranasa”.

Kjo pjatë si shumë pjata të tjera tradicionale është emblemë e kuzhinës autoktone shqiptare. Megjithëse tepër e njohur dhe e dashur, është shumë i vështirë përcaktimi me saktësi i zanafillës së saj si në kohë ashtu dhe në gjeografinë e territorit. “Fërgesa tiranase”, është një pjatë ndjellëse dhe gjithë shije që ka brenda saj përbërësit kryesorë të gatesave të kohës që e lindi si, t’lyni, gjiza, mishi ose mëlçia e zezë, mielli dhe speci i kuq djegës. Ajo është një nga krenaritë e tiranasve që nuk mungon në asnjë nga sofrat e tyre, kuptohet shoqëruar gjithmonë me një gotë të vogël me raki e pak bukë të thekur.

Të tjera nga guida e propozimeve tiranase

Përveç mezeve, “fërgesës tiranase”, qofteve të zgarës, të tjera recetaju presin për të provuar deri në fund shijen e tryezave karakteristike. Paçet, tavat e plëndësit, tavat e dheu, çorba e orizit apo turshitë, vijojnë të kërkohen dhe të shijohen nga vizitorët që janë në kërkim të gjurmëve tradicionale të gatimit. Sa i takon mishit, në kuzhinën tradicionale tiranase, dominojnë shpendët, si pata, pula dhe gjeldeti. Pula me qull dhe gjeli me pilaf janë ndër “pjatat e rënda” të tiranasve, ndërsa byreku me qumësht, apo me spinaq, një shije klasike, përherë e dashur.

Embëlsirat

Dhe në fund, për të përmbyllur një ditë shijimesh, sërish për një shije klasike, ju ftojmë në njërën nga pastiçeritë ku do të geni shijen e dikurshme të ëmblësirave. Njëra është pastiçeri “Dingu”, e cila ju jep mundësinë që të shijoni tortat tradicionale të cilat nuk kanë ndryshuar shijen për vite e vite të tëra. Por edhe pastat me peta janë një tjetër element tradicional që duhet t’i provoni sa herë ju bie rruga nga “Hoxha Tahsim”.

Ndërsa në pastiçerinë “Reka”, do të gjeni një gamë të gjerë ëmbëlsirash të trashëguara brez pas brezi si për shembull të sheqerpares, pufteve dhe qershia mbi tortë: Llokumet!

Llokumi i famshëm “Reka” përgatitet edhe sot e kësaj dite në mënyrë artizanale dhe të shkrihet në gojë! Me një traditë gati 1-shekullore, s’kishte si të ndodhte ndryshe në fakt!

Neritana Kraja