Semir Hoxhaj është nga Shkodra dhe ka përfunduar Liceun Artistik “Preng Jakova” në qytetin e tij të lindjes. Ai vijon studimet në degën e kantos në Universtitetin e Arteve në Tiranë. Muzika dhe sporti kanë qenë që në fëmijëri dy pasionet e tij, por Semiri vendosi të vazhdojë rrugën e muzikës, duke plotësuar kështu dhe një dëshirë të babait të tij. Semiri është dy herë fitues i konkursit ndërkombëtar “Pjetër Gaci” në muzikën kalsike dhe që në moshë të vogël ka marrë pjesë në disa evente artistike. Në një intervistë për CMG, ai tregon për arritjet e tij si dhe synimet që ka për të ardhmen.


Semir Hoxhaj (Facebook)

Semir Hoxhaj (Facebook)

CMG: Semir, kur ke nisur të merresh me muzikë?

Semir Hoxhaj: Unë jam marrë me muzikë që në klasë të parë. Në atë kohë profesorët e shkollës fillore po bënin disa prova se kush kishte zë të mirë dhe kush kishte intonacion të këndonte. Që aty unë kam vazhduar të këndoj dhe mbaj mend se ka qenë kënga “Qingji i vogël”, e para që kam kënduar. Gjithashtu kam kënduar te aktiviteti “Bilbilat e Shkodrës”: e me radhë deri në shkollën e mesme artistike “Preng Jakova” në Shkodër.

CMG: Ke pasur ndonjë pjesëtar të familjes që është marrë muzikë, apo ti je i vetmi që po ndjek këtë rrugë?

Semir Hoxhaj: Si fillim mua më ka pëlqyer shumë të merrem me sport dhe sidomos me futbolln dhe që nga mosha 7-8 vjeç jam marrë më shumë me sportin. Ndërkohë që muzikën si pasion e ka pasur babai im, i cili ka pasur shumë qejf që të merret me muzikë dhe ka shkuar deri në Akademinë e Arteve, por nuk mundi që ta vazhdonte më tej këtë rrugë. Në ato momente ai ka thënë që këtë gjë do ja trashëgoj djalit tim.

Semir Hoxhaj gjate nje aktiviteti artistik (Facebook)

Semir Hoxhaj gjate nje aktiviteti artistik (Facebook)

CMG: Ndjehet i lumtur babai juaj tani që ju arritët të vazhdonit rrugën e muzikës, duke plotësuar dhe dëshirën e tij?

Semir Hoxhaj: Babai im mendoj që është krenar për mua sepse ai e trashëgoi muzikën tek unë. Gjithashtu ka qenë dhe përkushtimi im si dhe talenti që unë kisha në fushën e muzikës.

CMG: Shkodra ka nxjerrë gjithmonë artistë të talentuar ku dhe ju besoj do të ndiqni këtë rrugë, duke e përfaqësuar me dinjitet qytetit tuaj të lindjes.

Semir Hoxhaj: Shpresoj që po dhe kam shumë dëshirë që jo vetëm në Shkodër apo Tiranë, por edhe jashtë vendit të kem një karrierë të mirë, pra të bëj një karrierë ndërkombëtare në të ardhmen.

CMG: Cila nga rrymat muzikore të pëlqen më tepër dhe që ke dëshirë të ndjekësh në të ardhmen?

Semir Hoxhaj: Për momentin po merrem vetëm me muzikën klasike, dhe kjo është për tani dëshira ime. Kam dëshirë ta perfeksionoj në maksimum dhe më vonë ndoshta do të ecim me tregun. Unë në fakt kam kënduar dhe muzkë popullore, por tani duhet t’i ndajmë disa gjëra, si fillim klasikja dhe pastaj me kalimin e kohës edhe muzkën popullore ose muzikën moderne. Unë dëshiroj që në karrierë të jem i plotësuar nga të gjitha anët.

Semir Hoxhaj duke luajtur ne piano (Facebook)

Semir Hoxhaj duke luajtur ne piano (Facebook)

CMG: Semir si ndjehesh si student i vitit të parë të kantos dhe si janë marrëdhëniet tuaja me pedagogët?

Semir Hoxhaj: Kam qenë shumë entuziast të them të drejtën. Akademia është diçka e mirë sepse pedagogët aty janë emra të njohur të artit shqiptar në skenat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Dhe është nder të punosh me ta. Jam shumë i lumtur dhe do shoh që të bëj më të mirën time.

CMG: Jeni fitues i dy çmimeve ndërkombëtare në fushën e muzikës. Na tregoni pak rreth këtij aktivitet?

Semir Hoxhaj: Unë kam fituar dy herë konkursin “Pjetër Gaci” që zhvillohet në Shkodër, i cili është me pjesëmarrje ndërkombëtare, pra marrin pjesë nga të gjitha vendet e botës, duke filluar nga Konservatori i Moskës dhe vende të tjera. Unë kam fituar çmimin e dytë kur kam qenë në vitin e parë të shkollës së mesme. Ky është një konkurs vetëm për muzkën klasike dhe përfshin të gjitha kategoritë e këtij zhanri muzikor. Së fundi vitin e kaluar kam fituar dhe çmimin e parë të këtij konkursi ndërkombëtar.

CMG: Në moshën fëmijërore ju kishit pasion dhe sportin. E keni peng tani që nuk merreni më me sportin, por vijuat me muzikën?

Semir Hoxhaj: Të them të drejtën nuk më ka ngelur peng sepse në përgjithësi edhe gjatë kësaj kohe jam marrë dhe me sport si futboll, palestër apo ndonjë sport tjetër. Sportin nuk e le mbrapa kurrë dhe nuk më mbetet peng sepse kam zgjedhur një fushë që pak a shumë si sporti është dhe arti. Unë gjatë kësaj periudhe jam marrë edhe me palestër dhe fitness ku kam qenë dhe instruktor, pra diçka që më ka pëlqyer ta bëj e kam bërë deri në fund.

Semir Hoxhaj gjate vleresimit ne aktivitetin e muzikes klasike ne Shkoder (Facebook)

Semir Hoxhaj gjate vleresimit ne aktivitetin e muzikes klasike ne Shkoder (Facebook)

CMG: Keni dëshirë që kur të përfundoni studimet në Universitetin e Arteve të vazhdoni ndonjë master jashtë vendit?

Semir Hoxhaj: Dëshirë kam që të mbaroj Akademinë, duke lënë një shenjë të mirë aty, pastaj kam dëshirë që të bëj ndonjë master jashtë që të provoj dhe kulturën e shkollave jashtë vendit. Dëshira ime është që të shkoj në Itali ose në Vjenë dhe kjo varet se si do të më eci karriera.

CMG: Si është një ditë e juaja në Tiranë?

Semir Hoxhaj: Unë pak kohë ka që kam ardhur në Tiranë dhe ka pak ndryshime nga qyteti i Shkodrës. Në Tiranë jeta është pak më e shpejtë dhe më e vrullshme, por është e bukur dhe mua më pëlqen jeta e tillë. Çdo ditë unë pi kafen e mëngjesit, nisem për në shkollë dhe mbaroj orët që kemi si kanto dhe pjesë të lëndëve të tjera, pastaj punoj pak me kanton. Kur kthehem në shtëpi dëgjoj përsëri muzikë, dhe ndonjëherë merrem dhe me sport.

Semir Hoxhaj interviste per CMG

Semir Hoxhaj interviste per CMG

CMG: Si ka ndryshuar jeta juaj tani larg familjes?

Semir Hoxhaj: Familja nuk është kurrë mbrapa sespe unë çdo fundjavë mundohem që të gjej kohën dhe të kthehem tek familja. Atje ndjehem i qetë ku punoj edhe pjesët muzikore dhe sigurisht që ndjehem më i lirshëm.

CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugëtimin tuaj artistik?

Semir Hoxhaj: Familja është e para që të mbështet në gjithçka dhe unë nuk di të gjej ndonjë person tjetër që të them se më ka mbështetur kaq shumë sa familja. Familja më mbështet si në karrierë ashtu edhe në financim dhe gjithçka.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.

Semir Hoxhaj: Unë ju falenderoj shumë në radhë të parë për ftesën sepse ishte shumë kënaqësi për mua. Përshëndes të gjithë ata që më kanë ndihmuar dhe që gjenden gjithmonë pranë meje.

Intervistoi: Gazmend Agaj