Sa herë do të flitet për muzikë të bukur aq herë do të kujtohet Ferdinand Deda. Sa herë që përmendet fjala festival, i pari emër apo imazh që vjen ndër mend, është emri dhe pamja e Ferdinand Dedës. Është një nga të paktët njerëz që nuk pati nevojë të retushonte imazhin e tij me ndryshimin e kohërave, sepse gjithmonë vetëm ka dhënë. Ferdinand Deda do të kujtohet gjithmonë si një kolos i muzikës shqiptare.

Ferdinand Deda ( foto kult plus)

Ferdinand Deda ( foto kult plus)

Ferdinand Deda, i njohur si një nga artistët më të kompletuar shqiptarë, ruan respektin dhe mirënjohjen për kontributin e tij në muzikën tonë. Dirigjent dhe kompozitor i apasionuar mbi notat dhe ritmin, ai në asnjë moment të jetës nuk u nda nga partiturat. E tërë jeta e tij ishte një pentagram muzikor.

Mësimet e para në muzikë i mori që në moshën 6 vjeçare. I lindur në një qytet të vogël si Peqini, në Shqipërinë e Mesme, që në moshë të hershme ai filloi të njihej nga të gjithë si një fëmijë i apasionuar pas muzikës dhe përherë i gatshëm të bëhej pjesë e shfaqjeve amatore të qytetit të tij. Por studimet e mirëfillta, përmes të cilave nisën të marrin jetë ëndrrat e tij për muzikën, i filloi në vitin 1955, pranë Liceut Artistik "Jordan Misja", në Tiranë. Menjëherë pas mbarimit të Liceut, në vitin 1959 emërohet mësues muzike në Gjirokastër, ku qëndroi deri në 1960. Në këtë kohë në jetën e tij hyri dirigjimi, një pasion i fortë që u kthye në një pasion të madh, me fillimin e studimeve për dirigjim pranë Konservatorit Nacional të Pragës, në Çeki.

Ferdinand Deda ne shtepine e tij ( foto Sport.al)

Ferdinand Deda ne shtepine e tij ( foto Sport.al)

Në klimën e pezmatimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, Deda, sikurse Kadareja apo studentë të tjerë jashtë vendit në vitet ‘60, i shtrënguar i braktis studimet për t’i rinisur në konservatorin e Tiranës. Prej auditorit, do t’i besohej të udhëhiqte orkestrën e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH).

Duke nisur nga viti 1964, Deda ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit. Kolonat zanore të shumë filmave shqiptarë, mbajnë autorësinë e Dedës dhe të orkestrës simfonike të RTSH-së. Në tagrin e kompozitorit, ka lënë pas një trashëgimi tejet të pasur muzikore, prej së cilës veçojmë: 3 valle simfonike, katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut etj.

Në fushën e muzikës, Ferdinand Deda ishte një kompozitor i talentuar që shënjoi muzikën shqiptare simfonike, operistike dhe varietenë në Shqipërinë e shekullit të XX. Ai do të mbetet si ndër më të sukseshmit ndërthurës të muzikës qytetare tradicionale shqiptare dhe asaj simfonike, sic e dëshmn edhe vepra e tij e mirënjohur për piano dhe orkestër, “Një rapsodi shqiptare”.

Ferdinand Deda me kengetaren Aurela Gaqe

Ferdinand Deda me kengetaren Aurela Gaqe

Me orkestrën simfonike të RTSH-së ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Paralelisht ka drejtuar edhe orkestra të tjera, si orkestra e TKOB, Akademisë së Arteve, Orkestra Simfonike e Prishtinës, etj.

Por, në mëndjen e gjithësecilit ai do të kujtohet gjatë për prezencën në festivalet e këngës së fundvitit. Portreti i tij ndërsa dirigjonte, sinkronizimi i lëvizjeve të dorës së dirigjentiti me ngazëllimin që përcillte fytyra e tij, do të ngelen jo vetëm të fiksuara nga kamerat e kameramanëve, por edhe në kujtesën e publikut, duke i falur përjetësinë artistit të madh.

Sidomos duhet theksuar kontributi i Ferdinand Dedës gjatë viteve '70-'80, ku pa dorën vendimtare të mjeshtrit të madh nuk do të kishte ato rezultate pozitive në muzikën tonë të lehtë. Vetë fakti që Maestro ishte ideatori dhe themeluesi i Koncertit të Pranverës tregon qartë vizionin dhe përpjekjet e tij për të ndryshuar diçka në muzikën e lehtë shqiptare, duke i dhënë asaj më shumë progres, në një periudhë tepër të vështirë dhe ndoshta të pa imagjinueshme për atë kohë.

Ferdinand Deda (oto Konica.al)

Ferdinand Deda (foto Konica.al)

Kur kujtojmë emrin e Ferdinand Dedës, sigurisht që së pari të vjen në mendje dirigjimi argëtues i tij, por edhe një këngë e cila u kthye në lajtmotiv të të dashuruarve. Ai përmes zërit të këngëtares Aurela Gaqe, i ka dhuruar publikut shqiptar, një nga këngët më të bukura, një ndër baladat e dashurisë më të ndjera, këngën “Fati ynë shpresë e marrëzi”. Përveç lompozimit të këngëve të muzikës së lëhtë, ai është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë.

Në përvjetorin e lindjes së dirigjentit, kompozitorit dhe instrumentistit që pianon dhe fizarmonikën i kishte të pandara, ne shprehim nderim dhe mirënjohje për muzikën e mjeshtrit të madh. Jemi rritur me prezencën e tij në ekranin e shtëpisë dhe më pas me muzikën e djalit të tij Elton Deda, një talent i vërtetë, që pas gjurmëve të të atit, vazhdon të bëjë muzikë të mirë.

Për krijimtarinë e tij Ferdinand Deda është vlerësuar dhe me tituj si "Artist i Merituar" dhe "Mjeshtër i Madh". Ferdinand Deda u nda nga jeta në moshën 62 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Neritana Kraja