Një nga aspektet e rëndësishme të mënyrës së jetesës janë veshjet popullore të cilat me larminë dhë variantet e tyre pasurojnë trashëgimine kulturore shqiptare. Për veshjet popullore shqiptare mund të flitet pas formimit të kombësisë shqiptare.

Veshjet popullore i gjejmë si në fshat ashtu edhe në qytet. Pjesa më e madhe e veshjeve në fshat ishin të endura e të qepura me pëlhura liri, leshi, pambuku e më pak prej mëndafshi. Ndwrsa në qytet, krahas pjesëve të endura, shpesh një pjesë e mirë e veshjeve qepeshin e qëndiseshin nga mjeshtrit rrobaqepës e qëndistarW të specializuar, sipas shijeve e kwrkesave të ndryshme të popullsisë.

Koleksionet muzeale për veshjet popullore shqiptare kanë filluar të krijohen mbas Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj përiudhe kanë ekzistuar koleksione të vogla private, të grumbulluara nga priftërinjtë françeskanë (rreth 300 objekte). Aktualisht në fondet muzeale të Insitutit të Kulturës Popullore ruhen mbi 18 mijë pjesë veshjesh të marra nga krahina të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në rubrikën tonë ne do të klasifikojmë tre prej tyre.

Fustanella (foto flickr)

Fustanella (foto flickr)

Fustanella

Një nga veshjet më karakteristike të shqiptarëve që e gjen me një shtrirje gjatë gjithë territoreve ku ka banuar etnia shqiptare është fustanella. Në mënyrë të gabuar shpesh herë ajo është referuar si një veshje kombëtare e përdorur vetëm në jug të Shqipërisë, por në fakt siç mund të identifikohet dhe nga një numër gravurash të fillimit të shekullit të XIX por edhe nga fotografitë e Fototekës “Marubi’, fustanella gjen një shtrirje të admirueshme si veshje edhe në veri të territoreve shqiptare duke marrë pa dyshim atributet e një veshje kombëtare gjithë shqiptare.

Fustanella është një veshje tradicionale dhe luftarake për meshkuj, e ngashme me fundin dhe kiltin skocez, e mbajtur nga shqiptarët, më vonë edhe nga grekët dhe kombe të tjera të Ballkanit. Në Shqipëri, fustanella ka qënë uniformë zyrtare e Gardës mbretërore dhe vazhdon të përdoret nga grupet polifonike, ndërsa në Greqi, një lloj i shkrutër i fustanellës vazhdon të përdoret nga njësitë ushtarake ceremoniale si Evzones.

Një dokument i vitit 1335 e liston fustanellën ndër objektet që iu konfiskuan një marinari në portin e lumit Drin në Liqenin e Shkodrës. Versioni shqiptar i fustanellës ka gjashtëdhjetë pala. Fustanella bëhet prej copave të trasha të lirit të endura në kushtet e shtëpisë. Historikisht, ka qënë aq e gjatë sa mjaftonte për të mbuluar gjunjtë dhe linte të ekspozuar pjesën e poshtme të këmbëve. Zakonisht vishej nga shqiptarët e pasur të cilët gjithashtu mbanin në sup edhe një jatagan dhe një palë pisqolla argjendi në brez. Jatagani dhe pisqollat përdoreshin më tepër për arsye dekoracioni.

Xhubleta (foto SICRED)

Xhubleta (foto SICRED)

Xhubleta

E merr këtë emër nga një lloj fundi në formë këmbane të valëzuar, i qepur me rripa prej shajaku të vendosur njëri pas tjetrit në linjë horizontale, bashkimi i të cilëve realizohet me gajtana të hollë prej leshi. Xhubleta shoqërohet edhe me disa pjesë të tjera prej shajaku me ngjyrë të zezë, si të xhubletës të cilat quhen grykës, mangw dhe krahol. Pjesë tjetër është edhe brezi i gjerë i zbukuruar me rruaza dhe gajtana. Në kokë mbahej një shami e bardhë, e lëshuar mbi shpatulla. Këmbët mbroheshin me këllçi shajaku ose me çorape të gjata si dhe me opinga lëkure.

Në këtë veshje bie në sy forma e xhubletës, krejt e veçantë nga çdo veshje tjetër, mënyra e zbukurimit të pjesëve të saj me motive dhe ngjyra të plota, por shumë të zgjedhura; si ngjyra e zezë, çiklamin, vjollcë ose blu. Kjo veshje është mbajtur në të gjitha malësitë e Alpeve të Shqipërisë përfshirë edhe pjesën e alpeve në Malin e Zi. Xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare.

Veshje Dardhare (foto Facebook)

Veshje Dardhare (foto Facebook)

Veshje dardhare

Një nga kostumet më të bukura të femrave pa dyshim është ai i Dardhës. Kostumi i grave të Dardhës përgatitej brenda shtëpisë, duke punuar shajakun, të zbukuruar me pjesë të veçanta. Kostumi i grave dardhare është në ngjyrat e flamurit, kuq e zi, dhe kjo është një mburrje edhe sot e kësaj dite për banorët.

Pjesën kryesore të kostumit e zinte xibuni prej shajaku, i gjatë deri në gju. Në pjesën e pasme, nga mesi e poshtë kostumi vjen duke u zgjeruar me anë të disa kindave që qepeshin veref. Në pjesën e sipërme të tij, xibuni zbukurohej me gajtanë të kuq. Qëndisjet fillojnë nga pjesa e qafës në drejtim të gjoksit ku zbukurimet janë më të shumta dhe arrijnë deri në fund. Me gajtanë janë krijuar motive me vija të drejta, spirale ose me lule që shkojnë paralel me njëra-tjetrën në të dy anët e xibunit. Poshtë xibunit vishej fustani i leshtë prej shajaku me ngjyrë të zezë dhe i gjatë deri në pulpat e këmbëve e i hapur në pjesën e gjoksit.

Pjesë e kostumit të Dardhës është edhe përparësja prej stofi, që në të shumtën e rasteve është në ngjyrë të errët, e njëjtë me atë të fustanit, pak më e gjatë se xibuni dhe e zbukuruar me gajtanë. Veshja e grave të Dardhës është e shoqëruar me aksesorë të ndryshëm, që i japin një paraqitje edhe më të bukur kostumit. Mes këtyre aksesorëve ishin zinxhiri i gjatë që lidhte paftat prej argjendi të varura deri në pjesën e belit, varëset e qafës etj. Si e tillë, kjo veshje popullore nuk ka vetëm vlerë artistike, por është pjesë e kulturës kombëtare që dëshmon sakrificat etnike të popullit tonë, duke na dalluar nga popujt e tjerë.

Neritana Kraja